Flasin të rinjtë nga Tirana që krijuan shkopin inteligjent për të verbërit: Sensorët paralajmërojnë pengesat

13 Mars 2026 | 18:54

Tre nxënës të gjimnazit “Ibrahim Hasmema” në Mullet, Laura Memoçi, Ledjan Bitri dhe Luis Salla, kanë krijuar një shkop inteligjent që mund t’i lehtësojë jetën personave me probleme të shikimit. Falë sensorëve ultrasonikë dhe paralajmërimeve zanore, përdoruesi mund të ecë me më shumë siguri.

Ideja për këtë shkop inteligjent lindi pasi nxënësit vëzhguan një rast në komunitetin e tyre ku një person me probleme me shikimin që ata e njihnin përdorte një shkop tradicional, por shpesh nuk mund të dallonte pengesat që i dilnin përpara. Kjo i motivoi ata të krijonin një pajisje që do t’i ndihmonte personat me shikim të kufizuar.

“Ne jemi një grup prej tre personash dhe së bashku kemi krijuar një shkop për personat me probleme të shikimit. Ai detekton pengesat përmes sensorëve ultrasonikë dhe dërgon sinjale zanore përmes lidhjes Bluetooth, në mënyrë që përdoruesi të marrë informacion të qartë dhe të saktë,” shpjegojnë nxënësit. “Në të ardhmen, planifikojmë të shtojmë edhe një sistem GPS dhe paralajmërime zanore që thonë ‘kujdes’ kur sensorët zbulojnë një pengesë, për ta bërë navigimin më të sigurt”, thonë ata.

Shoku i tyre e ka testuar shkopin dhe ka dhënë disa sugjerime, si shtimi i shiritave fosforeshentë për t’u dukur më mirë gjatë kalimit të rrugës. Ai është ndjerë shumë i kënaqur dhe i befasuar nga iniciativa, pasi një pajisje e tillë nuk ekziston ende në Shqipëri. Ky projekt e ka bërë grupin e nxënësve të parë që realizon një pajisje të tillë teknologjike për personat me probleme të shikimit.

Në bashkëpunim me Institutin e të Verbërve dhe kompani të ndryshme, nxënësit shpresojnë që projekti të zhvillohet më tej dhe pajisjet të prodhohen në masë për treg. Projekti ka marrë gjithashtu mbështetje nga Ministria e Arsimit.

“Ky projekt ka një kosto të konsiderueshme, por si nxënës maturantë të gjimnazit ‘Ibrahim Hasmema’, kemi punuar me përkushtim për ta realizuar. Dëshirojmë të falënderojmë drejtorin e shkollës dhe profesor Shkëlqim Dedja, i cili na ka mbështetur gjatë gjithë procesit. Ky projekt është financuar nga nxënësit dhe mësuesit e shkollës,” thonë ata.

Përveç shkopit, grupi po punon edhe në një pajisje tjetër inovative: një kapele inteligjente që do të ndihmojë përdoruesit të identifikojnë pengesat edhe në lartësi, duke zgjidhur kështu një problem tjetër të rëndësishëm për personat me shikim të kufizuar.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gazetarja: Rama përballë “fëmijëve politikë” të tij, kërkojnë zgjidhje për problemet e krijuara nën qeverisjen e tij

Duke folur për protestat e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë, gazetarja Mirela Milori u shpreh se problematikat e ngritura në shesh po përpiqen të zbehen...
22:28 | 25/06/2026

Aktivisti Goci: Një agjent nuk del me fytyrë të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit

“Një agjent nuk del me fytyrë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, por vepron në mënyrë të fshehtë.” Kështu u shpreh aktivisti Ervin Goci në...
21:57 | 25/06/2026

“Rama jepe dorëheqjen”, protestuesit marshojnë dhe ndalen para Parlamentit në Tiranë

Pas rreth dy orësh fjalimesh në ditën e 26-të të protestës, aktivistët dhe qytetarët e mbledhur para Kryeministrisë kanë nisur marshimin nëpër kryeqytet, duke thirrur...
21:36 | 25/06/2026