Ekskluzive, flet gazetari italian: Si më shkarkuan nga puna pas pyetjes për Izraelin

12 Nëntor 2025 | 16:49

Euronews Albania zhvilloi një bisedë ekskluzive me gazetarin e Agjencisë Italiane të Lajmeve “Nova”, Gabriele Nunziati, i cili u shkarkua nga puna pas një pyetjeje që drejtoi në Komisionin Evropian ndaj zëdhënëses Paula Pinho.

Ai shpjegoi se pyetja e tij kishte bazë të qartë faktike dhe lidhej me deklaratat e përsëritura të BE-së në ato javë se Rusia duhet të paguajë për rindërtimin e Ukrainës.

“Unë pyeta nëse e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me Izraelin dhe Gazën, pasi ka raporte ndërkombëtare që tregojnë se Izraeli ka bombarduar qëllimisht infrastrukturë civile në Gaza. Pyetja ime lindi mbi bazë faktesh,” – shtoi ai.

Gazetari tregoi se pas pyetjes mori shumë komplimente nga kolegët në të gjithë botën, ndërsa ajo u bë virale në rrjetet sociale. Megjithatë, pak orë më pas, ai u njoftua nga agjencia e tij për ndërprerjen e bashkëpunimit.

“Pas pyetjes mora komplimente nga shumë kolegë nga e gjithë bota dhe më erdhi mirë, pasi kisha vetëm dy muaj në Bruksel. Pyetja u bë virale në rrjetet sociale dhe, kur u pa nga agjencia ime, më komunikuan faktin se nuk u kishte pëlqyer. Më pas, përmes një telefonate, më njoftuan se drejtuesit e agjencisë nuk e kishin mirëpritur pyetjen dhe më informuan për ndërprerjen e bashkëpunimit,” – tha Nunziati.

Sipas gazetarit, pas kësaj, shumë organizata të shtypit italiane dhe ndërkombëtare kanë dalë në mbështetje të tij, duke e konsideruar pyetjen legjitime dhe vendimin e agjencisë të pajustifikuar.

“Në mbështetje time kanë dalë të gjitha agjencitë dhe shoqatat e shtypit italiane e ndërkombëtare. Agjencia ime deklaroi se pyetja ime ishte ‘teknikisht e pasaktë’. Por edhe nëse nuk do të kishte qenë pyetje e përsosur, nuk mund të ndërpritet një marrëdhënie pune për shkak të një pyetjeje. Të gjithë gazetarët kanë bërë pyetje të forta gjatë karrierës së tyre, dhe unë e përsëris se pyetja ime ishte legjitime. Këtë e tregon mbështetja nga kolegët që më kanë shkruar dhe më kanë telefonuar, duke më thënë se ishte pyetja më logjike për t’u bërë në atë moment,” – theksoi Nunziati.

Gazetari tregon se njoftimi për pushimin nga puna i është bërë përmes një telefonate, ku i është thënë se drejtuesve të agjencisë nuk u kishte pëlqyer pyetja e tij. Ai shton se Komisioni Evropian nuk ka bërë asnjë reagim lidhur me këtë rast, pavarësisht se shpesh deklaron publikisht rëndësinë e lirisë së shtypit.

“Do të doja që ata të mbanin një qëndrim për lirinë e shtypit, pasi shpesh e përmendin sa e rëndësishme është ajo për punën e gazetarëve. Por ata nuk shprehën asnjë dënim dhe nuk reaguan fare,” – tha Nunziati.

I pyetur nga moderatorja Ujeza Doshlani nëse do ta ribënte sërish të njëjtën pyetje, nëse do ta dinte që do të shkarkohej nga puna, gazetari u përgjigj pa hezitim:

“Pa dyshim. Ishte pyetja e duhur dhe ishte e drejtë që unë ta bëja,” – deklaroi ai.

Pyetja e gazetarit, e cila shkaktoi debat, iu drejtua zëdhënëses së Komisionit Evropian dhe kishte këtë përmbajtje:

“Ju keni deklaruar se Rusia duhet të paguajë për rindërtimin e Ukrainës. A mendoni se Izraeli duhet të paguajë për rindërtimin e Gazës, pasi ka shkatërruar të gjithë Rripin e Gazës dhe infrastrukturën civile?”

Zëdhënësja Paula Pinho u përgjigj shkurt:

“Faleminderit, Gabriel, është një pyetje shumë interesante, për të cilën nuk kam asnjë koment në këtë fazë.”

Pas kësaj, Agjencia Italiane “Nova” vendosi ta pushojë nga puna gazetarin Gabriele Nunziati, me arsyetimin se “pyetja ishte teknikisht e pasaktë”.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Marrëveshja me SHBA-në, presidenti iranian njofton zhbllokimin e 6 miliardë dollarëve të bllokuar në Katar

Presidenti iranian Masoud Pesekian njoftoi të hënën, se, pas heqjes së sanksioneve mbi naftën dhe petrokimikatet si pjesë e një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara,...
13:10 | 29/06/2026

U raportua se SHBA dhe Irani do të zhvillojnë bisedime të martën, zyrtari iranian: Nuk ka plan për negociata këtë javë

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, tha se aktualisht nuk ka ndërmend të zhvillojë takime me zyrtarë amerikanë nga “ekipet teknike” në Katar këtë...
12:38 | 29/06/2026

Uji përmbyt rrugën në Virxhinia, momenti kur polici shpëton gruan e bllokuar në një gropë 2.5 metra të thellë

Një oficer policie i Virxhinias dhe një grup të huajsh ndihmuan në shpëtimin e një gruaje të bllokuar në makinën e saj në një gropë...
11:37 | 29/06/2026