‘Drejtësia që shkel ligjin’ – Reforma në drejtësi në lupën e emisionit Unpublished
Nëse ka një togfjalësh refren që shoqëron popullin shqiptar që prej 30 vitesh, ajo është, “reforma në drejtësi”. Nuk ka asnjë qeveri në këtë vend, që nuk ka premtuar. Aq, sa shpesh, këto fjalë duken krejtësisht abstrakte. Dhe zgjidhja duket se u qartësua në një pikë; largimi nga sistemi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.
7 vite më parë drejtësia nisi rrugën e reformimit, që kulmoi me krijimin e disa institucioneve të reja. Por, sa ndikim kanë patur këto struktura në sistemin e drejtësisë dhe sa të prekshme janë ndryshimet nga qytetarët? Të dyja këtyre pikëpyetjeve do të përpiqemi t’u japim përgjigje, sot në Unpublished.
Problemet në sistemin e drejtësisë shqiptare janë të shumta. Por ne, po ndalemi në atë më kryesorin, hetimin disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët shkelin ligjin gjatë detyrës. Shkelja e ligjit ka dy anë. Njëra që prek drejtpërdrejtë njerëzit që kanë personalisht çështje të pazgjidhura me drejtësinë.
Por le t’i marrim çështjet e drejtësisë në shqyrtim një nga një, për ta bërë më të kuptueshme iniciativën e luftës kundër korrupsionit mes radhëve të gjyqsorit. Po nisim me atë që është edhe më e prekshme, endjet e qytetareve, dyerve të gjykatave duke kërkuar drejtësi.
“Në 17 shkurt të vitit 2011 ka dalë vendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e parcelës ndërtimore për objektin që ne kishim për legalizim. ALUIZNI në datën 13 prill të vitit 2011 lëshon dy fatura pagese, faturën e pagesës së truallit në 20 maj të 2011 është paguar në vlerën e 113 milion lekëve. Në 23 maj 2011 kemi bërë dhe kontratën për kalimin e parcelës ndërtimore nga shteti tek familja ime. Statusi juridik ishte tokë shtet dhe këtë status nuk e kishim bërë ne, statusi juridik kërkohej nga ALUIZNI dhe përgjigja e kthyer nga ZRPP-ja për pacelën ndërtimore që ndodhej në lagjen 11 janari ishte tokë shtet dhe mbi bazën e këtij statusi juridik është miratuar me vendim të Këshilli të Ministrave. Ky që ishte pronar dhe na hedh në gjyq për lirim dorëzim sendi nuk kishte asnjë dokument për këtë arsye gjatë 3 viteve këmbëngulja ime për origjinën e pronës bëri që gjykata e shkallës së parë dhe ajo shkallës së dytë të rrëzonin palën paditëse. Në rast se ka ndonjë interes publik ai që merr këtë vendim duhet të shpronësojë personin që ka objektin. Se ai vërtetë kërkon lirimin e hapësirës, por hapësira është pronë private e imja”, rrëfen z. Arben Myzeqari.
Arben Myzeqari, nga Fieri denoncon kalvarin e gjatë në dyert e gjykatave dhe prokurorive për çështjen prone. Ka një dekadë që pret zgjidhje, për pronën që ai pretendon se i takon. Ai ka bërë ankesë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kanë gjykuar dhe hetuar çështjen e tij.
“Jam detyruar, i kam bërë ankesë edhe të nderuarit Artur Metani tek i cili është shpresa e vetme sepse vërtetë flitet për reformë në drejtësi por nuk kam asnjë lloj besimi pasi kam qenë edhe tek SPAK-u për këto probleme. Sot them që SPAK-u i ka vënë kapak të gjithë krimeve që i janë bërë familjes sime”, shprehet z. Myzeqari.
Kërkesa e këtij qytetari, por edhe mijëra të tjerëve është depozituar në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Unpublished vendosi të shohë fatin e tyre, duke zhvilluar një bisedë me kreun e këtij institucioni, Artur Metani.
“A mund të flitet për drejtësi? A mund të flitet për organin e prokurorisë që është organi i vetëm që heton dhe ushtron ndjekjen penale? Kur këta nuk janë të zotë që të vënë me shpatulla pas murit këta që vjedhin prona shtetërore lëri pronat private. Kur shteti nuk mbron pronën e vet a mund të mbrojë pronën time? Absolutisht jo”, kështu shprehet z. M.
