DASH publikon profilin e kandidatit për ambasador të SHBA në Shqipëri

28 Prill 2026 | 08:36

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar raportin zyrtar për Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara, duke prezantuar profilin e kandidatit të nominuar për ambasador në Shqipëri, Eric Wendt.

Sipas dokumentit, Eric Wendt, gjeneral-lejtnant në pension, aktualisht ushtron detyrën e Profesorit të Praktikës në Shkollën Pasuniversitare Detare (Naval Postgraduate School), ku ligjëron mbi komandën dhe lidershipin. Në kulmin e karrierës së tij ushtarake, si gjeneral me tre yje, ai ka shërbyer në Evropë si komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s.

Në këtë rol, Wendt ka drejtuar të gjitha forcat e operacioneve speciale të alokuara në kuadër të NATO-s, përfshirë edhe njësitë shqiptare, duke bashkëpunuar drejtpërdrejt me drejtues të mbrojtjes dhe trupa në Shqipëri. Më herët, ai ka shërbyer për një vit në Afganistan si zëvendëskomandant rajonal, duke mbikëqyrur gjithashtu trupa shqiptare të dislokuara atje.

Gjatë mbi 34 viteve në shërbim aktiv, Wendt ka mbajtur një sërë pozicionesh të larta drejtuese, duke udhëhequr struktura të mëdha me mijëra personel ushtarak, civil dhe ndërinstitucional. Ai ka pasur gjithashtu një eksperiencë dyvjeçare në Departamentin Amerikan të Shtetit, si pjesë e Ambasadës së SHBA në Jerusalem, ku ka drejtuar një koalicion prej tetë vendesh në rolin e Koordinatorit të Sigurisë për SHBA-të mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit.

Në raport theksohet se përvoja e tij e gjerë në lidership, aftësia e provuar për të menaxhuar organizata komplekse shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe njohja e thelluar e rajonit evropian, e bëjnë atë një kandidat të kualifikuar për të përfaqësuar SHBA-të në Shqipëri.

Eric Wendt është diplomuar me një Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, si dhe ka përfunduar studimet Master në Shkollën Pasuniversitare Detare në Monterey, Kaliforni. Ai zotëron gjuhët arabe dhe koreane dhe është vlerësuar me një sërë dekoratash, përfshirë Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes, Medaljen e Shërbimit të Shquar, Medaljen “Bronze Star”, si dhe çmimin “Superior Honor” të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tërmeti me magnitudë 7.1 ballë godet ishullin Kyushu në Japoni, lëshohet paralajmërim për cunami

Një tërmet goditi ishullin japonez të Kyushu të martën në mëngjes, raportoi Reuters, duke cituar institutin NIED. Vlerësimet fillestare e vlerësuan tërmetin me magnitudë 7.1...
09:47 | 28/07/2026

SHBA rishikon praninë ushtarake në Evropë, Trump kërkon më shumë përgjegjësi nga NATO

Shtetet e Bashkuara kanë nisur një rishikim të pranisë së tyre ushtarake në Evropë, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka sulmuar vazhdimisht aleatët evropianë...
09:32 | 28/07/2026

Publikohen audiot konfidenciale, Joe Biden dëgjohet duke pranuar mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara

Regjistrimet audio që Joe Biden luftoi për vite me radhë që t’i mbante private, në të cilat ai pranon se zotëronte materiale të klasifikuara pasi...
09:27 | 28/07/2026