Gjykata e Lartë: “Arresti me burg” vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme

4 Maj 2026 | 14:22

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë ndryshuar me vendim unanim praktikën e deritanishme gjyqësore lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg”, duke riafirmuar karakterin përjashtimor të saj dhe duke theksuar nevojën që ajo të përdoret vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme dhe në raste të mirëarsyetuara.

“Masa “arrest në burg” ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme. Rrezikshmëria e veprës dhe e autorit nuk mund të nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale apo nga marzhi i dënimit, por duhet të mbështetet në një vlerësim konkret të rrethanave të çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës, pasojave, personalitetit, sjelljes dhe të dhënave personale e familjare të personit ndaj të cilit kërkohet masa”, thotë Gjykata e Lartë.

Vendimi është marrë pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Apelit për rastin e shtetasit Bektesh Zeneli, ku Kolegjet e Bashkuara rrëzuan rekursin e prokurorisë dhe lanë në fuqi masën e mëparshme “arrest në shtëpi”. Ky rast shërbeu si shkak për thirrjen e Kolegjeve të Bashkuara dhe për unifikimin e qëndrimit gjyqësor.

Gjykata e Lartë sqaron se vendimi nuk ka fuqi prapavepruese, por sjell ndryshim të pjesshëm të vendimit unifikues nr. 7, të vitit 2011, i cili përcakton kriteret dhe kushtet për aplikimin e masës së sigurimit “arrest në burg”.

“Gjykata ka detyrimin të shqyrtojë në mënyrë reale masat më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i individualizuar, i mbështetur në fakte dhe i lidhur drejtpërdrejt me rrethanat e çështjes. Barra e justifikimit për nevojën e caktimit dhe vijimit të masës “arrest në burg” i takon prokurorisë. Gjykata ka detyrimin ta verifikojë këtë nevojë dhe ta arsyetojë në çdo fazë të procedimit. Vendimmarrja e saj nuk mund të kushtëzohet nga paraqitja ose mungesa e “provave pozitive” nga i pandehuri”, thotë Gjykata e Lartë.

Pas botimit në Fletoren Zyrtare, vendimi do të shërbejë si standard orientues për praktikën gjyqësore në vijim. Në këtë kuadër, gjykatat, kur caktojnë masën “arrest në burg”, do të jenë të detyruara të arsyetojnë në mënyrë të posaçme dhe të individualizuar pse masat më të lehta të sigurimit konsiderohen të papërshtatshme për rastin konkret.

Në thelb, vendimi forcon parimin se “arresti në burg” mbetet masë përjashtimore dhe duhet të përdoret vetëm kur masat alternative nuk garantojnë qëllimet e sigurimit, duke kërkuar një analizë më të thelluar të rrethanave të personit dhe veprës penale.

VENDIMI I PLOTË

VENDIM

NË EMËR TË REPUBLIKËS

I përmbledhur

                        Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të përbëra nga gjyqtarët:

                                                            Sokol               SADUSHI

Ilir                   PANDA

Valbon            ÇEKREZI

Ervin              PUPE

Sokol               BINAJ

Albana            BOKSI

Sandër            SIMONI

Artur              KALAJA

Arbena           AHMETI

Gentian          MEDJA

Sokol               NGRESI

Margarita      BUHALI

Enton              DHIMITRI

Enkelejda       METALIAJ

Vojsava          KOLA

Genti               SHALA

më datë 09.04.2026, morën në shqyrtim, në seancë gjyqësore, çështjen penale me nr. 61004-00141-00-2026, akti, që i përket palëve:

KËRKUES:                           Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë

PERSON NËN HETIM:       Begtash Zeneli

I DYSHUAR:                        Për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.

OBJEKTI:                             Vleftësimi i ligjshëm i arrestit në flagrancë dhe caktimi i masës së sigurimit “Arrest në burg”.

BAZA LIGJORE:                 Nenet 228, 229, 230, 238, 244, 258 të Kodit të Procedurës Penale.

