Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në fjalën e tij në Kongresin e PS bëri një përmbledhje të arritjeve policisë së shtetit që nga mbarëvajtja e turizmit tek siguria publike.
Balla bëri me dije se vitin që vjen do të krijohet Forca Kombëtare e Sigurisë për të bërë të mundur sigurinë e turizmit në çdo cep të territorit.
“Siguria publike, në këtë sezon turistik historik, ishte një test i rëndësishëm pasi certifikoi vendin tonë si një destinacion të sigurt turistik, me zero ngjarje kriminale, ndaj jetës së turistëve të huaj të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar. Sezoni i ri turistik do të ketë Forcën Kombëtare të Sigurisë Publike si një forcë shtesë për garantimin e sigurisë në destinacionet kryesore turistike. Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe agjencitë e tjera do duhet të garantojnë plazhe të lira dhe bregdet të pastër, nga Velipoja deri në Ksamil”, tha Balla.
Ai u shpreh se një nga detyrat prioritare të policisë është hetimi i 21 janarit pas vendimit të fundit të Strasburgut.
“Falë vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, edhe hetimi i vrasjeve të 21 Janarit është një detyrë prioritare për policinë dhe prokurorinë. Ka një rënie drastike të numrit të vrasjeve kriminale gjatë këtij viti, 32 deri më tani 2023 krahasuar me 42 në vitin 2022 dhe me 124 në vitin 2012. Duke e bërë vitin 2023 si një vit historik për rendin dhe sigurinë”, tha Balla.
LEXONI GJITHASHTU:
- Tabaku: Kongresi i PS spektakël propagande përballë varfërimit të shqiptarëve
- Berisha: Kongresi i PS-së, për fshehjen e aferës së inceneratorëve