Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është mbajtur seanca gjyqësore për padinë e ngritur nga ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sula, kundër deputetit demokrat Gazmend Bardhi. Padia përfshin akuzat për “shpifje, kryer botërisht” dhe “fyerje, kryer botërisht”.
Në seancën e parë ishte i pranishëm paditësi, Edmond Sula, ndërsa deputeti Gazmend Bardhi nuk mori pjesë personalisht, por u përfaqësua nga avokatët e tij, Marash Logu dhe Ledio Braho.
Mbrojtja e Sulës paraqiti argumentet e saj gjatë seancës, duke theksuar se më 12 shtator 2024, gjatë një interpelance në Kuvend, Gazmend Bardhi, bazuar në disa materiale të referuara nga SPAK, kishte deklaruar se Edmond Sula ishte një person i emëruar nga grupet e strukturuara kriminale dhe i shërbente këtyre grupeve.
Në lidhje me akuzat e Bardhit, mbrojtja e Sulës theksoi se bisedat dhe materialet e përmendura nga Bardhi i përkisnin periudhës 2019-2020, tri vite para se Sula të emërohej në detyrën e tij.
“Deklarata e bërë nga Bardhi është transmetuar botërisht dhe është shpërndarë gjerësisht në media të shkruara dhe vizive, duke përhapur një informacion të pavërtetë, të cilin ne e mbështesim në prova. Akuzat kanë dëmtuar rëndë imazhin dhe karrierën e Edmond Sulës, i cili ka një përvojë 28-vjeçare në funksione të ndryshme të policisë,” deklaroi përfaqësuesi ligjor i Sulës.
Gjithashtu, Sula pretendon se pas publikimit të deklaratave të Bardhit, familjarët e tij, përfshirë dy vajzat, janë përballur me ofendime dhe sulme në rrjetet sociale dhe ambientet ku punojnë e studiojnë.
Sula theksoi se çështja për të cilën Bardhi i është referuar është duke u trajtuar dhe se shumë shpejt do të dalë në pah e vërteta.
“Duke qenë se çështja për të cilën i është referuar Gazmend Bardhi është në shqyrtim, dua të saktësoj që unë jam pyetur në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me këto fakte. Shumë shpejt do të dalë se kush është ‘Mondi i vërtetë’ që përmendet në ato komunikime.
Unë e kam deklaruar edhe në seancën e parë dhe e përsëris: emërimi im është bërë me urdhër të drejtorit të përgjithshëm. Jam krenar për çfarë kam bërë me stafin që ishte atje. Rezultatet e arritura në 1 vit e 1 muaj sa qëndrova në Shkodër janë të qarta dhe flasin vetë,” theksoi ai.
Ndërkohë që avokati i Gazmend Bardhit, Marash Logu, bëri publike disa detaje nga dosja e përgjimeve të Sky Ecc që Bardhi përmendi në parlament në adresë të Sulaj.
Avokati i Gazmend Bardhit, Marash Logu: Gjatë një komunikimi mes Pëllumb Gjoka dhe Ardit Hasanbegaj diskutohet për emrin e ministrit të Brendshëm Taulant Balla. Ky dhe Bledar Cuci përmendeshin si pasues të Sandër Lleshaj. “Mua mondi më duhet një dimër aty vlla”, flitet mes këtyre dy personave. Në kuadër të këtij procesi kemi sjellë edhe një provë që vjen nga mediat e shkruara sa i përket komunikimeve në Sky ECC. Pas dorëheqjes së Sandër Lleshaj, u emërua Bledar Cuci. Më pas mori detyrën Taulant Balla. Në 15 korrik 2023, emërimi i Taulant Ballës u pasua me emërimin e Edmond Sulës. Përputheshin, dhe mbi këtë bazë ngrihen dyshime se kishte ndikim nga biznesmeni Pëllumb Gjoka, mik i ministrit Taulant Balla, dhe nga Ardit Hasanbegaj.
Është e qartë që nuk kemi të bëjmë me një përpjekje të Gazmend Bardhit për dezinformim. Ashtu si zoti Bardhi dhe deputetët e tjerë kanë detyrën të ngrijnë zërin mbi shqetësimet apo denoncimet që u vijnë. Bardhi nuk ka deklaruar se Sula ka marrëdhënie apo njohje personale me personat nën hetim, por ka theksuar se krimi i organizuar është i lidhur me policinë e shtetit.
LEXONI GJITHASHTU:
- “O vlla, më duhet Mondi”- Bardhi i lexon përgjimet e Sky Ramës: Kush ta emëroi….
- Bardhi: 7 pyetjet pa përgjigje që vërtetojnë se s’ka pasur “hetim” për Olsi Ramën