Çfarë është Hezbollahu, kur u krijua dhe pse po sulmon Izraelin

11 Tetor 2023 | 11:17

Grupi i armatosur, Hezbollah, mori përgjegjësinë për një sulm me raketa nga Libani në drejtim të Izraelit, mëngjesin e kësaj të mërkure.

Izraeli, i cili u godit më 7 tetor nga një sulm i papritur prej Hamasit, u përgjigj me zjarr artilerie në Libanin jugor, duke nisur një front të ri lufte.

Hezbollah ndërmori dhe 3 ditë më parë sulme me dronë në drejtim të Izraelit dhe deklaroi se ishte në solidaritet me “rezistencën palestineze”. Ai tha gjithashtu se pozicionet izraelite u goditën drejtpërdrejt.

Kur u formua Hezbollahu?

I themeluar në vitin 1982 nga Garda Revolucionare e Iranit dhe i klasifikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore si organizatë terroriste, Hezbollahu është grupi më i fuqishëm në Liban, për shkak të një milicie të armatosur rëndë, që luftoi disa luftëra me Izraelin.

Hezbollahu është lëvizje politike dhe ushtri guerile, e cila mbështetet nga popullata shiite e Libanit.

Arsenali i tij është shkak i mosmarrëveshjeve të shpeshta në këtë vend. Grupi thotë se armët i nevojiten për ta penguar Izraelin. Por, kundërshtarët e tij thonë se ai e minon shtetin, duke marrë vendime për luftën dhe paqen, që e prekin të gjithë kombin.

Roli në Liban

Grupi ka ministra në qeveri dhe ligjvënës në parlament. Ai i ka treguar “muskujt” edhe në rrugë.

Në vitin 2008, një luftë për pushtet me kundërshtarët libanezë të mbështetur nga Perëndimi dhe Arabia Saudite, është shndërruar në konflikt të shkurtër.

Luftëtarët e Hezbollahut kanë pushtuar disa pjesë të Bejrutit, pasi qeveria është zotuar se do të ndërmarrë veprime kundër rrjetit të komunikimit ushtarak të grupit.

Në vitin 2016, politikani i krishterë aleat i Hezbollahut, Michel Aoun, është bërë president. Dy vjet më vonë, Hezbollahu dhe aleatët e tij kanë fituar shumicën parlamentare. Kjo shumicë ka humbur në vitin 2022, por grupi ka vazhduar të ushtrojë ndikim të madh.

Grupi ka bërë fushatë edhe kundër një gjyqtari që ka hetuar shpërthimin në port të Bejrutit në vitin 2020, pasi ai ka kërkuar marrjen në pyetje të aleatëve të tij. Përplasja ka shkaktuar përleshje vdekjeprurëse në Bejrut në vitin 2021.

Klasifikimi terrorist

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Gjermania, Britania, Argjentina dhe Hondurasi, si dhe nga Këshilli i Bashkëpunimit i Gjirit Mysliman – aleat i Shteteve të Bashkuara – i cili përfshin Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin dhe Kuvajtin.

Bashkimi Evropian e klasifikon krahun ushtarak të Hezbollahut si grup terrorist, por jo edhe krahun e tij politik, shkruan rel.

Grupet që zyrtarët libanezë të sigurisë dhe inteligjenca perëndimore kanë thënë se kanë qenë të lidhura me Hezbollahun, kanë kryer sulme vetëvrasëse ndaj ambasadave dhe objektivave perëndimore dhe kanë rrëmbyer qytetarë perëndimorë në vitet 1980.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Hezbollahun përgjegjës për një sulm vetëvrasës që ka shkatërruar selinë e marinës amerikane në Bejrut, në vitin 1983, duke vrarë 241 ushtarë.

Një sulm vetëvrasës ka goditur edhe një kazermë franceze në Bejrut, në vitin 1983, duke vrarë 58 parashutistë francezë.

Duke iu referuar atyre sulmeve dhe marrjes së pengjeve, udhëheqësi i Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, ka thënë në një intervistë në vitin 2022 se ato janë kryer nga grupe të vogla, që nuk kanë qenë të lidhura me Hezbollahun.

Argjentina e ka fajësuar Hezbollahun dhe Iranin për bombardimin e vitit 1994 në një qendër të komunitetit hebraik në Buenos Aires, ku kanë mbetur të vrarë 85 persona, si dhe për një sulm në vitin 1992 në Ambasadën e Izraelit në Buenos Aires, ku janë vranë 29 persona. Por, të dyja vendet e kanë mohuar përgjegjësinë.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump

Bllokada detare e ushtrisë amerikane ndaj anijeve që shkojnë dhe vijnë nga portet iraniane rifilloi në afatin e fundit në orën 4 pasdite sipas kohës...
22:21 | 14/07/2026

Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi tha të martën se Teherani “nuk ka detyrime” ndaj marrëveshjes 14-pikëshe me SHBA-në që u arrit muajin e kaluar. “Thelbi...
22:18 | 14/07/2026

Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734

Numri i të vdekurve nga tërmetet e njëpasnjëshme të muajit të kaluar në Venezuelë u rrit në 4,734, tha të martën Presidenti i Asamblesë Kombëtare...
21:44 | 14/07/2026