Dita e 18-të e protestës, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë. ‘Flamingot’ marshojnë mes turmës
Edhe këtë të mërkurë vijon protesta e qytetarëve kundër ndërtimit në Zvërnec. Ndryshe nga 17 ditët e mëparshme të protestës, qytetarët nga kjo e mërkurë janë mbledhur në sheshin “Skëndërbej” në orën 19:00 për shkak të temperaturave të larta.
Grumbullimi ka filluar në orarin e ri ndërsa qytetarë marshuan drejt Kryeministrisë. Ata shihen me pankarta dhe flamuj në duar teksa kanë bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë.
Qytetarët ndër të tjera kanë bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ashtu si edhe në protestat e mëparshme shihen prindër me karroca me fëmijët e tyre të mitur. Protestë është zhvilluar edhe në qytetin e Elbasanit. Pas qëndrimit para Kryeministrisë, qytetarët pritet të nisin edhe marshimin nëpër rrugët e Tiranës e cila zgjat deri pranë mesnatës.
Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin drejt rrugëve të kryeqytetit
Protesta qytetare kundër qeverisë vijoi në ditën e saj të 18-të. Ashtu si në ditët e mëparshme, pjesëmarrësit u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë. Gjatë tubimit, në foltore morën fjalën dhjetëra qytetarë të moshave të ndryshme.
Protesta u mbyll para Kryeministrisë, ndërsa më pas vijoi marshimi drejt disa rrugëve kryesore të kryeqytetit.
“Ndaloni ekocidin”, dhitë bashkohen në marshim. Mënyra e veçantë e të moshuarit për të protestuar (VIDEO)
Një protestues ka zgjedhur një mënyrë ndryshe për të protestuar teksa ka marrë me vete dhitë. Ai shihet që ka krijuar një gardh rreth tyre dhe marshon me to mes protestuesve.
Protestuesit e tjerë e kanë ndihmuar të moshuarin duke mbajtur gardhin teksa vijojnë marshimin. Ata dëgjohen duke thënë se edhe dhitë janë më flamingot, simboli i kësaj proteste.
Në gardh gjithashtu shihen pankarta të ndryshme mes të cilave: Ndaloni ekocidin! Meeeheendoje dy herë.
Me pankarta dhe flamuj në duar, qytetarët e Elbasanit dalin në protestë
Një numër qytetarësh janë mbledhur këtë të mërkurë në qytetin e Elbasanit, për të vijuar atë që tashmë ka hyrë në ditën e 18-të të protestës qytetare në Shqipëri. Të rinj dhe fëmijë janë bashkuar me pankarta dhe flamuj në duar, ndërsa sipas traditës së këtyre ditëve, po mbajnë fjalime dhe po shpalosin kërkesat e tyre ndaj qeverisë.
Gjatë protestës, një nga qytetarët që mori fjalën u shpreh: Qyteti i Elbasanit, qyteti i normales dhe i universitetit, ka marrë fund. Ka marrë fund fatkeqësisht për shkak të politikave të këqija të kësaj qeverie dhe këtyre njerëzve, të cilat shkojnë në disfavor të së mirës publike.
Ndërkohë, protesta më e madhe po mbahet në Tiranë, aty ku edhe pjesëmarrja është më e madhe. Pas fjalimeve të tyre, qytetarët pritet të marshojnë në rrugët e kryeqytetit.
‘Flamingot’ marshojnë në rrugët e Tiranës
Pamje të veçanta janë parë këtë mërkurë gjatë marshimit të qytetarëve nga sheshi “Skëndërbej” drejt Kryeministrisë. Protestës i janë bashkuar edhe flamingot të cilat janë symbol i kësaj proteste prej 18-të ditësh.
Siç shihet edhe nga pamjet në marshim, qytetarët mbajnë në duar flamingo. Disa persona mbajnë në duar një flamingo të madh ndërsa pas tyre shihen dhjetëra flamingo të tjerë.
