Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që po mbahet në Tiranë, se ambicia e Shqipërisë është që deri në muajin qershor të jetë pjesë e zonës së përbashkët të pagesave euro.
Rama theksoi në fjalën e tij se nëse vendet e rajonit arrijnë të bëhen pjesë e sistemit të përbashkët të pagesave për zonën evropiane, atëherë do të ulen me 6 herë kostot e personave jashtë shtetit që do të dërgojnë pagesa brenda vendit. Gjithashtu ai tha se nëse kjo do të arihet, do të ulen me 6 herë dhe kostot e transakioneve të biznesit me vendet e BE-së.
“Nëse përmbushim të gjitha kriteret për zonën europiane të përbashkët të pagesave, do të ulim me 6 herë tarifat e qytetarëve shqiptarë që ndodhen jashtë për të dërguar pagesa në Shqipëri, ulet 6 herë kostot e transaksioneve të biznesit me vendet e BE, vetëm duke bërë këtë ne në Ballkanin Perëndimor mund të kursejmë afro gjysmë bilioni euro në xhepat e njerëzve”, tha Rama.
Rama shtoi se nëse ulet me 3 orë koha e pritjes së kamionëve në kufijtë rajona dhe të BE, atëherë kjo të përkthehet në ndihmë për biznesin dhe rritje të importeve dhe eksporteve.
“Ambicia jonë si Shqipëria është që në qershor të jemi gati për aplikimin tonë. Nëse ulim vetëm 3 orë kohën e pritjes së kamionëve tanë në kufijtë rajonale dhe BE mund të marrim një rritje të përgjithshme prej 25 miliardë euro”, tha Rama.
Rama apeloi që palët t’i zgjidhin çështjet dypalëshe përmes dialogut dhe të angazhohen maksimalisht në planin e rritjes ekonomike nga BE.
“Nuk mund të isha më falenderues se kaq ndaj Ursula Von Der Leyen për të dëgjuar shqetësimet tona, mbi arsyet pse BE duhet të gjejë rrugë të reja për të na ndihmuar në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit tonë në BE.
Mundësitë mund të të merren ose humben, ne duhet të angazhohemi plotësisht pa asnjë hezitim, pa kufizime e shtrëgime.
Unë e pranoj se ndryshe nga Shqipëria disa nga vendet e rajonit përballen me çështje komplekse midis tyre, por bëj thirrje që ti lënë mënjane këto dallime për një punë bashkëpunuese e jetike që kemi përpara për të transformuar rajonin e vendet tona.
Çështjet dypalëshe mbeten, por duhet zgjidhur përmes bashkëpunimit e dialogut dypalësh, dhe jo të ndërhyjnë në këtë ushtrim të ri shumëpalësh”, tha Rama.
LEXONI GJITHASHTU:
- “Të ulim kohën e pritjes së kamionëve në dogana”, Rama: Shqipëria gati në qershor
- Varhelyi nga Tirana: Plani i BE dyfishon ekonomitë e Ballkanit brenda 10 viteve