Dhe ana tjetër e medaljes që na prek indirekt të gjithëve, me gjykimet dhe vendimet për njerëz të inkriminuar, të cilët dalin para kohe nga burgu, pa kryer dënimin e plotë. Në 3-4 vitet e fundit është intensifikuar fenomeni i lirimit para kohe, të disa emrave të njohur të botës së krimit. Mes tyre, emra të njohur si Lulzim Berisha dhe Endrit Dokle, por edhe shkurtimi i dënimeve si në rastin Dritan Dajti.
Pas çdo vendimi, që ka hije dyshimi për paanshmërinë e gjyqtarëve, dy janë hipotezat që hidhen në tavolinë; rryshfet ose presion nga të dënuarit. Por sa të rrezikuar ndjehen gjyqtarët, kur marrin vendime për emra që mbajnë mbi supe akuza për vrasje dhe krime të tjera të rënda? Një nga dy gjyqtarët që votuan kundër shkurtimit të dënimit për Dritan Dajtin, i akuzuar për vrasjen e katër policëve, kur e pyesim nëse është ndjerë ndonjëherë i rrezikuar për jetën, ka këtë përgjigje:
“Të them të drejtën unë gjatë gjithë karrierrës time nuk kam pas asnjë kërcënim qoftë në telefon, qoftë në mënyra të tjera. Nuk kam pasur frikë të jap vendime sipas bindjes time të brendshme. Vazhdoj edhe sot të mos kemë asnjë presion,asnjë person që të vijë të më thotë që më kë dënuar, ja të hoqën.”
Ky është një shembull që tregon se ndërhyrjet me forcë apo kërcënimet nga “të fortët”, siç njihen në fjalorin e perditshëm, ndonjeherë janë më të besueshme si mite, sesa si realitet.
Ai do të hetojë vendimet e magjistratëve dhe është i vetmi që mund të iniciojë një procedim disiplinor për ta, duke kërkuar pezullimin apo shkarkimin e një prokurori apo gjyqtari. Ky institucion, mund të cilësohet tashmë kupola e drejtësisë së këtij vendi, organi më i rëndësishëm në sistem. Por a po trajtohet si i tille?
“Me një inspektor është e pamundur që të përballohet gjithë kjo mori pune. Ne vazhdojmë të jemi vetëm me një ambient zyre për këtë institucion të rëndësishëm. Sigurisht që kjo mund të gjejë zgjidhje por është një pengese që e ka efektin pak më vonë. Pengesë ishte edhe pezullimi i rekrutimit të ekipit të administratës dhe inspektorëve. U munduam të gjejmë diçka të ndërmjetme nëse mund të vazhdohej një procedurë ndërkohë që kufizimet ishin më të plota sesa sot’, shprehet z. Metani duke theksuar se ka vetëm një inspektor për 1600 dosje.
Por vështirësitë nuk janë vetëm logjistike. Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë duhet të ketë në përbërje të tij 18 inspektorë, nga të cilët 6 do zgjidhen nga radhët e juristëve të lirë dhe 12 duhet të vijnë nga radhët e magjistratëve. Asnjë prej këtyre të fundit nuk është futur në garë.
“Janë bërë shpallje për inspektor jomagjistrat për 6 vende. Ka përfunduar dhe jemi në fazën e marrjes së dokumentacionit për kandidatët. I kemi drejtuar shkresë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për 6 prokurorë ose gjyqtarë që duan të aplikojnë dhe mund të komandohen pranë zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Sipas informacioneve që kam, ka pasur një numër të vogël prokurorësh që kanë aplikuar dhe asnjë gjyqtar. Sigurisht që kjo na ve në vështirësi sepse e para duhet plotësuar detyrimi ligjor për të pasur numrin e inspektorëve edhe nga magjistratët”, rrëfen z. Metani.
Por cila është arsyeja që gjyqtarët dhe prokurorët nuk duan të hetojnë rastet e shkeljes së ligjit nga të korruptuarit? Ky mosinteresim do të kishte kuptim, nëse këto poste nuk do të mbartnin në vetvete përfitime. Le të shohim çfarë përfiton një inspektor. Rroga e një inspektori shkon rreth 300 mijë lekë të reja në muaj, pra rreth 2-fish më e lartë se ajo qe mund të marre për shembull një gjyqtar nga radhët e Gjykatës së Shkallës së Parë. Pra përfitimi ekonomik është i madh.