“Narta është e jona”, dëgjohen protestuesit duke brohoritur teksa i bien edhe daulleve.
Dita e 18-të e protestës, qytetarët mblidhen në sheshin “Skëndërbej”. Nis marshimi drejt Kryeministrisë
Ndryshe nga 17 ditët e mëparshme të protestës, qytetarët nga kjo e mëRkurë do të mblidhen në sheshin “Skëndërbej” në orën 19:00 për shkak të temperaturave të larta.
Grumbullimi ka filluar në orarin e ri ndërsa qytetarë të shumtë po marshojnë drejt Kryeministrisë për të zhvilluar protestën e 18-të kundër ndërtimit në Zvërnec.
Ata shihen me pankarta dhe flamuj në duar teksa kanë bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë. Ajo që vihet re ashtu si edhe në protestat e mëparshme shihen prindër me karroca me fëmijët e tyre të mitur.
Dokumenti final! Parlamenti Europian zbardh rezolutën e plotë për Shqipërinë, nga zonat e mbrojtura tek sundimi i ligjit
Parlamenti Evropian miratoi sot rezolutën për raportin e vitit 2025 mbi Shqipërinë, duke vendosur theksin te sfidat kritike që mund të pengojnë ambicien e vendit për anëtarësim deri në vitin 2027. Ndonëse rezoluta vëren hapjen e të gjitha kapitujve negociues, dokumenti vlerëson se qeveria shqiptare duhet të ketë vëmendje tw shtuar te zonat e mbrojtura dhe tek institucionet që lidhen me sundimin e ligjit.
Një pjesë e konsiderueshme e rezolutës i kushtohet ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura. Parlamenti shpreh “keqardhje të thellë” për zgjatjen e Ligjit për Investimet Strategjike, i cili redukton mbikëqyrjen mjedisore.
Dokumenti citon kritikën e Komisionit për një projekt zhvillimi luksoz në shkallë të gjerë (referuar ishullit të Sazanit) që kërcënon zona ku jetojnë specie të mbrojtura si flamingo, foka dhe breshka. PE rithekson se përputhja me rregullat mjedisore të BE-së është parakusht për anëtarësim.
Eurodeputetët shprehin “shqetësim serioz” për zhvillimet brenda zonës së mbrojtur Vjosa-Narta, duke i cilësuar ato si pasojë direkte të ndryshimeve ligjore.
Rezoluta bën thirrje për vendosjen e menjëhershme të një moratoriumi mbi të gjitha lejet e reja dhe punimet ndërtimore brenda zonave të mbrojtura derisa të shfuqizohen amendamentet e vitit 2024 të
Ligjit për Zonat e Mbrojtura. PE kërkon që çdo projekt t’i nënshtrohet vlerësimeve të plota të ndikimit në mjedis dhe konsultimeve transparente me shkencëtarët dhe shoqërinë civile.
Parlamenti vëren me shqetësim se Shqipëria ka rënë në vendin e 91-të në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, nga vendi i 80-të që mbante një vit më parë.
Ndonëse vlerësohet puna e SPAK, kërkohet që pavarësia e tij të mbrohet pa aplikuar kufizime në fuqitë e tij hetimore.
Rezoluta kërkon progres urgjent në regjistrimin fillestar të pronave dhe dëmshpërblimin e drejtë, duke kritikuar mungesën e transparencës në të dhënat kadastrale.
Dokumenti pasqyron shqetësimet e ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, duke përmendur:
Përdorimin e burimeve administrative dhe shkrirjen e kufijve mes shtetit dhe partisë.
Akuzat për blerje votash dhe presion mbi votuesit.
PE dënon ashpër retorikën “anti-media” dhe fushatat e shpifjeve nga zyrtarë të lartë ndaj gazetarëve që raportojnë mbi korrupsionin dhe sundimin e ligjit.
Shqipëria ka pësuar rënie në Indeksin Global të Hendekut Gjinor (nga vendi i 23-të në 36-tin).Ekonomia Informale: Rezoluta vëren se ekonomia e madhe informale po dëmton mjedisin e biznesit dhe konkurrencën.
