Një asistent mësuese 31-vjeçare ka ndërruar jetë pasi u godit me thikë nga një nxënës pranë një shkolle në qytetin Nogent, në verilindje të Francës, sipas autoriteteve lokale.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së martës përpara shkollës së mesme Françoise Dolto, në momentin kur policia po kontrollonte çantat e nxënësve.
Sipas prefekturës së Haute-Marne, autori i dyshuar, një nxënës 14-vjeçar, është arrestuar.
Presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi viktimën si një “viktimë e një vale dhune të pakuptimtë”, ndërsa deklaroi se “kombit i ka rënë zia”. Të gjitha partitë politike në Francë e dënuan ashpër sulmin dhe kërkuan masa më të forta kundër dhunës me thika.
Sipas raportimeve të mediave franceze, autori nuk ishte i njohur më parë për policinë dhe motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.
Kryeministri François Bayrou dhe ministrja e Arsimit, Élisabeth Borne, konfirmuan se sulmuesi ishte një nxënës i shkollës. Ministrja Borne njoftoi se do të vizitojë shkollën në Nogent dhe përgëzoi punonjësit e shkollës për qetësinë dhe përkushtimin në ndalimin e sulmuesit.
Bayrou shkroi në rrjetet sociale se “mendimet tona janë me djalin e vogël të viktimës, me familjen, të afërmit dhe gjithë komunitetin arsimor”. Ai theksoi se “kërcënimi nga armët e ftohta mes fëmijëve tanë është bërë kritik” dhe shtoi se është detyrë e institucioneve që ta shpallin këtë dukuri një “armik publik”.
Ndërkohë, opozita akuzoi qeverinë për mungesë reagimi. Udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, kritikoi “normalizimin e dhunës ekstreme” dhe akuzoi autoritetet për “apatinë” ndaj kësaj dukurie. “Nuk kalon asnjë javë pa një tragjedi në një shkollë,” shkroi ajo.
Jordan Bardella, presidenti i partisë Rassemblement National, kritikoi presidentin Macron për “mohimin” e realitetit të dhunës, duke iu referuar komenteve të fundit të tij në lidhje me prioritetet e qeverisë.
Ngjarja vjen pas disa sulmeve të tjera me thikë në shkolla në muajt e fundit. Në tetor të vitit të kaluar, një mësues u vra në qytetin Arras, ndërsa në prill një tjetër ngjarje ndodhi në një shkollë të mesme në Nantes. Pas këtij rasti, Bayrou kërkoi “forcim të masave të kontrollit brenda dhe jashtë shkollave”.
Në fund të prillit, Ministria e Arsimit raportoi se 94 armë të ftohta janë sekuestruar në 958 kontrolle të rastësishme në shkolla që nga muaji mars.
Jean-Rémi Girard, kryetar i Sindikatës Kombëtare të Shkollave të Mesme, tha se “është e pamundur të jesh vigjilent 24 orë në ditë. Nuk mund të trajtojmë çdo nxënës si një rrezik potencial — përndryshe nuk do të ngriheshim më nga krevati në mëngjes.”
LEXONI GJITHASHTU:
- Rritet bilanci nga të shtënat në shkollë në Austri: 10 të vdekur, shumica nxënës
- Ministrja franceze e Arsimit: “Adolescence” do të shfaqet në shkolla