Asambleja e KiE i tha “po” Kosovës, Vuçeviç: Do luftojmë me argumente

17 Prill 2024 | 12:25

Mandatari për formimin e Qeverisë së re serbe, Millosh Vuçeviq, tha se shteti i tij “do të luftojë me argumente, fakte, ligj, moral dhe besim në vetvete”, pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Vuçeviq, që aktualisht mban postin e ministrit të Mbrojtjes, tha për televizionin publik serb më 17 prill se votimi në Strasburg “ishte vazhdim i festivalit të hipokrizisë”. Ai shtoi se “nuk kishte shumë hapësirë për manovrim, por nuk ka tërheqje dhe nuk ka dorëzim”.

“Shkelja e normave bazike nga ana e tyre do të shndërrohet në ndëshkim për ta, por diçka që është e paligjshme nuk mund të bëhet e ligjshme përgjithmonë”, tha Vuçeviç, shkruan rel.

Ai deklaroi se “nuk ka të bëjë vetëm me pyetjen nëse Kosova është shtet”, por që “parimet bazike që vetë ata kanë vendosur para Prishtinës, nuk janë respektuar” dhe më e rëndësishmja, sipas tij, është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë që merret me të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e demokracisë.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.

Më 27 mars të këtij viti, Kosova bëri hapin e parë pasi Komiteti për Politikë dhe Demokraci miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyyanis, e cila tha se shteti ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në Këshillin e Evropës.

Më pas, më 16 prill, raporti dhe rekomandimi i Bakoyyanis u mbështet edhe nga dy të tretat e anëtarëve të Asamblesë Parlamentare.

Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Ministrat do të takohen më 16 maj në Strasburg.

Krerët shtetërorë të Kosovës e kanë mirëpritur vendimin e Asamblesë Parlamentare, duke e cilësuar si dëshmi të përkushtimit të shtetit për demokraci. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh optimist për një vendim pozitiv në Këshillin e Ministrave në maj.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Një prej përfitimeve direkte të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut [GJEDNJ].

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kosova shpall “Non Grata” ministren serbe pas deklartatës skandaloze për spastrim etnik

Kosova e ka shpallur person “të padëshirueshëm” dhe ia ka ndaluar përherë hyrjen apo kalimin nëpër vend ministres serbe Snezhana Paunoviq, pasi ajo tha ditë...
21:31 | 14/07/2026

Deklaratat për spastrimin etnik të Kosovës, eurodeputeti italian Gozi thirrje Vuçiçit: Shkarko ministren Paunoviç

Eurodeputeti italian, i cili përfaqëson Francën në Parlamentin Evropian, Sandro Gozi, i ka cilësuar skandaloze deklaratat e ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviç, e...
17:09 | 14/07/2026

Haxhiu dekreton Zejnullah Gashin për Kryeprokuror Shteti

Një ditë pas nominimit, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka takuar të martën Zejnullah Gashin për t’ia dorëzuar dekretin për Kryeprokuror...
16:45 | 14/07/2026