Hapen të gjitha kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, pas largimit të bllokadave

8 Shtator 2024 | 08:20

Të gjitha pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë janë hapur për qarkullim të plotë dhe të papenguar, pasi u larguan të gjitha bllokadat në pjesën serbe të kufirit të shtunën pasdite.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë hapur dy pikat kufitare që autoritetet kosovare i kishin mbyllur të premten mbrëma, në Bërnjak dhe Merdare. Pikëkalimi në Jarinjë u hap mëngjesin e së shtunës.

Rihapja e tyre vjen pasi shoqatat serbe i hoqën të gjitha bllokadat që i kishin vendosur të premten pasdite për të protestuar kundër mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës, i cili është i banuar me shumicë serbe.

“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak”, tha Sveçla në Facebook.

Dragisha Miriqit, kryetar i Shoqatës Koreni në Serbi, njoftoi të shtunën pasdite se bllokada në Merdare është hequr.

Miriç tha se shoqata e tij do të presë deri më 1 tetor për plotësimin e kërkesave të tyre nga autoritetet kosovare dhe paralajmëroi bllokadë të re kufitare, nëse kërkesat e serbëve nuk plotësohen.

Organizatorët e bllokadave duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbë në veri, ta lejojë përdorimin e valutës së dinarit serb, i cili u ndalua në fillim të këtij viti, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe.

Të shtunën në mëngjes, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se në Jarinjë nuk më pengesa në qarkullimin e të gjitha automjeteve në të dyja anët e kufirit.

“Në mëngjesin e sotëm në pikën kufitare në Jarinjë, është duke u zhvilluar pa problem qarkullimi i automjeteve në të dyja anët e kufirit edhe të automjeteve me targa serbe dhe atyre me targa të Kosovës”, tha Elshani.

Xhelal Sveçla tha të premten se këto dy pikëkalime në Merdare dhe Bërnjak ishin mbyllur pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit i kishin “ndaluar në mënyrë selektive e me qasje fashiste” qytetarët që donin të kalonin transit përmes Serbisë.

Sveçla tha se e gjithë kjo ka ndodhur “para syve të policisë serbe”.

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kosova shpall “Non Grata” ministren serbe pas deklartatës skandaloze për spastrim etnik

Kosova e ka shpallur person “të padëshirueshëm” dhe ia ka ndaluar përherë hyrjen apo kalimin nëpër vend ministres serbe Snezhana Paunoviq, pasi ajo tha ditë...
21:31 | 14/07/2026

Deklaratat për spastrimin etnik të Kosovës, eurodeputeti italian Gozi thirrje Vuçiçit: Shkarko ministren Paunoviç

Eurodeputeti italian, i cili përfaqëson Francën në Parlamentin Evropian, Sandro Gozi, i ka cilësuar skandaloze deklaratat e ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviç, e...
17:09 | 14/07/2026

Haxhiu dekreton Zejnullah Gashin për Kryeprokuror Shteti

Një ditë pas nominimit, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka takuar të martën Zejnullah Gashin për t’ia dorëzuar dekretin për Kryeprokuror...
16:45 | 14/07/2026