Humbi shikimin dhe njërin gisht në fëmijëri, por jo ëndrrën: Historia frymëzuese e klarinetistit Nevruz Bramo

25 Korrik 2026 | 16:54

Nevruz Bramo humbi shikimin dhe një gisht të dorës në moshën 10-vjeçare nga shpërthimi i një mbeturine luftarake që do t’ia ndryshonte jetën përgjithmonë, por jo shpirtin luftarak.

Kur ishte ende nxënës dhe dëshironte të mësonte muzikë, paragjykimi u bë pengesa e parë me të cilën u përball.

Për shkak të mungesës së një gishti, nuk iu dha mundësia të mësonte klarinetën në shkollë, pasi mendohej se nuk do të mund ta luante kurrë.

Por Nevruzi vendosi t’u dëshmonte të gjithëve të kundërtën teksa në mënyrë autodidakte, mësoi fshehurazi instrumentin që i ishte mohuar, derisa e ktheu atë në talentin dhe profesionin e jetës.

“Nuk kam lindur i verbër, jam aksidentuar në moshën 10 vjeç me një mbeturinë të Luftës së Dytë Botërore. Vazhdova në Tiranë Institutin e të Verbërve. Në shkollën 8-vjeçare mësoja fizarmonikën. Kur erdhi klarineta, nuk më futën për shkak të difektit. U mërzita. Të tjerët e linin, nuk donin, unë e merrja fshehurazi dhe luaja. Fillova, më pëlqeu. Mbarova edhe shkollën e mesme të muzikës. Është mrekulli. Çdo instrument të jep kënaqësi kur i bie, të dridhet vibracioni”, thotë ai.

Sot, tingujt e klarinetës së tij janë dëshmia më e bukur se kufizimet fizike nuk mund ta mposhtin vullnetin njerëzor. Përmes historisë së tij, Nevruz Bramo përcjell një mesazh të fortë për të gjithë personat me aftësi të kufizuara: të mos izolohen, të mos dorëzohen përballë paragjykimeve dhe ta jetojnë jetën ashtu siç e dëshirojnë.

“Këtu të gjithë janë artistë. Të gjithë janë të mrekullueshëm. Ta jetojnë jetën si u vjen, ta shijojnë. Jemi kalimtarë në këtë botë dhe do të ikim si kalimtarë”, thotë Bramo.

Historia e Nevruz Bramos u rrëfye gjatë një koncerti të organizuar në Kolonjë nga persona me aftësi të kufizuara, një aktivitet që solli në skenë jo vetëm muzikë dhe art, por edhe histori frymëzuese të njerëzve që kanë zgjedhur të mos përcaktohen nga kufizimet e tyre, por nga talenti, puna dhe dashuria për jetën.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Belshi, “Toskana e vogël” që po tërheq gjithnjë e më shumë turistë: Mikpritja dhe gatimet na lanë pa fjalë

“E konsideruar si ‘Toskana e vogël’ e Shqipërisë, Belshi vazhdon të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj. Me peizazhet e veçanta...
16:41 | 20/07/2026

Ekspertët paralajmërojnë: Fëmijët nën dy vjeç nuk duhet të ekspozohen ndaj ekraneve

Fëmijët nën moshën dy vjeç nuk duhet të ekspozohen ndaj ekraneve, pasi përdorimi i hershëm i televizorit, telefonave apo tabletëve mund të ndikojë negativisht në...
16:54 | 04/07/2026

Alarmi, UNICEF publikon shifrat: Inteligjenca artificiale po përhapet me shpejtësi te fëmijët

Sipas një analize të fundit të UNICEF-it, mbi 20 milionë fëmijë në 10 vende të botës kanë përdorur tashmë platforma të inteligjencës artificiale, duke e...
19:34 | 03/07/2026