Kevin De Bruyne ka konfirmuar se do të largohet nga Manchester City këtë verë, duke i dhënë fund qëndrimit të tij dhjetëvjeçar në stadiumin “Etihad”.
Në vitin 2015, ai iu bashkua Manchester Cityt, dhe tani, pas një dekade të suksesshme dhe disa trofeve të fituara Kapiteni i Manchester Cityt ka postuar një shkrim në rrjetet sociale ku ka bërë të ditur se këto janë muajt e fundit të tij në klub.
“I dashur Manchester, duke e parë këtë ndoshta e kupton se ku po shkojmë. Kështu që do t’i drejtohem menjëherë dhe do t’ju bëj të ditur të gjithëve se këto do të jenë muajt e mi të fundit si lojtar i Manchester Cityt”.
“Nuk është e lehtë të shkruash, por si futbollistë, e dimë se kjo ditë do të vijë. Kjo ditë ka ardhur, dhe është mirë që ta zbuloni më parë. Ta pëlqesh apo jo, është koha për të thënë mirupafshim. Unë dhe familja ime jemi mirënjohës për gjithçka që ky vend ka ofruar për ne. Pasaporta e fëmijëve tanë do të jetë gjithmonë Manchester”, shkruan ndër të tjera mesfushori.
“Futbolli më çoi te të gjithë ju, dhe te ky qytet… Ky qytet. Ky klub. Këta njerëz… më dhanë gjithçka. Nuk kisha zgjidhje tjetër veçse t’i ktheja gjithçka! Dhe merrni me mend, ne fituam gjithçka”.
“Duam apo jo, është koha për të thënë lamtumirë”.
Gjatë 10 viteve të fundit, ai ka luajtur një rol kyç në dominimin e Manchester Cityt, duke fituar gjashtë tituj të Premier League, pesë Kupa Carabao, dy Kupa FA dhe, natyrisht, Champions League.
Në 413 paraqitje për Cityn në të gjitha garat, De Bruyne ka shënuar 106 gola dhe ka regjistruar 174 asistime.
Pasi ka konfirmuar se do të largohet nga City këtë verë, vëmendja tani kthehet në mundësitë e tij për të ardhmen.
“Mail Sport” raporton se një kalim fitimprurës në Arabinë Saudite ose SHBA është një mundësi shumë e mundshme për De Bruyne-n.
Bayern Munich është gjithashtu një opsion, ndërsa dyshja turke Galatasaray dhe Fenerbahce gjithashtu janë përmendur. Po ashtu, një rikthim në Gent mund të jetë një mundësi për të.
Por për momentin, De Bruyne ka ende shumë për të luajtur në javët e fundit me Cityn.
Skuadra e Pep Guardiola ka ende një luftë për të siguruar vendin në Champions League për sezonin e ardhshëm. Ata janë aktualisht në vendin e pestë në tabelë, me një pikë avantazh ndaj Newcastle, që ka një ndeshje më pak.
De Bruyne mund të përfundojë ende me trofe në sezonin e tij të fundit, pasi Manchester City do të përballet me Nottingham Forest në gjysmëfinalet e Kupës FA më vonë këtë muaj.
LEXONI GJITHASHTU:
- Real Madrid dominon Manchester Cityn, Guardiola dhe Juventus jashtë Champions League
- Champions League: Finale e parakohshme Real-Man City, në fushë dhe PSG e Juventus