Partia Socialiste ka çelur këtë të shtunë fushatën zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit në Sheshin Skënderbej.
Fushata u hap me ekipin e Partisë Socialiste të Dibrës, të cilët hynë në skenën e improvizuar në qendër të sheshit me valle popullore të veriut që drejtohej nga drejtuesi politik Blendi Klosi.
Më pas, shfaqjen e mori ekipi i Fierit me drejtuesen politike Belinda Balluku, të cilët performuan me këngën e grupit Free MC, “Vish fustanin me toka”.
Pas Fierit ishte radha e ekipit të Kukësit, të cilët performuan me një valle tradicionale të zonës.
Më pas në skenë parakaloi ekipi i Durrësit me këngën “Sara perche ti amo”. Pas tyre ishte radha e ekipit të Lezhës me një këngë tradicionale të zonës me lahutë.
Krahas performacave pati dhe fjalime nga drejtuesit politik të qarqeve respektive.
Ekipi i Elbasanit, performoi me këngën e fushatës elektorale të vitit 2023, “Ecim përpara”, ndërsa pas tij ekipi i Shkodrës me një këngë tradicionale.
Hapja e fushatës vijoi me performancën e Tiranës, e më pas të qarqeve të tjera, të cilat sollën motive tradicionale nga zonat e tyre.
Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali dy bashkëdrejtueset e PS-së për Qarkun e Tiranës mbajtën fjalimet e rastit në hapjen e fushatës në Sheshin Skënderbej.
“Këto 30 ditë që kemi përpara janë vendimtare për të vulosur një vendim që ka nisur prej kohësh që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Tirana është shembëlltyra e këtij transformimi, falë vizionit të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Kudo ndjehet ndryshimi dhe Tirana është motori i zhvillimit të një Shqipërie që punon dhe nuk ndalet”, tha Ogerta Manastirliu.
Nga Tirana do të nisë fitorja e Partisë Socialiste. Betejat nuk fitohen me sprintin e fundit, por me maratonë. Në këto tre mandate, Edi Rama dhe kjo skuadër kanë treguar se janë maratonomakë për Shqipërinë. Kjo është beteja mes Shqipërisë që ecën drejt Evropës dhe Shqipërisë që dikur ishte në gropën nga e cila nuk dolën dot as vetë ata që e krijuan. Ky është një mision historik: të bëhemi të gjithë bashkë për të realizuar ëndrrën e paraardhësve tanë”, tha Spiropali.
Në qendër të sheshit janë vendosur 12 yje të rregulluara në formë rrethore, të cilat simbolizojnë 12 yjet e flamurit të Bashkimit Europian.
Çdo yll ka një kuptim të veçantë dhe do të shërbejë si pikë përfaqësimi për çdo qark, ku do të qëndrojnë aty pranë drejtuesit politikë dhe kandidatët për deputetë. Po ashtu, një tjetër yll është vendosur në qendër, ku do të mbajë fjalimin e tij Kryeministri Edi Rama.
Përreth yjeve, janë vendosur 5,000 karrige për simpatizantët e Partisë Socialiste, të cilët mbajnë në dorë flamuj kombëtar dhe ata të BE-së.
Pas fjalimeve të drejtuesve politikë të qarqeve dhe performancës artistike që do të pasqyrojnë traditat dhe simbolikat e secilit qark të Shqipërisë, fjalën pritet ta marrë Kryeministri Rama.
Gazetarja e Euronews Albania, Enkelejda Mema, raportoi nga Sheshi Skënderbej, duke thënë: “Sheshi është mbushur nga të katër anët me qytetarë që kanë ardhur për të dëgjuar fjalimin e Kryeministrit Edi Rama. Në shesh janë vendosur gjithsej 12 yje, të cilat simbolizojnë flamujt e Bashkimit Evropian. Çdo yll do të shërbejë për të përfaqësuar qarqet dhe kandidatët e tyre për deputetë”.
LEXONI GJITHASHTU:
- Rama: Në vitin 2030 Shqipëria do të ketë një kryeministre grua
- Rama hap fushatën: Do ta bëjmë 50 mijë numrin e grave dhe vajzave në PS
“njerez” me te meta mendore