Brazil, e dyshuara për helmimin me tortë Krishtlindjesh gjendet e vdekur në burg

15 Shkurt 2025 | 15:50

Një grua, e akuzuar për vrasjen e tre anëtarëve të së njëjtës familje duke i helmuar me një tortë Krishtlindjesh, është gjetur e vdekur në qelinë e saj të burgut në Brazil.

Deise Moura dos Anjos u gjet pa shenja jete gjatë një kontrolli në mëngjes në një burg shtetëror të grave në qytetin Guaíba, në shtetin jugor të Rio Grande do Sul.

Sipas CNN Brasil, autoritetet lokale konfirmuan vdekjen e saj të enjten.

“Sapo u zbulua, stafi i burgut i dha ndihmën e parë dhe thirri shërbimet emergjente, të cilat konfirmuan vdekjen e saj sapo mbërritën në vendngjarje,” thuhet në deklaratën e policisë kriminale.

Autoritetet theksuan se e dyshuara ndodhej e vetme në qeli dhe se rrethanat e vdekjes do të hetohen nga Policia Civile dhe Instituti i Ekspertizës.

Një ditë para vdekjes, bashkëshorti i saj, Diego dos Anjos, kishte kërkuar divorc.

Helmimi tragjik i tortës së Krishtlindjes

Ngjarja tragjike ndodhi në prag të Krishtlindjes në qytetin Torres, ku tre persona humbën jetën dhe tre të tjerë përfunduan në spital pasi konsumuan tortën e helmuar.

Sipas hetimeve, sasi të mëdha arseniku u gjetën në trupat e viktimave. Ekspertët zbuluan se mielli i përdorur për përgatitjen e tortës përmbante nivele arseniku 2,700 herë më të larta se kufiri i lejuar.

Deise Moura dos Anjos u arrestua në janar dhe u akuzua për vrasje të trefishtë dhe tre tentativa vrasjeje.

Ajo ishte nusja e një prej viktimave, 60-vjeçarit Zeli dos Anjos, i cili kishte përgatitur tortën fatale.

Sipas policisë, helmimi nuk ishte aksidental. Analizat laboratorike konfirmuan se arseniku ishte përzier qëllimisht në miellin e përdorur për përgatitjen e tortës, duke përjashtuar mundësinë e ndotjes natyrore ose aksidentale.

Hetuesit theksuan gjithashtu se Deise Moura dos Anjos kishte konflikte me familjen e viktimave për më shumë se dy dekada.

Detajet e analizave laboratorike

Sipas Institutit të Përgjithshëm të Ekspertizës, mostrat e marra nga trupat e viktimave treguan përqendrime tejet të larta të arsenikut.

Viktima me përqendrimin më të ulët të helmit kishte 80 herë më shumë arsenik se niveli i lejuar në ushqim, ndërsa viktima me përqendrimin më të lartë kishte 350 herë më shumë.

“Këto nivele janë aq të larta sa që është e pamundur të jenë rezultat i një ndotjeje të rastësishme,” deklaroi Marguet Mittmann, drejtoreshë e institutit.

Policia vazhdon hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti tronditës.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi të ri, i cili kushtëzohet nga ndalimi i plotë i sulmeve të Hezbollahut, njoftoi...
07:18 | 04/06/2026

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026