Kërkohet mbrojtja e të drejtave të minoriteteve, përfshirë ato të komunitetit bullgar dhe grek, veçanërisht në lidhje me pronat dhe arsimimin në gjuhën amtare.
Rezoluta përfundon duke i kërkuar autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që progresi në integrimin në BE të mos bëhet duke sakrifikuar cilësinë dhe gjithëpërfshirjen e reformave.
PE miratoi rezolutën për Shqipërinë, ministri Hoxha: Riafirmohet mbështetja për rrugën drejt BE-së
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar këtë të mërkurë pas votimit të projekt-rezolutës për Shqipërinë në Parlamentin Europian.
Në rrjetin social X, Hoxha shprehet se me këtë votim Parlamenti Europian ka riafirmuar edhe një herë mbështetjen e tij për Shqipërinë për rrugën e anëtarësimit drejt BE dhe se ka njohur gjithashtu progresin që ka bërë vendi jonë.
“Pas miratimit të tij nga Komiteti #AFET në maj, Parlamenti Evropian @Europarl_EN miratoi sot raportin e progresit të anëtarësimit në BE për Shqipërinë me një shumicë dërrmuese.
Me 483 vota pro nga 656 anëtarë që votuan, që përfaqësojnë gati 74% mbështetje, Parlamenti ka riafirmuar edhe një herë mbështetjen e tij të fortë për rrugën e anëtarësimit të #Shqipërisë në BE dhe ka njohur progresin e konsiderueshëm që vendi ynë ka arritur në fushat kryesore të reformave. Ky është një tjetër votë e rëndësishme besimi në të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe në transformimin e nxitur nga vite reformash të vendosura dhe punë e palodhur. Mesazhi është i qartë: Udhëtimi evropian i Shqipërisë po përparon, përpjekjet tona për reforma po japin rezultate të prekshme dhe objektivi ynë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian është realist dhe i arritshëm. Falënderimet tona të sinqerta shkojnë për Parlamentin Evropian, për Raportuesin@SCHIEDER, dhe të gjithë atyre që vazhdojnë të mbështesin një proces zgjerimi të besueshëm, të drejtë dhe të bazuar në meritë. Sigurisht, ende ka shumë punë përpara. Pikërisht ky është qëllimi i negociatave të pranimit: të vazhdohet me zbatimin e reformave të nevojshme për të përmbushur standardet e anëtarësimit dhe për të siguruar transformim të qëndrueshëm. Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur vrullin aktual, për të përshpejtuar reformat, për të përfunduar negociatat e pranimit deri në vitin 2027 dhe për të arritur anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030”, ka shkruar Hoxha.
Protesta në Tiranë, raportuesi i PE: Jemi në dijeni, shqetësimet e qytetarëve janë serioze
Gjatë një konference në Parlamentin Evropian, gazetari shqiptar Julian Kasapi ngriti shqetësime lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri dhe nëse Parlamenti Europian apo Bashkimi Europian ishin në dijeni të kësaj situate, veçanërisht lidhur me Kapitullin 27 për natyrën.
Në përgjigje, raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, tha se këto çështje janë diskutuar edhe në seancat plenare dhe se BE është në dijeni të protestave dhe zhvillimeve në vend. Ai u shpreh se protestat pasqyrojnë shqetësime serioze sociale dhe ekonomike, përfshirë emigrimin e të rinjve, korrupsionin dhe mungesën e mundësive.
Schieder theksoi se Shqipëria ka një sistem politik dinamik dhe se protestat janë një formë e shprehjes demokratike. Ai shtoi se BE po mbështet reformat në drejtësi, përfshirë procesin e vettingut dhe rolin e SPAK-ut, si dhe po inkurajon përmirësime në shërbimet publike, ekonomi dhe standardet mjedisore në kuadër të procesit të integrimit europian.
