E ngarkuara e SHBA në Tiranë: Pa ndarje pushtetesh, nuk ka demokraci të qëndrueshme

18 Shtator 2025 | 14:25

Në kuadër të përkujtimit të Ditës së Kushtetutës, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, mbajti një fjalim ku theksoi rëndësinë e Kushtetutës si themeli i demokracisë dhe drejtësisë.

VanHorn u shpreh se Kushtetuta nuk është thjesht një dokument ligjor, por përfaqëson një premtim të gjallë për mbrojtjen e të drejtave individuale, ndarjen e pushteteve, lirinë e shprehjes dhe sundimin e ligjit parime që, sipas saj, janë thelbësore për një demokraci funksionale dhe të qëndrueshme.

Gjatë fjalës së saj, diplomatja amerikane vlerësoi rolin e gjyqtarëve, prokurorëve, shoqërisë civile dhe medias së lirë si mbrojtës të të drejtave të çdo qytetari shqiptar, duke i ftuar të angazhohen për më shumë drejtësi, transparencë dhe llogaridhënie.

“Ju keni fuqinë të siguroni që drejtësia të mos jetë thjesht një fjalë, por një realitet për të gjithë shqiptarët,” tha VanHorn, duke shtuar se mbrojtja e këtyre parimeve kërkon guxim për të marrë vendime të vështira dhe për të qëndruar të palëkundur përballë korrupsionit dhe trysnive.

Sipas saj, një kushtetutë është më shumë se një akt juridik; është një premtim për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe më të mirë. VanHorn përmbylli fjalimin duke falënderuar të gjithë ata që punojnë çdo ditë për të forcuar themelet e demokracisë dhe për të mbajtur gjallë idealet që qëndrojnë në themel të saj.

Fjalimi i të Ngarkuarës me Punë VanHorn në pritjen me rastin e Ditës së Kushtetutës

Të nderuar të ftuar, është një privilegj të qëndroj para jush sot ndërsa përkujtojmë Ditën e Kushtetutës – një ditë që na kujton fuqinë e qëndrueshme të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, e cila mbron të drejtat e individëve dhe udhëheq kombin tonë drejt drejtësisë dhe begatisë.

Kushtetutat ndërtohen mbi parime thelbësore për një demokraci funksionale: mbrojtja e të drejtave individuale, ndarja e pushteteve, liria e fjalës dhe sundimi i ligjit.

Këto parime nuk janë thjesht ideale abstrakte; ato janë themeli i besimit midis qeverive dhe popujve të tyre. Ato sigurojnë që drejtësia të zbatohet në mënyrë të drejtë, që pushteti të jetë i balancuar dhe të drejtat e çdo individi të respektohen.

Gjyqtarët, prokurorët, anëtarët e shoqërisë civile dhe një shtyp i lirë janë rojtarët e të drejtave të çdo qytetari shqiptar. Ju keni fuqinë të siguroni që drejtësia të mos jetë thjesht një fjalë, por një realitet për të gjithë shqiptarët. Keni përgjegjësinë të mbroni drejtësinë, transparencën dhe llogaridhënien. Dhe keni mundësinë të forconi besimin midis njerëzve dhe institucioneve që i shërbejnë atyre.

Kjo punë kërkon guxim guximin për të marrë vendime të vështira, për të rezistuar ndaj korrupsionit dhe për të qëndruar të palëkundur përballë trysnisë. Ndërsa vazhdoni punën tuaj jetike, mos harroni se një kushtetutë është më shumë se një dokument ligjor. Është një premtim i gjallë për të mbrojtur të drejtat, për të mbështetur drejtësinë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Në këtë Ditë të Kushtetutës, ne nderojmë guximin e atyre që erdhën para nesh duke u angazhuar për këto parime.

Faleminderit për përkushtimin tuaj ndaj këtij misioni dhe shpresojmë që të gjithë të gjejmë guximin për të mbështetur idealet që e bëjnë të mundur demokracinë.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Karamuço komenton protestën te Parlamenti: Nuk duhet kaluar kufiri drejt destabilizimit të vendit

Ervin Karamuço ka komentuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin” protestën e zhvilluar para Kuvendit këtë të martë, duke analizuar sjelljen e protestuesve dhe reagimin...
22:24 | 30/06/2026

Stuhi e fortë në Vranisht, Lumi i Vlorës përfshihet nga reshje intensive dhe erë e fuqishme (VIDEO)

Një stuhi e fortë ka përfshirë pasditen e së shtunës zonën e Lumit të Vlorës, konkretisht fshatin Vranisht, duke sjellë reshje intensive shiu dhe erë...
20:39 | 30/06/2026

Temperaturat e larta në Elbasan, mjekja: Fëmijët, të moshuarit dhe punëtorët më të rrezikuarit nga i nxehti

Temperaturat e larta që kanë përfshirë Elbasanin po sjellin një rritje të rasteve që kërkojnë ndihmë mjekësore, veçanërisht mes grupeve më të rrezikuara. Vetëm gjatë...
20:31 | 30/06/2026