Rëndësia e gjuhës në identitetin tonë, roli i saj përsa i përket zhvillimit të shoqërisë dhe rreziku me të cilën përballet, u trajtuan të premten nga gjuhëtarët me emër në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare.
Për gjuhëtarin Emil Lafe, problemet në fushën e gjuhës shqipe janë leksiku në përgjithësi dhe terminologjia në veçanti, ndërsa pati dhe kërkesa për këtë.
“Të krijojmë një komision të përbashkët për terminologjinë e lëndëve shkollore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”.
Anila Omari, teksa foli për autoktoninë e gjuhës shqipe, u ndal te faktorët që ndryshojnë një gjuhë dhe rrezikun që ajo të humbasë.
“Faktori i brendshëm i gjuhës është ekonomia gjuhësore. Faktorë të jashtëm, janë shumëgjuhësia”.
Sakaq Mimoza Gjokutaj, u ndal te ndikimi I teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në gjuhët amëtare.
“Globalizmi ka ndikuar shumë në ndërhyrjet në gjuhët e ndryshme. Kemi standardin gjuhësor, kemi edhe teknologjinë që po ndikon vrullshëm”.
Mes tjerash, Gjokutaj tha se një presion të madh, në shkolla apo në institucione ka mbi dialektet, çka pengon gjallërimin e gjuhës shqipe.
Ndërsa pedagogia Linda Mëniku, u ndal te ekzistenca e gjuhës shqipe në diasporë duke thënë:
“Folësit sot të gjuhës shqipe nuk janë vetëm folësit të cilët arsimohen në republikën e Shqipërisë, por janë folësit që e marrin gjuhën shqipe me vete në vendet ku emigrojnë, që mund të jenë të brezit të parë, të dytë apo të tretë të gjuhës shqipe. Kjo do të thotë se niveli i njohurive që kanë shtetasit shqiptar në vende të ndryshme të botës është i kufizuar”.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare këtë vit kremtohet në të gjithë botën si Jubile i Argjendtë, pasi mbushen 25 vite nga celebrimi i saj dhe në fokus janë përpjekjet për promovimin e diversitetit gjuhësor, mbrojtjen e gjuhëve të rrezikuara dhe inkurajimin e edukimit shumëgjuhësor.
LEXONI GJITHASHTU:
- “Fuqia e gjuhës”: 5 mënyra se si truri i poliglotëve funksionon ndryshe
- “Përkthimi është gjuha e Evropës”, përkthyesit: Të ruhet formaliteti i autorit