Sipas tij, shqetësimet e qytetarëve duhet të merren seriozisht, ndërsa procesi i anëtarësimit në BE synon pikërisht përafrimin me standardet europiane që adresojnë këto probleme.
Raporti i PE, reagon Bardhi: Rama të dëgjojë zërin e eurodeputetëve
Bardhi në reagimin e tij theksoi se Parlamenti Evropian kërkoi të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura.
Ai ndër të tjera, shtoi se PE theksoi se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.
Sipas tij, Rama duhet të dëgjojë zërin e eurodeputetëve dhe të shfuqizojë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura.
“Moratorium për zonat e mbrojtura”! Çfarë u miratua në PE lidhur me amendamentet mbi Zvërnecin dhe Sazanin
Parlamenti Europian miratoi këtë të mërkurë raportin për Shqipërinë, duke mbështetur një amendament që shpreh shqetësime për ndikimin e ligjit të investimeve strategjike dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, por duke rrëzuar një version më të ashpër që përfshinte referenca të drejtpërdrejta për projektin turistik në Sazan dhe zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.
Amendamenti i miratuar nga eurodeputetët në amendamentin e miratuar, i cili u publikua dhe nga kryeminsitri Edi Rama në Facebook thuhet:
“46a. Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet në vazhdim brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zonat me vlerë të njohur ekologjike; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të pajisjes me leje, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me një kërkesë të kahershme të Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian, si dhe me objektivat përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të garantohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; thekson se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.”
Amendamenti i rrëzuar përveç kritikave ndaj ligjit të investimeve strategjike dhe ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, shprehte shqetësim edhe për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë e Jared Kushner, Affinity Partners, për zhvillimin e një projekti turistik luksoz në ishullin e Sazanit dhe në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.
Teksti i rrëzuar:
“Shpreh keqardhje të thellë për faktin se Ligji i vitit 2015 i Shqipërisë për Investimet Strategjike është zgjatur, duke pasur parasysh dispozitat e tij që mundësojnë procedura të përshpejtuara të lejeve dhe shqyrtim të reduktuar mjedisor, të cilat rrezikojnë të ndikojnë negativisht në zonat e mbrojtura dhe zona të tjera të ndjeshme mjedisore; bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetencat kryesore të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore; shpreh shqetësime, pra, në lidhje me marrëveshjen e qeverisë me kompaninë e Jared Kushner, Affinity Partners, për të zhvilluar një projekt turistik luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosës-Nartës; bën thirrje për mbështetje për hetimin antikorrupsion që aktualisht drejtohet nga SPAK në këtë kontekst; bën thirrje që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet kundër shtypjes nga kompanitë private të sigurisë, si gjatë përplasjeve që ndodhën në fund të majit 2026.”
Rama: Parlamenti Europian ndau “shapin” nga “sheqeri”, Zvërneci dhe Narta do të mbrohen! Zhvillimi sipas standardeve të BE
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar këtë të mërkurë në rrjetet sociale pas votimit të projekt-rezolutës për Shqipërinë në Parlamenti Europian.
Përmes një postimi, Rama komentoi debatin për zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë dhe projektin e zhvillimit në Zvërnec, duke theksuar se amendamenti i propozuar në rezolutë është rrëzuar nga shumica e eurodeputetëve.
Statusi i plotë i Ramës:
“Ja edhe PARLAMENTI EUROPIAN e ndau “shapin” e stuhisë digjitale të dizinformimit nga “sheqeri” i zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë.
Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove!
Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar.”
Në reagimin e tij, Rama garantoi se zona e Vjosë-Nartës dhe habitatet e flamingove do të mbrohen, ndërsa zhvillimi i Zvërnecit do të vijojë mbi bazën e një vlerësimi të ndikimit në mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian. Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria do të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimi Europian.