 

KOLEGJET E BASHKUARA TË GJYKATËS SË LARTË

            pasi dëgjuan relatimin e çështjes nga gjyqtarët Ilir Panda dhe Genti Shala; prokurorin Arqilea Koça, i cili mbajti qëndrim në favor të nismës për ndryshimin e pjesshëm të vendimit njësues nr. 7/2011 dhe, në lidhje me çështjen konkrete, kërkoi prishjen e vendimit 30-2025-9596 (2998), datë 17.11.2025, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, si dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në atë gjykatë, me tjetër trup gjykues; avokatin Luan Hasneziri, i cili mbajti qëndrim në favor të nismës për ndryshimin e pjesshëm të vendimit njësues nr. 7/2011 dhe, në lidhje me çështjen konkrete, kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm; dhe pasi e biseduan çështjen në tërësi,

VËREJNË

  1. Rrethanat e çështjes 
  1. Më datë 16.10.2025, shtetasi Begtash Zeneli është arrestuar në flagrancë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal. Prokuroria i është drejtuar gjykatës me kërkesë për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurimit personal “arrest në burg”.
  2. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 2682-539, datë 19.10.2025, vendosi vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, si e vetmja masë e përshtatshme në rastin konkret, duke iu referuar kritereve të neneve 228 e 229 të Kodit të Procedurës Penale dhe standardit të vendimit unifikues nr. 7/2011 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
  3. Kundër këtij vendimi paraqiti ankim mbrojtësi i personit nën hetim, me anë të të cilit kërkoi ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë sa i përket masës së caktuar dhe caktimin e masës së sigurimit personal të arrestit në shtëpi.
  4. Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me vendimin nr. 30-2025-9596 (2998), datë 17.11.2025, ndryshoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë vetëm sa i përket masës së sigurimit personal, duke caktuar ndaj personit nën hetim masën “arrest në shtëpi”, pasi vlerësoi se, në raport me kriteret e nenit 229 të Kodit të Procedurës Penale, natyrën e veprës dhe rrethanat personale e familjare të tij, kjo ishte masa më e përshtatshme për rastin konkret.
  • Kryetari i Gjykatës së Lartë, me vendimin e ndërmjetëm të datës 09.03.2026, në kuadër të rolit institucional të Gjykatës së Lartë për garantimin e një praktike gjyqësore të standardizuar, të konsoliduar dhe të qëndrueshme, si dhe në mbështetje të nenit 141 të Kushtetutës, nenit 32 të ligjit nr. 98/2016 dhe nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale (KPP), nisi procedurën për ndryshimin e pjesshëm të praktikës gjyqësore të njësuar me vendimin nr. 7, datë 14.10.2011, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Kjo nismë, e ushtruar përmes mekanizmit procedural të ndryshimit të praktikës gjyqësore, synonte vënien në lëvizje të Kolegjeve të Bashkuara për të vlerësuar nëse standardi i mëparshëm kërkonte qartësim, saktësim, rishikim interpretues ose zhvillim të mëtejshëm, në funksion të një praktike më të njëtrajtshme dhe më të harmonizuar me kuadrin aktual ligjor e konventor. Në vendimin e ndërmjetëm është evidentuar se çështja konkrete nuk paraqet interes vetëm për zgjidhjen e rastit individual, por ngre edhe nevojën për të vlerësuar nëse praktika e konsoliduar nga vendimi unifikues nr. 7, datë 14.10.2011, duhet të vijojë të mbahet në të njëjtin kuptim apo kërkon rishqyrtim të pjesshëm, si dhe nëse, krahas këtij rishqyrtimi, paraqitet nevoja për njësim ose zhvillim të mëtejshëm të praktikës gjyqësore në zbatimin e neneve 228-230 të Kodit të Procedurës Penale”.
  • Në vendimin e ndërmjetëm të Kryetarit të Gjykatës së Lartë është theksuar se vendimi unifikues nr. 7/2011 ka pasur rol të rëndësishëm orientues në praktikën gjyqësore, dhe se “këto qëndrime përbëjnë një vlerë orientuese që ruajnë rëndësinë e tyre edhe sot”, por zbatimi i tij ka ngritur nevojën për të rivlerësuar disa në raport me ndryshimet e mëvonshme ligjore dhe standardet e konsoliduara të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), veçanërisht lidhur me shqyrtimin real të masave alternative, vlerësimin konkret e të individualizuar të rrezikshmërisë së veprës dhe të personit, si dhe barrën e justifikimit të nevojës për caktimin ose vijimin e masës së sigurimit “arrest në burg”.
  • Në funksion të këtij objekti dhe me qëllim që shqyrtimi përpara Kolegjeve të Bashkuara të jetë i qartë dhe metodologjikisht i rregullt, janë shtruar për zgjidhje këto çështje:

1. Në interpretim të neneve 228 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale (KPP), a është në përputhje me këto dispozita dhe me nenin 5 § 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) qëndrimi sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e “arrestit në burg”, gjykata nuk ka detyrim të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur prej saj është e përshtatshme për rastin konkret?

