Greqia nderon Kryepeshkopin me shërbesë liturgjie hyjnore, merr pjesë dhe Mitsotakis

26 Janar 2025 | 08:57

Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025, u nderua këtë të dielë me një ceremoni të madhe në Greqi, për të kujtuar jetën dhe veprën e tij të jashtëzakonshme.

Në Mitropolinë e Athinës u mbajt Liturgjia Hyjnore në nderim të Kryepeshkopit të ndjerë, ku morën pjesë figura të larta politike dhe kishtare, përfshirë Presidenten e Republikës Katerina Sakellaropoulou, Kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, Presidentin e PASOK-ut Nikos Androulakis dhe Kryetarin e Kuvendit Nikitas Kaklamanis, Ministrin e Jashtëm, Giorgos Gerapetritis, Ministrn e Financave, Kostis Hatzidakis, Ministrin e Arsimit, Kyriakos Pierrakakis, kryetarin e Bashkisë së Athinës, Haris Doukas, Fredi Belerin, Notis Mitarakis, Athena Linou, Pirro Dhimën, etj.

Liturgjinë e kryesoi Mitropoliti i Nafpaktos dhe i Shën Vlasit, Jerotheosi, ndërsa pas përfundimit të ceremonisë, Kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Jeronimos, mbajti një shërbesë për shpirtin e të ndjerit.

Trupi i Kryepeshkopit do të qëndrojë në Katedralen e Shenjtë të Athinës për nderime publike deri në orët e mëngjesit të së hënës, kur do të nisë udhëtimin për në Shqipëri.

Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse të Greqisë njoftoi se trupi i Kryepeshkopit do të dërgohet në Shqipëri përmes pikës kufitare të Kakavisë, ku do të mirëpritet me nderime solemne.

Pesë Ditë Zie Kishtare në Shqipëri

Kisha e Shqipërisë shpalli pesë ditë zie kishtare nga 25 deri më 29 janar 2025 për të nderuar Kryepeshkopin Anastas.

Gjatë këtyre ditëve, besimtarët do të mund të shprehin ngushëllimet e tyre dhe të kujtojnë kontributin e tij të jashtëzakonshëm për ringjalljen e Kishës Ortodokse dhe për avancimin e marrëdhënieve ndërkulturore mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Në Shqipëri, trupi i Kryepeshkopit do të pritet më 28 janar në orën 16:00 përpara Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, ku do të zhvillohen homazhe nga besimtarët dhe autoritetet kishtare dhe shtetërore.

Pas nderimeve publike, një shërbesë liturgjike do të mbahet të mërkurën, më 29 janar, përpara varrimit të Kryepeshkopit.

Zgjedhja e Mbikëqyrësit të Fronit të Kryepeshkopit

Në një mbledhje të jashtëzakonshme të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Shqipërisë, u mor vendimi për të zgjedhur Mitropolitin e Korçës, Joani, si Mbikëqyrës të Fronit të Kryepeshkopit, përkohësisht, deri në zgjedhjen e pasuesit të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Pasuesi i tij do të zgjidhet në një fazë të dytë, ndërsa ndërkohë, Kisha e Shqipërisë po kalon një periudhë të rëndësishme që kërkon unitet dhe bashkëpunim të ngushtë.

Varrimi i Kryepeshkopit Anastas

Varrimi i Kryepeshkopit Anastas do të zhvillohet më 30 janar 2025 në orën 11:00, pas një Liturgjie Hyjnore të veçantë, që do të kryhet nga klerikët më të lartë të Kishës Ortodokse.

Në këtë ceremoni, pritet të marrë pjesë edhe Patriarku Ekumenik Bartolomeu, si dhe shumë besimtarë dhe figura të shquara nga Shqipëria, Greqia dhe më gjerë.

Kryepeshkopi Anastas ka lënë një trashëgimi të thellë dhe do të kujtohet për punën e tij të palodhur në rindërtimin e kishës, promovimin e dialogut ndërfetar dhe kontribuimin në zhvillimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, dy vende që ndajnë një histori të gjatë dhe të pasur kulturore dhe fetare.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rrëzohet kamioni në Librazhd, bllokohet rruga për mbi një orë (VIDEO)

Një kamion është rrëzuar paraditen e sotme në zonën e Drogostunjës, në Librazhd, duke shkaktuar bllokimin e plotë të qarkullimit rrugor. Sipas informacioneve nga vendngjarja,...
19:47 | 24/06/2026

Protesta në Tiranë hyn në ditën e 25-të, qytetarët mblidhen para godinës së Kryeministrisë

Ashtu si çdo ditë tjetër, edhe këtë të mërkurë po zhvillohet protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë, e cila ka hyrë në ditën e...
18:48 | 24/06/2026

ISHP: Kujdes nga vapa, ja problematika shëndetësore që shkakton

Shqipëria gjendet në periferi të valës së të nxehtit që ka goditur Europën, por sërish temperaturat maksimale dhe minimale janë të larta për muajin në...
18:02 | 24/06/2026