Partia Socialiste ka hapur këtë të shtunë fushatën zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit në Sheshin Skënderbej. Gjatë fjalimit përballë simpatizantëve, drejtuesit politikë të qarqeve shpalosën objektivat e tyre për numrin e mandateve që synojnë të fitojnë në këto zgjedhje.
Drejtuesja politike e Fierit, Belinda Balluku, deklaroi se objekti i partisë është të sigurojë 10 mandate për këtë qark. Ajo theksoi: “Fieri ka një objektiv: 10 mandate deputetësh për t’i ulur në Parlamentin Shqiptar. Ndërkohë, priten 11 mandate nga ne. Nëse jemi të gjithë bashkë për Shqipërinë, me Ramën në krye, nuk ka asgjë që na ndal.”
Ndërsa drejtuesja e Durrësit, Emirjana Sako, shprehu besimin se PS do të përfundojë garën me të paktën 9 mandate, duke theksuar mbështetjen e madhe nga emigrantët dhe qytetarët e Durrësit dhe Shijakut. Ajo tha: “Hyjmë në këtë garë si fitues me 8 deputetë, do ta përfundojmë garën të paktën me 9 deputetë. Do bëjmë çmos që vota e 11 majit të bashkojë të rinj e të moshuar tek numri 5 i fletës së votimit.”
Drejtuesi politik i qarkut të Lezhës, Ulsi Manja, shpalosi qëllimin e PS për të marrë të paktën 4 mandate. “Shqipëria ka qenë prej moti në Europë, por me Ramën dhe PS më 11 maj ne do ta sjellim Europën në këtë shesh për të folur shqip edhe ne njëlloj si gjithë të tjerët në familjen europiane. Votojmë PS për të marrë jo më pak se 4 mandate nga 7 që ka qarku i Lezhës,” tha Manja.
Benet Beci, drejtues i Shkodrës, shprehu besimin se PS do të fitojë më shumë se 5 mandate në këtë qark, duke theksuar rëndësinë strategjike të Shkodrës për Shqipërinë.
“Shkodra është porta e Europës në Shqipëri. Besimin që na dha Shkodra. Së paku me 5 mandate do të jemi për këtë fitore,” shtoi Beci.
Drejtuesja politike e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, sfidoi kundërshtarët dhe vuri në dukje synimin e PS për një rezultat historik 4-0.
“Kjo pikë e floririt që është Gjirokastra ka ngjyrosur edhe yjet, jemi ndër 12 yjet e Evropës që pa asnjë dilemë do të marrë më shumë vota për PS se në 2021, se në 2023, do blindojmë 3 mandate dhe synojmë mandatin e 4, për një rezultat historik 4 me zero,” tha ajo.
Ndërkohë, drejtuesi i qarkut të Vlorës, Bledi Çuçi, nënvizoi se PS synon të marrë mandatin e 9-të në këtë qark, duke theksuar rritjen e mbështetjes nga zgjedhjet e 2021-ës.
Në fund, drejtuesi i qarkut të Korçës, Niko Peleshi, deklaroi se Partia Socialiste synon të marrë 7 mandate në këtë qark.
LEXONI GJITHASHTU:
- Rama në hapjen e fushatës: Kush e do Shqipërinë anëtare në BE, voton PS-në
- VIDEO-LIVE| Me valle popullore, PS hap fushatën elektorale në Sheshin Skënderbej