Le të shohim përfitimin në karrierë. Nëse një jurist merr detyrën e inspektorit, ai për 5 vite do të ngjisë shkallët e karrierës duke shkuar në gjykatat e apelit, kohë e cila nëse nuk është inspektor kërkon minimumi 10 vite eksperiencë. Pra edhe përfitimi në karrierë është i lartë. Por sërish interesi për këto poste është zero!
Të marrësh rolin e inspektorit në ILD së pari duhet të kalosh të gjithë filtrat e kontrollit të pastërtisë së figurës, pa asnjë hije dyshimi për korrupsion të çdo lloji dhe së dyti duhet të marrësh parasysh riskun e hetimit të kolegëve të tu, që ndonjëherë mund të jenë edhe shokët e tu më të afërt. Pra thënë të gjithë këto, duket se deri tani askush nuk i beson as ndëegjegjes së vet e as guximit për të hetuar të tjerët. Dhe këtu nuk flasim për çfarë ka ndodhur përpara vitit 2015.
“Për shkelje të kryera 5 vjet më parë inspektori nuk ka mundësi ligjore të ndërhyjë pasi është e ndaluar me ligj. Por ky është prioritet i zyrës tonë për të parë se nga ky numër i madh ankesash rreth 1600 të shohim ato që janë në kufinjtë e skadimit të këtij afati”, shton z. Metani.
Mosfunksionimi i mekanizmit të hetimit të gjyqtarëve nga institucionet, solli si pasojë disa lirime të parakoshme nga burgjet shqiptare. Lulzim Berisha i cilësuar si ish-drejtues i bandës së Durrësit, në dhjetor të 2016 u lirua nga Gjykata e Apelit Durrës. Argumenti, ishte vuajtja e tre të katërtave të dënimit, rehabilitimi i tij dhe gjetja e një vendi pune në bashkinë e qytetit. Vendimi i apelit u parapri nga vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila në korrik të po atij viti prishi vendimin me burgim të përjetshëm, duke e dënuar me 25 vite heqje lirie. Berisha qëndroi fizikisht 10 vite e 8 muaj në qeli. Por si e shohin ekspertët, manovrën e heqjes së dënimit të perjetshëm për këta të dënuar?
“Ky është një rol propagandistik dhe fals i çdo ministri drejtësie të radhës. Sepse lirimi me kusht i një personi fillon nga raporti i drejtorit të burgut dhe drejtorisë së burgut ku ai vuan dënimin penal. Pra është nosens kur në një raport pozitiv të drejtorisë së burgjeve që varet nga ministria e drejtësisë, ministria e drejtësisë të pretendojë që fajin e ka gjykata. Nuk mundet ministria e drejtësisë të qahet për një vendim të vartësve të saj që ka kontribuuar në masën 70% në këndvështrimin tim në dhënien e lirimit me kusht”, thotë Alban Koçi, Pedagog në Fakultetin Juridik.
“Ministria e drejtësisë e ka në varësi Institucionin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale, dhe është pikërisht kjo që duhet të luajë rolin vetëm nëpërmjet kontrollit që mund t’i bëjë institucioneve të vuajtjes penale”, pohon Lirime Cukaj, pedagoge në Fakultetin Juridik.
Në 8 shkurt të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda prishi vendimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin. Kjo gjykatë e përbërë nga një trupë gjyqtarësh të ardhur nga rrethet, për shkak të konsumimit të gjyqtarëve të krimeve të rënda, vendosi dënimin e tij me 25 vite burg. Gjyqtarët ishin ndarë 3 pro me 2 kundër. Për herë të parë, ekskluzivisht për Unpublished, një nga gjyqtarët që votoi kundër uljes së dënimit për Dajtin, Fuat Vjerdha, tregon disa të vërteta të ndodhura ditën e marrjes së vendimit dhe dy ditët në vijim.
“Vendimin për të pandehurin Dajti ne e kemi shpallur ditën e premte rreth orës 16 dhe pati diskutime. U mbyll seanca dhe vazhduam jashtë orarit. Fatmirësisht, e fotografova dispozitivin e vendimit me celularin tim. Kam ardhur në shtëpi , kemi vazhduar jetën normale. U bë i njohur të nesërmen vendimi dhe pati një reagim nga publiku. Unë isha kryesuesi i trupës gjykuese dhe relatori i çështjes, kështu që barra më madhe për publikun binte mbi mua. Deri të dielën konstatova që media më masakroi , portalet me epitete nga më të ndryshmet, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj atij vendimi. Të hënën në mëngjes, kur dola në punë, takova edhe kolegen Lindita Hoxha, që kishte të njëjtin qëndrim me mua. Edhe ajo ishte në këtë presion. Kështu që kjo më bëri që të hedh në Facebook-un tim dispozitivin për t’i treguar publikut se cili ka qenë qëndrimi im”, thotë Fuat Vjerdha, ish gjyqtar i Gjykatës së Apelit, Shkodër.