2. Në interpretim të neneve 228 dhe 230 të KPP, a mund të nxirret “rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e të pandehurit”, si kriter për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale, nga rëndësia e saj e përgjithshme ose nga marzhi i dënimit, pa një vlerësim konkret dhe të individualizuar të rrethanave të rastit dhe të personit?

3. Kujt i takon barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës së “arrestit në burg” dhe a është në përputhje me nenin 5 § 3 të KEDNJ dhe me nenet 228-230 të KPP qëndrimi sipas së cilit papërshtatshmëria e kësaj mase mund të pranohet vetëm nëse i pandehuri paraqet prova pozitive?

  1. Vlerësimi i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë
  • Pas shqyrtimit të çështjeve të shtruara dhe qëndrimeve të palëve, Kolegjet e Bashkuara vlerësojnë se nisma e Kryetarit të Gjykatës së Lartë ka vënë në lëvizje mekanizmin procedural të parashikuar nga ligji për rivlerësimin e praktikës së mëparshme njësuese, me qëllim qartësimin e zbatimit të neneve 228-230 dhe 245/1/ç të Kodit të Procedurës Penale. Në përfundim të këtij shqyrtimi, Kolegjet çmojnë se natyra e ndërhyrjes nuk përcaktohet nga emërtimi formal i procesit, por nga përmbajtja reale e sentencave dhe nga efekti që ato prodhojnë mbi standardin e mëparshëm jurisprudencial. Kolegjet çmojnë se ndërhyrja e nevojshme në vendimin unifikues nr. 7/2011 nuk qëndron në mohimin e vlerës së tij orientuese, por në qartësimin, saktësimin, standardizimin, ndryshimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të disa formulimeve të pjesës arsyetuese, të cilat në praktikë kanë krijuar hapësirë për kuptime jo të njëtrajtshme. Në këtë mënyrë, ky mekanizëm procedural shërben për të forcuar vijimësinë, koherencën dhe përshtatjen e praktikës gjyqësore me standardet aktuale ligjore e konventore.
  • Këto formulime lidhen, në thelb, me tre aspekte të caktimit dhe vijimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, shqyrtimin real të masave alternative, vlerësimin konkret e të individualizuar të rrezikshmërisë së veprës dhe të personit, si dhe barrën e justifikimit të nevojës për caktimin ose vijimin e kësaj mase. Pikërisht në këto drejtime, zhvillimet ligjore pas vitit 2011, veçanërisht nenet 228/3/a, 244/1 dhe 245/1/ç të Kodit të Procedurës Penale, si edhe standardet e konsoliduara të GJEDNJ mbi kufizimin e lirisë personale, kërkojnë një arsyetim më konkret, më të individualizuar dhe më të kontrollueshëm nga gjykatat.
  • Në këtë kuptim, rishqyrtimi i pjesshëm i praktikës nuk përbën shkëputje nga standardi i mëparshëm, por zhvillim të tij, për aq sa ai standard duhet të lexohet dhe të zbatohet në përputhje me kuadrin aktual ligjor dhe konventor. Mekanizmi procedural i nismës për ndryshimin e praktikës ka shërbyer, në rastin konkret, për të mundësuar këtë rivlerësim interpretues dhe për ta orientuar praktikën drejt një kuptimi më të qartë, më të qëndrueshëm dhe më të parashikueshëm.  Në këtë mënyrë, ky vendim nuk e zëvendëson standardin e mëparshëm në tërësi, por e përpunon atë në ato pjesë ku zbatimi praktik ka treguar nevojë për saktësim. Ky zhvillim kufizohet vetëm në qëndrimet orientuese të sipërpërmendura dhe nuk prek pjesën tjetër të arsyetimit apo sentencat njësuese të vendimit unifikues nr. 7/2011, të cilat mbeten të pandikuara nga ky saktësim.
  • Tri sentencat që formulohen në këtë vendim përbëjnë rezultatin konkret të ndërhyrjes së Kolegjeve të Bashkuara në praktikën e mëparshme njësuese. Ato synojnë të konsolidojnë, qartësojnë, saktësojnë dhe zhvillojnë mënyrën e kuptimit dhe të zbatimit të vendimit unifikues nr. 7/2011, në ato pjesë të arsyetimit që kanë krijuar paqartësi, keqkuptime ose zbatime jo të njëtrajtshme në praktikë. Në këtë kuadër, Kolegjet e Bashkuara çmojnë se qëndrimet orientuese të këtij vendimi, për aq sa lidhen me caktimin dhe vijimin e masës “arrest në burg”, duhet të lexohen në përputhje me karakterin përjashtimor të kësaj mase, me detyrimin për arsyetim konkret, të individualizuar dhe të kontrollueshëm, me nevojën për shqyrtim real të masave më pak kufizuese, me vlerësimin konkret të rrezikshmërisë së veprës dhe të personit, si dhe me barrën e organit të akuzës për të justifikuar nevojën e kufizimit më të rëndë të lirisë personale.
  1. Në përgjigje të çështjes së parë, që lidhet me detyrimin e gjykatës për të shqyrtuar masat alternative përpara caktimit ose vijimit të masës “arrest në burg”, Kolegjet e Bashkuara përcaktojnë këtë rregull të së drejtës:

