Gjermania e ndal furnizimin e Izraelit me armë që mund të përdoren në Gazë

8 Gusht 2025 | 16:06

Gjermania nuk do ta autorizojë asnjë eksport të pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës “deri në një njoftim të radhës”, tha të premten kancelari Friedrich Merz.

Vendimi i Merzit vjen si përgjigje ndaj planit të Izraelit për ta zgjeruar luftën në territorin palestinez.

Njoftimi publik, i cili theksoi vuajtjet e njerëzve në Gazë, shënon një ndryshim të rëndësishëm në politikën e Berlinit ndaj aleatit të tij të kamotshëm.

“Qeveria gjermane nuk do ta miratojë asnjë eksport pajisjesh ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës deri në një njoftim të radhës”, tha Merz në një komunikatë.

Merz tha se e pranon se Izraeli ka të drejtë për ta çarmatosur Hamasin – grupin e shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – dhe për të kërkuar lirimin e pengjeve izraelite, por tha se vendimi i Izraelit “e bën gjithnjë e më të vështirë të kuptohet se si mund të arrihen këto synime”.

Përkrahja e qëndrueshme dhe afatgjatë e Gjermanisë për Izraelin, e mbështetur në ndjenjën e fajit për Holokaustin, është vënë në pikëpyetje nga numri në rritje i viktimave në Gazë dhe kriza humanitare, të cilat e kanë nxitur popullin gjerman të kërkojë veprime nga Qeveria e tyre.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm, Gjermania ka ofruar 30 për qind të importeve kryesore të armëve të Izraelit në periudhën 2019-2023, kryesisht pajisje detare, përfshirë fregatat e klasit Sa’ar 6 (MEKO A-100 Light Frigates), të cilat janë përdorur në luftën në Gazë.

Merz tha se lirimi i pengjeve dhe negociatat për armëpushim janë prioritetet kryesore të Gjermanisë, së bashku me lehtësimin e vuajtjeve të civilëve. Ai gjithashtu i bëri thirrje Qeverisë izraelite të mos ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt aneksimit të pjesëve të Bregut Perëndimor.

Anëtarë të krahut të ekstremit të djathtë të koalicionit të kryeministrit Benjamin Netanyahu kanë bërë trysni për ta marrë kontrollin e plotë të Gazës, ndonëse ushtria ka paralajmëruar se kjo mund të rrezikojë jetën e pengjeve të mbijetuar.

Parlamenti gjerman raportoi në qershor se licencat e eksportit për 485 milionë euro pajisje ushtarake për Izraelin janë miratuar në ditën e sulmit të Hamasit që shkaktoi luftën në Gazë, 7 tetor 2023, dhe më 13 maj 2025.

Pas sulmit të Hamasit, Gjermania e rriti rreth dhjetëfish eksportin e armëve në Izrael gjatë vitit 2023.

Grupet e të drejtave të njeriut nisën sfida ligjore, duke thënë se armët mund të përdoren në luftën në Gazë./REL 

 

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tërmetet në Venezuelë, rritet në 1,450 numri i viktimave. 3,150 persona janë plagosur

Të paktën 1,450 persona janë konfirmuar të vdekur pas dy tërmeteve që tronditën Venezuelën javën e kaluar, sipas Presidentit të Asamblesë Kombëtare Jorge Rodriguez në...
20:22 | 28/06/2026

Tentoi t’i arratisej policisë, shoferi përplaset me makinën që priste në semafor. 2 të vdekur dhe 1 i plagosur në Barcelonë

Një aksident i rëndë u regjistrua këtë të diele në Barcelonë, kur dy persona humbën jetën dhe një tjetër u plagos. Shoferi i njërit mjet...
18:54 | 28/06/2026

Trump kontrollon projektet e rinovimit në Uashington

Presidenti amerikan, Donald Trump kontrolloi disa nga projektet e tij të rinovimit në Uashington DC të dielën në mëngjes, duke filluar me një shëtitje në...
18:20 | 28/06/2026