Një tjetër personazh i cili fitoi lirinë është edhe Endrit Dokle, drejtues i fraksionit që kundërshtoi Lulzim Berishën. Ai vuante dënimin me burgim të përjetshëm për akuzat e vrasjes dhe grupit të strukturuar kriminal. Madje, u dënua gjatë kohës që qëndroi në burg për trafik droge, pasi drejtonte nga qelia trafikun e heroinës drejt Italisë. Në dy vitet e fundit ai kishte bërë 15 kërkesa në gjykatën e Krujës për uljen e dënimit dhe në fund përfitoi lirimin me kusht. Duke përdorur këto hapësira ligjore, Dokles iu njohën 25 vite e 9 muaj burg, ndërsa fizikisht kishte qëndruar brenda hekurave për rreth 15 vite. Por rasti i Dokles hapi debat të madh, për shkak se ishte dënuar me burgim përjetë dhe kërkesat e tij për ulje dënimi dhe lirim të parakohshëm u shqyrtuan nga e njëjta gjyqtare, Enkelejda Hoxha.
“Legjislatori ka qenë i kujdesshëm në frymën e dinjitetit të njeriut dhe normave për reintegrimin e personit, që të gjente një mënyrë për shpëtuar nga trajtimi çnjerëzor i përjetshëm. Por ka vënë limitin kohor jo më pak se 35 vite. Pra, ky limit kohor 35 vite duhet të jetë kushti që personi të përfitojë nga dënimi. Në një farë mënyre ka shpaguar një pjesë të dënimit që ai ka bërë dhe personi duhet të jetë në kushtet që ka bërë gjithçka për t’u riintegruar”, thotë Alban Koçi, pedagog në Fakultetin Juridik.
“Institucionet e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale dhe juristët e tyre duhet të kenë kujdes maksimal që të paraqesin situatën reale para gjykatës, që do të thotë me të vërtetë këta persona që vuajnë dënimin e kanë arritur qëllimin? Cili është qëllimi? Ti vuan një pjesë të dënimit dhe je rehabilituar, apo je edukuar për t’u përshtatur me jetën jashtë. Problematika me e madhe në opinionin tim ligjor ka qenë pikërisht fakti i dhënies së informacionit nga Institucionet e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale, që këta persona kanë një sjellje shumë shembullore duke pasur parasysh që sjellja vjen kontradiktore. Pra, persona më rrezikshmëri të lartë shoqërore që kanë një sjellje shembullore në burg që nuk e kishin në jetën e përditshme”, thotë Lirime Çukaj ,Pedagoge në Fakultetin Juridik
Nisur nga problematika me lirimet dhe shkurtimet e dënimeve për këta të burgosur, Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve ne gusht të 2019, iu drejtua të gjitha prokurorive në vend me këtë shkresë zyrtare.
“Shumë të dënuar janë me dy ose më shumë dënime penale dhe në disa raste nuk është bërë bashkimi në një dënim të vetëm dhe as nxjerrja e urdhër ekzekutimit.
Në disa raste të tjera është bërë bashkimi i dënimeve por çështja është apeluar dhe nuk është përfunduar gjykimi.
Ka edhe raste kur një urdhër ekzekutimi i vendimit penal, lidhur me llogaritjen e dënimit të kryer dhe të periudhës së paraburgimit, janë bërë me gabime nga prokuroria.
Ka të dënuar që janë ekstraduar por nuk është saktësuar ose bërë njohja e saktë e kohës së dënimit.
Disa shtetas janë dënuar disa herë dhe kjo vështirëson llogaritjen e saktë të kohës së paraburgimit.”
Pikërisht zhurma e krijuar mbi këto vendime për lirime me kusht, ka shtyre Inspektorin e Larte të Drejtësisë të fokusohet së pari tek kjo çështje.
“Ne i kemi vënë vetës pikësynim inspektimet tematike për lirimet para kohe me kusht dhe çështjet sensitive për publikun dhe për sistemin. Sistemi të kuptojë dhe të ndjejë që është nën monitorim, në kuptimin kushtetues të fjalës, në çdo aspekt dhe në çdo moment”, thotë Artur Metani.
