Ekskluzive/ Deputeti ukrainas: Nuk do të bëhemi kurban të marrëveshjeve të fshehta

15 Shkurt 2025 | 19:10

Duke folur ekskluzivisht për Euronews Albania, në emisionin Balkan Talks, deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko komentoi telefonatën mes Vladimir Putin dhe Donald Trump lidhur me bisedimet për paqen mbi luftën Rusi-Ukrainë.

Ai theksoi se Ukraina nuk mund të bëhet “kurban” i negociatave të fuqive të mëdha dhe paralajmëroi për mungesën e interesit të administratës së re amerikane ndaj Evropës.

Megjithatë Goncharenko shprehu bindjen se pavarësisht të gjithave dhe si do të shkojnë situatat në vazhdim sipas tij Rusia herët a vonë do të “shembet”.

“Nuk ishin marinsat amerikanë ata që u përballën me Rusinë tre vjet më parë. Nuk ishin ata që erdhën këtu, por ukrainasit. Askush nuk do të vendosë në emrin tonë. Ne jemi ukrainas dhe e kuptojmë që nuk mund të varemi tërësisht nga negociatat. Nga ana tjetër, nuk mund të jemi dash për kurban në marrëveshjet e dikujt tjetër,” deklaroi ai.

Goncharenko theksoi gjithashtu që Putin nuk dëshiron që lufta të ndalet dhe vazhdon të jetë i bindur se Ukraina nuk ka forcë rezistence.

“Nuk mund të shpjegoj dot asgjë për Putin, por ai dëshiron që lufta të vazhdojë. Ai nuk beson te rezistenca e Ukrainës dhe mendon se ekziston dikush i madh në botë që mund të vendosë për gjithçka. Pyetja që shtrohet është: A mund të jetojmë ne në një botë të tillë?”

Lidhur me politikën e jashtme të administratës së re amerikane, ai shprehu shqetësim mbi qasjen ndaj Evropës:

“Ndjenjat janë të përziera. Është e vështirë të thuhet se çfarë synon administrata e re amerikane, por duket se nuk është shumë e interesuar për Evropën. Kjo përmban një kërcënim, një sfidë dhe një problem. Ukraina ka rëndësinë e saj, dhe ne kemi nevojë për SHBA-të, ashtu siç edhe SHBA ka nevojë për Evropën nëse dëshiron të mbetet në krye të politikës botërore.”

Sa i përket territoreve të pushtuara nga Rusia, deputeti ukrainas beson se ato nuk do të jenë kurrë pjesë e Rusisë në sytë e popullsisë vendase.

“Territoret e pushtuara do të vazhdojnë të mbeten nën kontrollin rus, por popullsia nuk do ta pranojë kurrë që të jetë ruse. Herë a vonë, perandoria ruse do të shembet, siç ka ndodhur 100 vjet më parë dhe 30 vjet më parë me Bashkimin Sovjetik.”

Për sa i përket rëndësisë së NATO-s, Goncharenko vuri theksin tek nevoja për një ushtri të bashkuar evropiane dhe fuqizimin e mbrojtjes së Ukrainës.

“Evropa nuk mund të bëhet lojtar i fortë pa një ushtri të fuqishme. Ushtritë e ndara nuk mund të krahasohen me ato amerikane, ruse apo kineze. Por nëse Evropa do, mund të krijojë ushtrinë më të fuqishme në botë, duke bashkuar teknologjinë me kurajon e ushtarëve ukrainas.”

Ai gjithashtu komentoi mbi mundësinë e anëtaresimit të Ukrainës në NATO, duke theksuar:

“Ka zërë që tregojnë se aktualisht SHBA nuk e dëshiron Ukrainën në NATO. Por unë besoj se anëtaresimi i Ukrainës do të ishte një hap pozitiv. Po të isha një nga liderët e NATO-s, do të dëshiroja shumë që forcat e armatosura të Ukrainës të ishin pjesë e aleancës dhe jo jashtë saj.”

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Urrejtje patologjike ndaj Kosovës”, Andoni: Ministrja serbe pati kurajë dhe e tha, Daçiç e thelloi

Analisti Ben Andoni, i ftuar këtë të shtunë në Balkan Talks me Franko Egro në Euronews, ka folur lidhur me deklaratat e ministres serbe për...
19:25 | 18/07/2026

“Ministrja serbe nuk bëri gafë politike”, Ramabaja: Shqetësuese është reagimi i Shqipërisë

Në një lidhje live nga Prishtina për Euronews Albania me Franko Egro në Balkan Talks, studiuesi i gjeopolitikës, dr. Sadri Rambaja, u shpreh se deklarata...
18:47 | 18/07/2026

Pse Evropa i tha jo Serbisë? Bytyçi jep arsyet e refuzimit për anëtarësim në BE

Profesori Enver Bytyçi i ftuar këtë të shtunë në emisionin ‘Balkan Talks’ me Franko Egron në Euronews Albania ka folur lidhur me refuzimin e 8...
19:12 | 11/07/2026