Irani ekzekuton me varje dy të dënuar për vrasjen e efektivëve të policisë gjatë protestave

19 Korrik 2026 | 15:12

Gjyqësori iranian njoftoi ekzekutimin me varje të dy burrave të dënuar për vrasjen e efektivëve të policisë gjatë protestave antiqeveritare që përfshinë vendin në dhjetor dhe janar.

Sipas autoriteteve iraniane, Erfan Esfandiary dhe Gol-Mohammad Mohammadi akuzoheshin se kishin lidhur dy oficerë policie në një tabelë rrugore, i kishin goditur me gurë, i kishin spërkatur me benzinë dhe më pas u kishin vënë flakën në qytetin e Isfahanit.

Prokuroria pretendon gjithashtu se të dy të dënuarit filmuan ngjarjen dhe publikuan pamjet në rrjete televizive jashtë Iranit.

Gjyqësori bëri të ditur se ekzekutimet u kryen pasi dënimet e tyre u lanë në fuqi nga Gjykata Supreme, pa dhënë detaje mbi datën e arrestimit apo zhvillimin e procesit gjyqësor.

Protestat, që nisën në dhjetor si reagim ndaj rritjes së kostos së jetesës, u shndërruan më pas në demonstrata të gjera kundër qeverisë, duke arritur kulmin në fillim të janarit.

Autoritetet iraniane ia atribuan dhunën “akteve terroriste” të orkestruara nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, ndërsa organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë raportuar për një represion të gjerë me mijëra viktima.

Pas konfliktit të armatosur mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, arrestimet dhe ekzekutimet në Iran janë shtuar ndjeshëm.

Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, përfshirë Amnesty International, Irani renditet i dyti në botë për numrin e ekzekutimeve, pas Kinës.

Organizatat Iran Human Rights dhe Ensemble contre la peine de mort (ECPM) raportojnë se gjatë vitit 2025 autoritetet iraniane ekzekutuan mbi 1,639 persona, shifra më e lartë e regjistruar që nga viti 1989.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit paralajmëron Iranin: Do të reagojmë me gjithë fuqinë nëse sulmohemi

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, paralajmëroi të hënën se vendi i tij do të reagojë me forcë nëse sulmohet nga Irani, pasi një...
22:08 | 19/07/2026

Rusia godet me raketa anijen turke me grurë në Detin e Zi, 5 marinarë të vrarë

Një anije tregtare turke është goditur të dielën nga tre raketa ruse, duke shkaktuar vdekjen e pesë anëtarëve të ekuipazhit, njoftoi Marina e Ukrainës. Ndërkohë,...
22:03 | 19/07/2026

Vritet në Itali gazetari sportiv Luca Esposito, trupi i tij gjendet i djegur

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin mediatik dhe sportiv në Itali. Gazetari sportiv Luigi Esposito, i njohur me emrin Luca, është gjetur i pajetë...
18:07 | 19/07/2026