Ajo që bie në sy është se shumica e gjyqtarëve që kanë marrë këto vendime nuk kanë kaluar ende në siten e Vettingut. Dhe për sa kohë të ndodhë kjo, ata po vijojnë të marrin vendime të diskutueshme, sidomos në rastin e eksponentëve të njohur në boten e krimit.
Por nga ana tjetër, edhe vetë procesi i Vettingut po shoqërohet me debate mbi standardet e dyfishta gjatë hetimit, që disa gjyqtarë pretendojnë se po aplikohen. Një prej tyre, i rrëzuar nga shkalla e pare e Vettingut është edhe Fuat Vjerdha, i cili e ka ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm.
“Provohet që nuk kam kontakte me persona me rekorde kriminale . provohet që nuk kam pasuri të paligjshme më bëri të ndihem kryelartë sepse u vërtetua atë që publiku shqiptar pret nga Vettingu, që njerëzit të provohen që kanë pasur lidhje me botën e krimit ose pasurisë të paligjshme. Këto dy elemente për mua u provuan që nuk kishin lidhje me mua dhe më bëjnë të jem kryelartë. Dhe unë sot në Shkodër dal mëse i qetë dhe gëzoj respektin e bashkëqytetarëve të mi”, pohon Fuat Vjerdha, ish-gjyqtar i Gjykatës së Apelit, Shkodër.
Madje, ish kryetari i Gjykatës së Apelit Shkodër ka shkuar edhe më tej. Ai ka ndërmarrë një iniciativë të paprecedentë për të mbrojtur figurën e tij në publik.
“Unë kam iniciuar një peticion në të cilin bashkëqytetarët e mi por edhe të rretheve ku unë kam dhënë vendime janë shprehur për mosdakordësinë e këtij konkluzioni, që Fuati ka cenuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Deri tani kam arritur të marr rreth 2500 nënshkrime nga njerëzit të cilët e kundërshtojnë këtë konkluzion duke pasur parasysh këtë periudhe pandemie prej 2 muaj e gjysmë”, thotë Fuat Vjerdha.
Por këto ping pong-e në sistemin e drejtësisë, koston me të madhe dhe të vërtetë e kanë mbi kurrizin e qytetarëve. Si përpara 3 vitesh kur institucionet që prodhoi reforma nuk ishin ngritur, ashtu edhe sot, 3 vjet me pas, Arbeni personazhi ynë që kërkon drejtësi, dhe si ai shumë të tjerë, po vazhdojnë të enden dyerve të gjykatave.
“Lekët i mban shteti. Unë vuaj dyerve dhe labirinteve të gjykatës dhe prokurorisë”, thotë Arben Myzeqari , Denoncues
Artur Metani drejtues i Inspektoratit të Lartë të drejtësisë, është i qartë për mënyrën se si do ta kryejë punën për të identifikuar të korruptuarit që njollosin sistemin, problemi është se me kë do e realizojë këtë.
“Në këndvështrimin tim, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë duhet të fokusohet në tre drejtime kryesore: në parandalim , mbikëqyrje dhe sanksionim. Duhet të synojë parandalimin e situatave që mund të cenojnë drejtësinë në të ardhmen. Që do të thotë se nga ndryshimet ligjore, nëse verën që inspektori ka nevojë të bëhen , ndryshime të praktikave të gabuara që mund të vijnë nga udhëzime të gabuara të gjykatave apo prokurorive, dhe sigurisht, me sanksionimet nëse nga gjithë kjo analizë rrjedh që ka përgjegjësi nga prokurorë apo gjyqtarë”, thotë Artur Metani, drejtues i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.
Ne këtë pikë, reforma u bë, institucionet u ngritën, ligjet u miratuan, tani drejtësisë i mbetet vetëm të gjejë njerëzit që do ta pastrojnë sistemin. Ata që janë pjesë e këtij sistemi, deri tani, ose nuk plotësojnë kushtet ose po refuzojnë të marrin mbi supe këtë barrë, edhe pse historike për Shqipërinë. Ndoshta në këto kushte ashtu si edhe është propozuar nga disa ekspertë, vetë reforma ka mbërritur në piken që ka nevoje për reformë.
“Rrezik përçarje nëse duan të ulen të gjithë te vendi i shoferit” Kikia heq paralele me protestën
“Propozova të shpallej zonë e mbrojtur”,Bino: Nuk jemi kundër investimeve, teli me gjemba na kujtoi kampet
“Kam bërë gabime” Çipa: Berisha e tha hapur, lideri mban peshën e dështimeve
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta