Udhëheqësit e Izraelit kanë pritje të mëdha nga mandati i dytë i Presidentit amerikan Donald Trump dhe analistët thonë se zyrtarët izraelitë shpresojnë se qasja e tij e pazakontë ndaj politikës së jashtme do t’u sjellë atyre rezultatet që dëshirojnë sa u përket përparësive të tyre kryesore në aspektin e sigurisë.
Burime bëjnë me dije se përpjekjet e Presidentit Trump për të siguruar një marrëveshje paqeje me Arabinë Saudite mund të shkaktojnë tensione me shtetin hebre.
Propozimi më i ri i Presidentit Trump për të menaxhuar konfliktin në Lindjen e Mesme duke dërguar palestinezë në Egjipt dhe Jordani është shembull tipik i asaj që shumë kush në Izrael e sheh si qasje e pazakontë ndaj politikës së jashtme, që mund të sjellë rezultate në favor të Izraelit, siç është qasja agresive ndaj Iranit, armikut kryesor të Izraelit.
Shumë izraelitë, sidomos përkrahësit e qeverisë së krahut të djathtë të Kryeministrit Benjamin Netanyahu, presin që Izraeli të përfitojë nga politika të tilla, siç ndodhi gjatë mandatit të parë presidencial të zotit Trump.
“Besoj që duke punuar bashkë sërish, do ta çojmë më tej aleancën ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Kam besim që do ta mposhtim boshtin e terrorit të Iranit dhe do të sjellim një epokë të re të paqes dhe përparimit në rajonin tonë”, deklaroi Netanyahu.
Disa analistë izraelitë thonë se me përkrahjen e Presidentit Trump, Izraeli mund të angazhohet për shkatërrimin e programit bërthamor të Iranit pas dobësimit të sistemeve mbrojtëse iraniane dhe grupeve militante të lidhura me të në Gazë dhe Liban nga sulmet izraelite.
LEXONI GJITHASHTU:
- Hamasi liron 4 ushtare izraelite, në shkëmbim të 200 të burgosurve palestinezë
- Izraeli: 90 të burgosur palestinezë janë liruar, vijon faza e armëpushimit në Gaza