Qëndrimi i mbajtur në vendimin unifikues nr. 7/2011 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrimin të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur është e përshtatshme për rastin konkret, nuk është në përputhje me nenet 228-230 dhe 245/1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe me nenin 5 § 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në zbatim të neneve 228, 229, 230 dhe 245/1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, gjykata ka detyrimin të shqyrtojë realisht masat e tjera më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i shprehur, i individualizuar dhe i mbështetur në fakte e rrethana të posaçme të çështjes, duke pasqyruar qartë rrezikun konkret, sipas nenit 228, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe domosdoshmërinë, përshtatshmërinë dhe proporcionalitetin e kufizimit të lirisë, në përputhje me standardet kushtetuese dhe konventore.”.

  1. Në përgjigje të çështjes së dytë, që lidhet me mënyrën e vlerësimit të rrezikshmërisë së veprës dhe të autorit në raport me masën “arrest në burg”, Kolegjet e Bashkuara përcaktojnë këtë rregull të së drejtës:

Caktimi i masës arrest në burg ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme, në raport me kushtet dhe kriteret e parashikuara në nenet 228 e 229 të Kodit të Procedurës Penale. Në caktimin e masës arrest në burg, prokurori fillimisht dhe gjykatat në vijim, kanë detyrimin të japin një arsyetim të individualizuar, të mbështetur në fakte e rrethana të posaçme të çështjes, që lidh nevojën e kësaj mase me rrezikshmërinë e veprës dhe të autorit në rastin konkret. Ky vlerësim duhet të mbështetet në rrethanat specifike të faktit, në mënyrën e kryerjes së veprës dhe në të dhënat që lidhen me personin ndaj të cilit caktohet masa e sigurimit, përfshirë personalitetin, sjelljen, rrethanat individuale e familjare, si dhe çdo tregues tjetër të rëndësishëm për vlerësimin e rrezikut real procedural ose shoqëror që ai paraqet në çështjen konkrete.

Kur verifikohet rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e autorit, në kuptim të nenit 230, pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, masa e sigurimit “arrest në burg” përligjet si masa më e përshtatshme, që garanton nevojat e sigurimit. Rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e autorit nuk nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e krimit ose nga marzhi i dënimit, por nga vlerësimi i ndërthurur i rrezikshmërisë së veçantë të faktit penal, i mënyrës së kryerjes, pasojave të ardhura, i personalitetit të të pandehurit, i sjelljes së tij, si dhe i rrethanave të tjera të rëndësishme dhe të lidhura ndërmjet tyre për rastin konkret.”.

