Gjeografia e armiqësisë

2 Tetor 2021 | 13:38

Opinionet e shprehura në artikujt e kategorisë ‘Pikëpamje’ i përkasin vetëm autorit.

Përplasja për targat e makinave në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe tensionet në veriun e Kosovës të nxitura nga Beogradi, tregojnë para së gjithash ngecjen e politikës së zgjerimit të BE-së, sikundër hezitimin e saj për të artikuluar pa asnjë ekuivok “njohjen e ndërsjellë”, si qëllimi final i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më shumë sesa për targat e makinave, kjo përplasje risolli në skenë nevojën e ushtrimit të reciprocitetit si bazë e ndërtimit të marrëdhënieve ndërshtetërore. Konflikti i papërfunduar Serbi-Kosovë, ndonëse jo i vetmi në Ballkanin Perëndimor, reflekton atë që Vladimir Gligorov në vitin 2008 do ta përkufizonte si “gjeografia e armiqësisë”. Për fat të keq, ky është stadi në të cilin ndodhet rajoni, thuajse dy dekada pas zotimeve të udhëheqësve të BE-së në vitin 2003 në Selanik, për anëtarësimin e rajonit në BE, dhe vetëm pak ditë larg mbajtjes së Samitit në Brdo pri Kranju ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Përgjatë procesit të dialogut, me shpresën se Serbia do ta njihte Kosovën, asaj i është toleruar ndërtimi i një sistemi që bazohet në fuqinë e një individi. Kur vjen puna për linjëzimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë, Serbisë i është lejuar të “ulet në disa karrige”. Ajo ka ndërtuar një partneritet ushtarak me Rusinë dhe tregtar me Rusinë e Kinën. Njëkohësisht, është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor i integruar në zinxhirin e vlerës së shtuar ekonomike të BE-së.

Për shkak të dobësisë së BE-së, shoqëruar me mungesën e unitetit, Serbia është toleruar gjithashtu në qëndrimet e veprimet e saj që synojnë revizionimin e historisë. Për më tepër, Serbia ka arritur të formësoj aleanca me disa vende anëtare të BE-së, të cilat gravitojnë në kundërshtim me parimet dhe vlerat që mishëron BE-ja.

Megjithëse shkaktarja kryesore e luftërave që çuan në shpërbërjen e ish Jugosllavisë në fillim të viteve ‘90, Serbia ka arritur ta mbajë rajonin në një gjendje thuajse të përhershme tensioni, duke luajtur njëkohësisht, në mënyrë hipokrite, kartën e bashkëpunimit rajonal, por duke mos pranuar asnjëherë barazinë e shteteve pjesëmarrëse në rajon.

Konflikti dominues që përshkoi shekullin e kaluar në rajon midis serbëve dhe kroatëve duket se u adresua në mënyrë europiane me pranimin e Kroacisë në BE. Mirëpo kjo e transformoi “gjeografinë e armiqësisë” nga një konflikt serbo-kroat në një konflikt mes Serbisë dhe vendeve të tjera të rajonit.

Kështu, Serbia e interpreton procesin e “normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën” të ndërmjetësuar nga ana e BE-së, si negociatë për statusin e Kosovës edhe pse shumica e vendeve të botës demokratike dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e kanë vulosur pavarësinë e Kosovës. Përmes ndikimit të Kishës Ortodokse Serbe ajo kundërshton në thelb ekzistencën e Malit të Zi; minon në mënyrë sistematike funksionalitetin e Bosnje Hercegovinës; mohon ekzistencën e Kishës Ortodokse të Maqedonisë së Veriut si një entitet i pavarur.

Shqipëria, ndonëse një vend me qasje mesdhetare dhe asnjëherë pjesë e ish Jugosllavisë, gjen veten të përfshirë në “gjeografinë e armiqësisë” në Ballkanin Perëndimor, për shkak të raportit special me Kosovën.

