English

Irani refuzoi bisedimet bërthamore, SHBA-ja kërcënon me përgjigje ushtarake

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Shtëpia e Bardhë e paralajmëroi përsëri Teheranit të dielën se do të përballet me përgjigje ushtarake, nëse nuk pranon arritjen e një marrëveshjeje për programin e saj bërthamor.

- Advertisement -

Një ditë më herët, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, e hodhi poshtë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për bisedime.

“Ne shpresojmë se regjimi i Iranit i zgjedh interesat e veta më të mira dhe popullin e vet në vend të terrorit”, tha zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Brian Hughes, në një komunikatë të dielën, duke i përsëritur deklaratat e presidentit Donald Trump, që tha se “nëse detyrohemi të futemi ushtarakisht, do të jetë e tmerrshme”, shkruan REL.

Në një intervistë me Fox Business, Trump tha: “Ka dy mënyra për të trajtuar Iranin: ushtarakisht, ose duke bërë një marrëveshje” për ta parandaluar Teheranin nga sigurimi i armëve bërthamore.

“Ua kam shkruar një letër atyre, ku thashë, ‘shpresoj që do të negocioni sepse, nëse duhet të veprojmë ushtarakisht, do të jetë e tmerrshme'”, tha Trump.

“Po të isha në vendin e tyre, do të bisedoja për një marrëveshje. Nuk jam i sigurt se të gjithë pajtohen me mua, por ne mund ta arrijmë një marrëveshje që do të ishte po aq e mirë sa një fitore ushtarake”, shtoi ai.

“Por, koha po afron. Diçka do të ndodhë në një mënyrë ose tjetrën”, theksoi ai.

Pjesë nga intervista u transmetuan më 7 mars, por intervista e plotë do të shfaqet më 9 mars, tha Fox.

Ndërkohë, Ali Khamenei tha më 8 mars gjatë një fjalimi para një grupi zyrtarësh iranianë – pa përmendur drejtpërdrejt Trumpin apo Shtetet e Bashkuara – se “bisedimet e tyre nuk synojnë zgjidhjen e problemeve”.

“Ato bëhen për… ‘le të flasim për të imponuar atë që duam mbi palën tjetër që është ulur përballë nesh’”, tha Khamenei.

“Këmbëngulja e disa qeverive ngacmuese për bisedime nuk ka qëllim zgjidhjen e çështjeve… Bisedimet për ta janë një rrugë për të paraqitur kërkesa të reja; nuk kanë të bëjnë vetëm me çështjen bërthamore të Iranit… Irani nuk do t’i përmbushë pritshmëritë e tyre”, u citua të ketë thënë Khamenei nga mediat shtetërore.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha më 8 mars se Teherani ende nuk ka pranuar ndonjë letër nga Trumpi.

“Kemi dëgjuar për të [letrën e Trumpit], por nuk kemi marrë asgjë”, tha Araghchi në televizionin shtetëror.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë thënë prej kohësh se nuk do ta lejojnë kurrë Teheranin të fusë në dorë armë bërthamore, ndërsa Irani vazhdon ta pasurojë uraniumin në nivele pranë atyre të përdorura për prodhimin e armëve bërthamore.

Teherani ka këmbëngulur se programi i tij është vetëm për qëllime paqësore.

 

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?