“Shqetësim polarizimi politik dhe diskursi konfrontues”, PE miraton rezolutën për Shqipërinë
Parlamenti Europian miratoi të mërkurën rezolutën për Shqipërinë. Në rezolutë vlerësohet angazhimi i Shqipërisë në integrimin në BE dhe ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e pranimit deri në fund të vitit 2027.
Në raport theksohet “shqetësimi për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin politik konfrontues, të cilat dëmtojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin publik dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratik”.
“1. Përshëndet angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë ndaj integrimit në BE, bazuar në konsensus midis të gjitha partive të saj politike dhe mbështetje dërrmuese midis qytetarëve të saj, dhe përgëzon faktin që Shqipëria hapi të gjitha grupet për negociatat e pranimit brenda vetëm 13 muajsh; vëren se mbështetja e qytetarëve shqiptarë për anëtarësim në BE mbetet vazhdimisht e lartë dhe pasqyron aspiratat e forta evropiane të shoqërisë shqiptare; inkurajon vendin të ruajë vrullin aktual të reformave dhe të vazhdojë përafrimin e saj me acquis të BE-së , duke theksuar se përparimi i Shqipërisë në rrugën e saj evropiane kontribuon në stabilitetin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e kontinentit evropian;
2. Merr parasysh ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e pranimit deri në fund të vitit 2027 dhe mirëpret progresin e shpejtë të bërë vitet e fundit në këtë drejtim; thekson nevojën që autoritetet shqiptare të sigurojnë zbatimin e plotë të legjislacionit;
3. Vëren se si raporti i Komisionit të vitit 2025 për Shqipërinë ashtu edhe raporti i ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të majit 2025 e vlerësojnë kornizën zgjedhore të Shqipërisë si përgjithësisht të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve konkurruese, ndërsa përsërit shqetësimet në lidhje me një fushë loje të pabarabartë për aktorët politikë, keqpërdorimin e burimeve administrative që zbeh kufijtë midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake, financimin e partive politike, akuzat për blerje votash dhe presionin mbi votuesit; prandaj, i bën thirrje shumicës politike të Shqipërisë dhe opozitës së saj që të ndjekin, në mënyrë konstruktive dhe gjithëpërfshirëse, një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, dhe të zbatojnë plotësisht rekomandimet e pazgjidhura të ODIHR-it dhe Komisionit të Venedikut shumë kohë përpara cikleve të ardhshme zgjedhore; thekson se një reformë e tillë duhet të forcojë kornizën zgjedhore, duke përfshirë transparencën e financimit të fushatave, aksesin e barabartë në media dhe mbrojtjet kundër keqpërdorimit të burimeve administrative, dhe të sigurojë që korniza të zbatohet në mënyrë efektive; nënvizon se konsensusi i gjerë politik dhe zbatimi i vërtetë i këtyre reformave janë thelbësore për të siguruar besimin e publikut në zgjedhjet e ardhshme;
4. Shpreh shqetësimin për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin politik konfrontues, të cilat dëmtojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin publik dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratike; inkurajon aktorët politikë të riangazhohen në dialogun konstruktiv parlamentar, duke siguruar që Parlamenti i Shqipërisë të mbetet forumi qendror për debat demokratik dhe mbikëqyrje demokratike; nënvizon se një demokraci funksionale kërkon pjesëmarrje kuptimplote të opozitës në procedurat parlamentare; kujton se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale;
5. Inkurajon një kontroll më të fortë parlamentar të ekzekutivit, transparencë të shtuar në procedurat legjislative dhe konsultime më kuptimplote, në një fazë të hershme, me organizatat e shoqërisë civile, partnerët socialë dhe institucionet e pavarura; thekson se progresi në procesin e integrimit në BE duhet të ndiqet pa bërë kompromis me cilësinë dhe përfshirjen e reformave; nënvizon rëndësinë e angazhimit adekuat të palëve të interesuara dhe pronësisë kombëtare në mënyrë që të sigurohet zbatim i qëndrueshëm dhe ndikim i qëndrueshëm; thekson rëndësinë e forcimit të rolit dhe kapaciteteve të komisioneve parlamentare të Shqipërisë, duke përfshirë edhe përmes aksesit të përmirësuar në informacion, mbështetjes së ekspertëve dhe procedurave transparente legjislative”, thuhet veç të tjerash në rezolutë.
Shoqatat në mbrojtje të mjedisit përshëndesin votimin në PE për zonat e mbrojtura në Shqipëri
Shoqatat të cilat mbrojnë mjedisin kanë përshëndetur miratimin e rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke e cilësuar votimin si një mbështetje të fortë për zonat e mbrojtura.
Në reagimin e tyre, shoqatat theksojnë se “eurodeputetët i kanë bërë thirrje Shqipërisë të shfuqizojë ndryshimet ligjore që lejojnë zhvillime brenda zonave të mbrojtura dhe të vendosë një moratorium deri në garantimin e përputhshmërisë së plotë me legjislacionin europian”.
Deklarata e plotë e shoqatave në mbrojtje të mjedisit:
Eurodeputetët votojnë për t’i bërë thirrje Shqipërisë që të shfuqizojë legjislacionin që lejon shkatërrimin e zonave të mbrojtura dhe të pezullojë të gjitha zhvillimet e reja brenda zonave të mbrojtura derisa kjo të përfundojë.
Sot, Parlamenti Europian miratoi rezolutën e tij mbi Raportin e Komisionit të vitit 2025 për Shqipërinë, duke shprehur shqetësime serioze në lidhje me zhvillimet e vazhdueshme brenda Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë dhe duke thënë se sundimi i ligjit dhe standardet mjedisore të BE-së janë kushte të panegociueshme për anëtarësim. Rezoluta kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 të Shqipërisë në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, legjislacion që ka mundësuar shkatërrimin e një prej vendeve natyrore më të jashtëzakonshme të Mesdheut dhe ka shkaktuar protestat më të mëdha në rrugë që Shqipëria ka parë në një brez.
Gjithashtu, ai bën thirrje për një “moratorium të menjëhershëm mbi procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar të Shqipërisë për Zonat e Mbrojtura dhe të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës”.
Më shumë se 100,000 shqiptarë kanë dalë në rrugë gjatë 18 ditëve të fundit në atë që është njohur globalisht si ‘Revolucioni i Flamingove’ – një kryengritje popullore kundër prerjes së paligjshme të pyjeve, dunave të lashta dhe habitateve të mbrojtura në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë.
Rezoluta e miratuar kërkon posaçërisht shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë infrastrukturën turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe heqin mekanizmat kryesorë të mbikëqyrjes mjedisore. Eurodeputetët shprehën gjithashtu shqetësim të thellë për Ligjin e Shqipërisë për Investimet Strategjike, procedurat e përshpejtuara të lejeve të të cilit rrezikojnë të anashkalojnë shqyrtimin mjedisor në zonat e ndjeshme.
Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin drejt rrugëve të kryeqytetit
“Ndaloni ekocidin”, dhitë bashkohen në marshim. Mënyra e veçantë e të moshuarit për të protestuar (VIDEO)
‘Flamingot’ marshojnë në rrugët e Tiranës (VIDEO)
- 21:27 Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin drejt rrugëve të kryeqytetit
- 21:14 Rrëzohet një avion privat në Teksas, një person humb jetën. Momenti kur shpëtohen 5 pasagjerët e tjerë (VIDEO)
- 20:46 BE hap kanale komunikimi me Kremlinin, zhvillim pozitiv për negociata mbi luftën në Ukrainë
- 20:37 Kinematografia shqiptare në zi, shuhet në moshën 79-vjeçare Gjergji Lala
- 20:35 “Ndaloni ekocidin”, dhitë bashkohen në marshim. Mënyra e veçantë e të moshuarit për të protestuar (VIDEO)
- 20:18 Mertens: Belgjika mund të fitojë, Napoli mbetet dashuria ime