Dokument i deklasifikuar i CIA-s i vitit 1956: Sazani, pikë kyçe ushtarake për kontrollin e Adriatikut në vitet ’50
Një dokument i deklasifikuar i Central Intelligence Agency (CIA), i përgatitur në bashkëpunim me Photographic Intelligence Center të Marinës Amerikane, hedh dritë mbi rëndësinë strategjike që kishte Ishulli i Sazanit për strukturat ushtarake shqiptare në fundin e viteve ’50.
Raporti sekret, i titulluar “Sazan Island, Albania” dhe i datës korrik 1959, paraqet një analizë të detajuar të bazuar në zbulimin fotografik ajror. Në dokument, Sazani përshkruhet si një pikë kyçe ushtarake, e pozicionuar në hyrje të Gjirit të Vlorës, me rol të rëndësishëm në kontrollin e hyrjes në Detin Adriatik.
Sipas raportit, i gjithë ishulli ishte nën kontroll të plotë ushtarak, me prani të përhershme të njësive të ushtrisë dhe marinës shqiptare. CIA evidenton se mbrojtja e Sazanit përfshinte disa bateri artilerie bregdetare dhe kundërajrore të kalibrit 85-100 mm, të pajisura me sisteme drejtimi radarik.
Dokumenti përmend gjithashtu identifikimin e një pozicioni të mundshëm të radarit të paralajmërimit të hershëm të tipit “TOKEN”, i cili konsiderohej pjesë e infrastrukturës së mbrojtjes së ishullit.
Sipas analizës së inteligjencës amerikane, në të gjithë territorin e Sazanit ishin shpërndarë pozicione mitralozësh, bunkerë dhe ambiente magazinimi nëntokësore. Këto elemente, sipas autorëve të raportit, e shndërronin ishullin në një kompleks të fortifikuar me rëndësi të veçantë strategjike.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe Portit të Shën Kollit (San Nicolo Harbor), në anën lindore të ishullit. CIA raportonte se aty funksiononte një bazë e vogël detare, ku ishin dislokuar mjete patrulluese të klasit “Kronshtadt” dhe disa silurues të vegjël.
Raporti përmend gjithashtu ekzistencën e një strukture rreth 220 këmbë të gjatë, e cila mendohej se përdorej për riparime nënujore të mjeteve patrulluese.
Megjithatë, dokumenti rrëzon disa nga dyshimet e kohës. Sipas inteligjencës amerikane, nuk kishte prova fotografike që të konfirmonin ekzistencën e një baze nëndetësesh apo të një depoje nëntokësore karburantesh në Sazan.
Po ashtu, raporti nënvizon se nuk ishte konstatuar asnjë ndërtim i madh apo ndryshim i rëndësishëm në infrastrukturën ushtarake të ishullit, krahasuar me vëzhgimet e mëparshme.
Dokumenti shoqërohet me harta, skica dhe fotografi ajrore, ku identifikohen objektet kryesore ushtarake të ishullit. Ai dëshmon interesin e lartë të shërbimeve amerikane të inteligjencës për monitorimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë, periudhë në të cilën Sazani konsiderohej një pikë me rëndësi të veçantë strategjike për kontrollin e Adriatikut.
Udhëheqësi i ri suprem i Iranit betohet për hakmarrje: Do të paguajnë për gjakun e babait tim
Mbi 1 mijë banorë pa ujë të pijshëm në Mokër, situatë problematike në 8 fshatra të Pogradecit
Pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të deputetëve, Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e çmimeve të shportës
- 22:02 Aliaj nga “Review”: Ka turistë që vinë me bukë me vete si në kohën e Enverit kur iknim për punë
- 21:34 Nuk mjafton lufta në Iran: “Super El Niño” mund të shkaktojë rritje të çmimeve të ushqimeve deri në vitin 2028
- 20:57 Studiuesi Tare: Rama ka bërë për Kurveleshin atë që asnjë qeveri s’e bëri në 100 vjet! Duhet të punohet për turizmin kapilar
- 20:46 Nga Trump, tek Meloni: Në Iran publikohet “lista e hakmarrjes”
- 20:23 21-vjeçari shqiptar në Itali akuzohet për abuzim ndaj turistes gjermane: Më dehu dhe përfitoi
- 20:10 Vijon dita e 43 e protestës qytetare në Tiranë