Ish-trajneri i Uest Hem dhe Totenhem, Heri Redknap, ka shprehur dyshime të forta në lidhje me trajnerin e ri të Anglisë, Tomas Tuhel.
Në një intervistë për tabloidin britanik The Mirror, Redknap theksoi se gjermani nuk mund të gjykohet ende bazuar vetëm në ndeshjet kundër ekipeve të dobëta si Shqipëria dhe Letonia, duke i cilësuar këto përballje si “sfida të pavlera”.
Në një nga komentet më të ashpra, ai shtoi se “është e vështirë të gjykohet Tuhel tani, pasi ka përzgjedhur një ekip që luan përballë ekipeve të dobëta. Çfarë mund të mësojmë nga një fitorja ndaj Letonisë? Realisht, do të ishte më interesante të shikoj një episod të serialit Coronation Street“.
Në historinë e futbollit anglez, Tuhel është trajneri i tretë i huaj dhe ka marrë përsipër detyrën me objektivin e qartë: fitimi i Kupës së Botës 2026.
Ai ka firmosur një kontratë prej 18 muajsh me Federatën Angleze të Futbollit. Paraardhësi i tij, Gareth Southgate, ka arritur suksese të rëndësishme, duke e çuar ekipin deri në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2018 dhe në finalet e Euro 2021 dhe 2024.
“Duhet të fitojë diçka për të pasur sukses. Gareth na çoi larg, ai e pati mundësinë e tij, tani është koha e Tuhel. Ka një grup lojtarësh të shkëlqyer, por ky është një moment kyç për të treguar aftësitë e tij si trajner”, tha Redknap.
Anglia dhe Shqipëria janë takuar gjithsej 6 herë në histori, dhe në çdo përballje, janë anglezët që kanë dalë fitues. Në këto ndeshje, Shqipëria ka shënuar vetëm një gol dhe ka pësuar 19 herë.
Në renditjen e fundit të FIFA-s, Anglia mban vendin e katërt, ndërsa Shqipëria pozicionohet e 65-ta.
LEXONI GJITHASHTU: