Presidenti austriak Alexander Van der Bellen i dha dritën e gjelbër kreut të partisë ekstremiste FPË, Herbert Kikel për të formuar koalicionin e ri qeverisës, pas një takimi të zhvilluar me të ditën e hënën në Vjenë.
“Kikel ka besimin se mund të gjejë një zgjidhje brenda modelit qeveritar të negociatave dhe ai dëshiron ta përmbushë këtë përgjegjësi”, deklaroi Van der Bellen.
Në rast suksesi, Kikel do të drejtojë qeverinë e parë ekstremiste në Austri që prej Luftës së Dytë Botërore.
Partia e tij siguroi fitoren në zgjedhjet parlamentare të shtatorit, duke marrë 28.8 për qind të votave dhe duke lënë pas kancelarin në ikje Karl Nehammer, nga partia konservatore Partia e Popullit, e cila doli e dyta.
Fillimisht presidenti Van der Bellen ngarkoi pikërisht Nehamer për formimin e një qeverie, por partia e tij refuzoi të hynte në koalicion me ekstremistët e FPË. Të njëjtën gjë bënë edhe parti të tjera.
Përpjekjet për të krijuar një aleancë qeverisëse pa ekstremistët dështuan në fillim të janarit, duke detyruar Nehammer të njoftojë dorëheqjen ditën e diel.
Pas njoftimit të kancelarit, Partia e Popullit shprehu gatishmëri për një bashkëpunim potencial me Kikel. Dhe ndërsa bisedimet mes dy partive nuk kanë asnjë garanci suksesi, në Parlamentin aktual të Austrisë nuk ka alternativa të tjera për formimin e koalicionit qeverisës.
LEXONI GJITHASHTU:
- I dyshuari për sulmin në Gjermani përballet me 5 akuza për vrasje
- Presidenti gjerman shpërndan parlamentin