Ish-ministri i Jashtëm gjerman vë në dyshim mbijetesën e NATO-s: Pse bombardimi i Serbisë, ishte domosdoshmëri

1 Maj 2026 | 11:57

Në intervistë për revistën DER SPIEGEL, Joschka Fischer mbron me vendosmëri vendimin e tij të vitit 1999 për të ndërhyrë ushtarakisht kundër regjimit të Slobodan Millosheviqit, duke e cilësuar si një domosdoshmëri historike për të parandaluar një gjenocid të ri në truallin europian.

Ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, i ka dhënë një intervistë të gjatë revistës gjermane DER SPIEGEL.

Fischer shpërfaq një skepticizëm të thellë për të ardhmen e rendit gjeopolitik, duke vënë në dyshim mbijetesën e NATO-s si aleancë transatlantike nën ndikimin e Donald Trumpit.

Fischer e përshkruan presidentin amerikan si një figurë thellësisht antipatike dhe argumenton se politika e tij ndaj Iranit ka dështuar, duke fuqizuar edhe më shumë elementet radikale në Teheran.

Sipas tij, besimi te SHBA-ja si fuqi mbrojtëse është thyer në mënyrë të pariparueshme dhe Europa nuk mund të mbështetet më te siguria që vjen nga përtej Atlantikut, pavarësisht se kush mund të jetë në Shtëpinë e Bardhë në të ardhmen.

Kjo situatë e re e detyron Gjermaninë dhe Europën që të rishikojnë rrënjësisht fuqinë e tyre ushtarake, duke përfshirë forcimin e kapaciteteve konvencionale dhe hapjen e debatit të pashmangshëm për një alternativë bërthamore europiane në bashkëpunim me Francën dhe Britaninë e Madhe.

Pjesën më emocionale të intervistës Fischer ia kushton çështjes së Kosovës, të cilën e konsideron si pikën kthesë që ndryshoi rolin ushtarak të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai mbron me vendosmëri vendimin e tij të vitit 1999 për të ndërhyrë ushtarakisht kundër regjimit të Slobodan Millosheviçit, duke e cilësuar si një domosdoshmëri historike për të parandaluar një gjenocid të ri në truallin europian.

Fischer sqaron se përvoja e hidhur e masakrës së Srebrenicës në Bosnjë ishte faktori vendimtar që e bëri të kuptonte se diplomacia nuk mjaftonte përballë një nacionalizmi të egër që ishte i gatshëm për terror masiv dhe vrasje sistematike.

Ai thekson se nëse regjimi i Millosheviqit do të lejohej të zbatonte agjendën e tij në Kosovë, jo vetëm që do të shfarosej popullsia shqiptare, por do të shkatërrohej përgjithmonë ideja e një Europe të bashkuar dhe procesi i zgjerimit në Ballkan.

Ndonëse u kritikua në atë kohë, madje edhe brenda partisë së tij, Fischer insiston se krahasimi me tmerret e nazizmit ishte i drejtë në kontekstin e parandalimit të një krimi kundër njerëzimit.

Ai pranon se i ishte dashur kohë për të kuptuar natyrën e vërtetë të konfliktit, por mohon se ka qenë i nxituar, duke u shprehur se dëbimet masive dhe dhuna serbe në Kosovë ishin një realitet i pamohueshëm që kërkonte përgjigje të menjëhershme ushtarake.

Sa i përket Rusisë, Fischer pranon se Perëndimi ushqeu iluzione për një paqe të qëndrueshme pas rënies së Murit të Berlinit, por shton se ai personalisht nuk i ka besuar kurrë Vlladimir Putinit. Ai kujton se brutaliteti i luftës në Çeçeni dhe reagimi i ashpër i Putinit ndaj Revolucionit të Portokalltë në Ukrainë ishin sinjale të qarta të rrezikut që kanosej.

Sot, ai e sheh me kënaqësi faktin që Partia e të Gjelbërve ka ruajtur një kurs realist dhe solidariteti me Ukrainën, duke u larguar nga pacifizmi dogmatik.

Në fund të bisedës, Fischer lë një mesazh të qartë për kombin e tij: Gjermania duhet të rritet brenda kuadrit europian dhe të marrë përgjegjësi ushtarake, pa rënë në kurthin e nacionalizmit, por duke u bërë shtylla mbrojtëse e një kontinenti që tashmë duhet të mësojë të ecë pa ndihmën e Amerikës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Një sagë familjare e mbushur me intriga dhe vrasje: Pse Kim Jong-un nuk flet kurrë për nënën e tij “japoneze”

Spektri i nënës e ndjek Kim Jong-un. Marshalli-President i Koresë së Veriut është paraqitur para popullit të tij si një baba shembullor, duke ekspozuar bashkëshorten...
22:36 | 29/06/2026

Ministri izraelit i Mbrojtjes: Trump lidhi konfliktet e Iranit dhe Libanit pavarësisht kundërshtimit tonë

Ministri i mbrojtjes i Izraelit tha të hënën se presidenti i SHBA-së, Donald Trump këmbënguli në lidhjen e luftërave në Liban dhe Iran gjatë bisedimeve...
22:28 | 29/06/2026

Irani i përgjigjet Macron: Franca të mos provokojë situatën në Hormuz, çminimin e bëjmë vetë

“Çminimi i Ngushticës së Hormuzit është një operacion që do të kryhet ekskluzivisht nga Irani, në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit (MoU) midis Teheranit dhe...
22:20 | 29/06/2026