  1. Në përgjigje të çështjes së tretë, që lidhet me barrën e justifikimit të nevojës për caktimin ose vijimin e masës “arrest në burg”, Kolegjet e Bashkuara përcaktojnë këtë rregull të së drejtës:

“Në interpretim të neneve 228, 229 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale, në lidhje me nenin 5 § 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës së sigurimit “arrest në burg” i takon prokurorisë, ndërsa gjykata ka detyrimin ta verifikojë dhe ta arsyetojë atë në çdo fazë të procedimit. Prokuroria ka detyrimin të paraqesë dhe të argumentojë në mënyrë konkrete faktet dhe rrethanat që mbështesin nevojën e kësaj mase, përfshirë rrezikun konkret dhe papërshtatshmërinë e masave më pak kufizuese. Në vendimmarrjen e saj gjykata nuk mund të kushtëzohet nga paraqitja ose jo e “provave pozitive” nga i pandehuri. I pandehuri mban vetëm barrën e paraqitjes së rrethanave faktike personale, familjare, shëndetësore ose rrehanave të tjera, kur i ngre ato si argumente në favor të masave më pak kufizuese.”.

  1.  Për zgjidhjen e çështjes konkrete
  1. Në lidhje me çështjen konkrete, Kolegjet e Bashkuara vlerësojnë se pretendimet e rekursit nuk gjejnë mbështetje në ligj. Argumentet e rekursit, të mbështetura kryesisht në natyrën e veprës penale, sasinë e lëndës narkotike, marzhin e dënimit dhe rrezikun e përgjithshëm të largimit ose përsëritjes së veprës, nuk mjaftojnë për të justifikuar automatikisht caktimin e masës “arrest në burg”, në mungesë të një analize konkrete që të tregojë papërshtatshmërinë e masave më pak kufizuese. Edhe pretendimi se vendimi i gjykatës së apelit është i mangët për shkak se nuk ka arsyetuar hollësisht mënyrën e ekzekutimit dhe mbikëqyrjes së masës “arrest në shtëpi” nuk përbën shkak për prishjen e vendimit, pasi përmbajtja, zbatimi dhe kontrolli i kësaj mase parashikohen nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale dhe nga kuadri ligjor për ekzekutimin e vendimeve penale.

PËR KËTO ARSYE,

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në mbështetje të neneve 438 dhe 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale,

V E N D O S Ë N:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 30-2025-9596 (2998), datë 17.11.2025, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Pas arsyetimit të plotë, vendimi dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.

            Tiranë më 04.05.2026

     KRYESUES                                           ANËTAR                                 ANËTAR

Sokol  SADUSHI                                        Ilir PANDA                              Ervin  PUPE

   ANËTAR                                                 ANËTARE                               ANËTAR

 Sokol BINAJ                                           Albana BOKSI                           Sandër SIMONI

   ANËTAR                                                 ANËTARE                               ANËTAR

Artur KALAJA                                         Arbena AHMETI                      Gentian MEDJA 

     ANËTAR                                                 ANËTARE                             ANËTAR

  Sokol NGRESI                                      Margarita BUHALI                  Enton DHIMITRI

     ANËTARE                                               ANËTARE                            ANËTAR                  

Enkelejda METALIAJ                                Vojsava KOLA                     Valbon ÇEKREZI

  ANËTAR

Genti SHALA                                                                                    

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Shqipëria e shqiptarëve”, pankartat e qytetarëve në protestë (FOTO)

Qindra qytetarë dhe aktivistë janë bashkuar edhe këtë të enjte në protestën e radhës kundër ndërtimit në Zvërnec. Protestuesit mbajnë në duar flamuj të Shqipërisë...
19:47 | 04/06/2026

Qytetarët e Vlorës sërish në protestë te Sheshi i Flamurit kundër projektit në Zvërnec

Protesta e qytetarëve në Vlorë ka vijuar edhe sot pranë Sheshit të Flamurit. Ndryshe nga ditët e mëparshme, pjesëmarrja është raportuar më e ulët, ndërsa...
19:39 | 04/06/2026

Babai i Martin Canit i bashkohet protestës kundër projektit në Zvërnec (VIDEO)

Po zhvillohet edhe këtë të enjte dita e pestë e protestës në Tiranë kundër projektit në Zvërnec. Në këtë marshim kanë marrë pjesë qindra qytetarë,...
19:25 | 04/06/2026