BE shqyrton vendosjen e sanksioneve ndaj Kinës
Bashkimi Evropian po konsideron vendosjen e sanksioneve dytësore ndaj Kinës për shkak të marrëdhënieve të saj të ngushta tregtare me Rusinë, veçanërisht për importet e naftës dhe gazit, raportoi të hënën Financial Times, duke cituar burime diplomatike.
Diskutimet nisën të dielën në nivel zyrtarësh të lartë të BE-së, ndërsa Brukseli synon të sigurojë fillimisht koordinim dhe mbështetje të plotë nga Shtetet e Bashkuara përpara çdo vendimi përfundimtar. Për këtë arsye, një delegacion i BE-së udhëtoi në SHBA, ndërsa Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Ëright, pritet të vizitojë Brukselin gjatë kësaj jave.
Kina është bërë importuesja më e madh e naftës ruse pas shpërthimit të luftës në Ukrainë në vitin 2022, duke ofruar një burim të rëndësishëm të ardhurash për Moskën. Në fillim të këtij viti, BE-ja vendosi sanksione ndaj disa kompanive kineze për mbështetjen e dyshuar ndaj sektorëve që furnizojnë industrinë ushtarake ruse – një veprim që Pekini e cilësoi si “të paarsyeshëm” dhe “standard të dyfishtë”.
Të dielën, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, sugjeroi se Uashingtoni dhe Brukseli mund të shtojnë presionin duke zgjeruar sanksionet ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë ruse. Pekini, nga ana e tij, ka theksuar se do të sigurojë furnizimin me energji për të mbrojtur interesat kombëtare dhe ka paralajmëruar se “luftërat tarifore nuk kanë fitues”.
Çështja e sanksioneve është ndërlikuar edhe nga rritja e tensioneve tregtare me vende të tjera importuese të mëdha të naftës ruse. Muajin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump dyfishoi tarifat ndaj Indisë në 50%, duke kritikuar blerjet e vazhdueshme të naftës nga Nju Delhi. Qeveria indiane e kundërshtoi këtë vendim, duke deklaruar se politika e saj energjetike është e diktuar nga nevojat ekonomike dhe jo nga presioni i jashtëm.
Gjatë një vizite të fundit katërditore në Kinë, presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se presioni perëndimor mbi Pekinin dhe Nju Delhin është “i papranueshëm” dhe synon të ngadalësojë zhvillimin ekonomik të fuqive të mëdha aziatike.
LEXONI GJITHASHTU:
Spanja dhe Franca në betejë me flakët, zjarret jashtë kontrollit (VIDEO)
Presidenti i Kazakistanit ia thotë në sy Putinit: Ndalini luftimet në Ukrainë (VIDEO)
Aeroplani përplaset mbi çatinë e një shtëpie në Gjermani, humb jetën piloti
- 20:42 Protesta në ditën e 56-të, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë dhe paralajmërojnë tubim të ri të hënën te Parlamenti
- 20:30 Rrëfehet xhaxhai i Rozalindës: Kishte mbi 40 ditë kërcënime nga Buzi, institucionet dështuan
- 20:05 Spanja dhe Franca në betejë me flakët, zjarret jashtë kontrollit (VIDEO)
- 19:51 Të shtëna me armë zjarri në Kurbin, plagoset 22-vjeçari
- 19:46 Presidenti i Kazakistanit ia thotë në sy Putinit: Ndalini luftimet në Ukrainë (VIDEO)
- 19:04 Zjarr në malin e Çipinit, terreni i vështirë pengon ndërhyrjen e zjarrfikësve (VIDEO)