Është e qartë se “gjeografia e armiqësisë” ndikon në dobësinë ekonomike të rajonit dhe potencialit për të çliruar energji pozitive. Sipas një studimi të Westminister Foundation for Democracy, vendet e rajonit humbasin rreth 5.5 miliard euro në vit, për shkak të emigrimit të të rinjve të shkolluar dhe mosmarrjes mbrapsht të investimeve për edukim ndaj tyre. Ndërkohë që mungesa e investimeve serioze nga kompani shumëkombëshe, siç është rasti i vendeve të Vishegradit, rrit hendekun zhvillimor të rajonit me mesataren e BE-së.

Në kushtet kur procesi i anëtarësimit në BE të vendeve të rajonit ka ngecur, reagimi i BE-së mbetet anemik. Në mosmarrëveshjet e konfliktet e mësipërme BE-ja preferon t’i drejtohet “palëve”, paçka se njëra palë është gjithmonë e pandryshueshme. Nga ana tjetër, BE mbetet një partner politik dhe ekonomik i pazëvendësueshëm në rajon. Ndaj dhe “palët” kërkojnë ndërmjetësimin e BE-së për të garantuar marrëveshjet e nënshkruara me ndërmjetësimin e saj, apo për të gjetur gjuhën e përbashkët.

Shfaqja e ambasadorit dhe zyrtarëve të ministrisë së mbrojtjes Ruse përkrah ministrit të mbrojtjes serb dhe shefit të shtabit të përgjithshëm gjatë inspektimit të trupave serbe në kufirin me Kosovën i dha situatës një dimension tjetër.  Duhet thënë se KFOR ka një mandat të qartë në lidhje me garantimin e integritetit territorial të Kosovës dhe më posaçërisht në veri të saj. Rrjedhimisht, tentativat për krijimin e skenarëve të ngjashëm me Ukrainën, Moldavinë apo vendet e Kaukazit nuk kanë asnjë shans të përsëriten në këtë kënd të Europës.

Gjithsesi, për të dekurajuar çdo sjellje në të ardhmen, vendet e rajonit anëtare të NATO-s, duke përfshirë edhe Kroacinë, duhet ta trajtojnë këtë ngjarje që lidhet me sigurinë e rajonit, në tryezën e NATO-s, siç bëjnë baltikët apo polakët sa herë përballen me sfida të ngjashme. Për këtë nevojitet një koncept i qartë strategjik që ndërtohet brenda NATO-s, në bashkëveprim edhe me aleatë të tjerë.

Ndërkohë që Serbisë mund t’i duhet më shumë kohë për të pranuar realitetin e pakthyeshëm, është e rëndësishme që BE-ja dhe NATO të mos e humbin investimin e tyre në rajon. Sinergjia ndërmjet “karotës” së BE-së dhe “shkopit” të SHBA-ve është domosdoshmëri për transformimin e “gjeografisë së armiqësisë” në një gjeografi të paqes e prosperitetit brenda BE-së.

Ditmir Bushati është politikan dhe diplomat shqiptar. Ai ka shërbyer edhe si ministër i Jashtëm gjatë viteve 2009–2013.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zgjerimi i Bashkimit Europian me vende të reja, si t’i jepet fund pritjes?

Nga Vincenzo Genovese Vendet aspirante për anëtarësim në Bashkimin Europian nga Ballkani Perëndimor janë përballur me vonesa shumëvjeçare në rrugën e tyre drejt BE-së. Në...
16:24 | 28/10/2025

Çfarë po ndodh me paratë e ngrira ruse dhe pse BE-ja nuk po ia jep dot Ukrainës?

Nga Jorge Liboreiro & Mared Gwyn Jones Një plan i guximshëm për të përdorur asetet e ngrira të Rusisë për të dhënë një hua prej...
16:22 | 26/10/2025

Plani i ri i Brukselit për mbrojtjen

Me planin e saj për mbrojtjen, Komisioni Evropian synon të rrisë prodhimin evropian të sistemeve të armëve, por NATO do të mbajë kontrollin operacional. Komisioni...
20:31 | 16/10/2025