Izraeli nën sulme të reja balistike iraniane, raketa godet spitalin në Beer Sheva

19 Qershor 2025 | 07:53

Spitali kryesor në jug të Izraelit, Qendra Mjekësore Soroka në Beer Sheva, është goditur nga një raketë iraniane gjatë një vale të re sulmesh balistike. Një zëdhënës i spitalit konfirmoi se sulmi ka shkaktuar dëme të mëdha në disa prej ndërtesave të kompleksit dhe ka lënë dhjetëra persona të plagosur.

Në një deklaratë zyrtare, drejtuesit e spitalit u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos paraqiten në ambientet e Sorokës, për shkak të rrezikut nga sulmet e vazhdueshme dhe dëmtimet e shumta në infrastrukturë.

“Spitali ka pësuar dëme të konsiderueshme në disa sektorë të tij. Aktualisht po veprojmë vetëm me kapacitet emergjent,” – thuhet në deklaratën e institucionit.

Zëdhënësja e Qendrës Mjekësore Soroka deklaroi se po vlerësohet shkalla e dëmeve dhe numri i të plagosurve.

Ndërkohë, pas goditjes nga raketa, spitali është evakuuar, pasi dyshohet për një rrjedhje substancash të rrezikshme në katin e sipërm të ndërtesës. Policia ka nisur evakuimin dhe largimin e njerëzve nga zona përreth.

Ministri izraelit i Shëndetësisë, Uriel Buso, e denoncoi sulmin e drejtpërdrejtë të Teheranit ndaj Spitalit Soroka në Be’er Sheva si një kalim të “vijës së kuqe” dhe një krim lufte.

“Një akt terrori dhe kalim i një vije të kuqe. Një krim lufte i kryer qëllimisht nga regjimi iranian kundër civilëve të pafajshëm dhe personelit mjekësor të angazhuar në shpëtimin e jetëve njerëzore,” – deklaroi ministri Buso.

Qendra Mjekësore Soroka, që ndodhet në qytetin Beer Sheva, ofron shërbime shëndetësore për rreth 1 milion banorë të rajonit jugor të Izraelit dhe disponon mbi 1,000 shtretër, sipas faqes së saj zyrtare.

Sulmi i lidhur me tensionet bërthamore

Sipas televizionit shtetëror iranian, sulmi ndaj spitalit dhe zonave të tjera në Izrael erdhi si përgjigje ndaj bombardimit izraelit të reaktorit të ujit të rënduar në Arak, Iran. Autoritetet iraniane deklaruan se nuk ka rrezik rrezatimi nga goditja e reaktorit.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA e Iranit ka deklaruar se “objektivi kryesor” i sulmit me raketa që dëmtoi një spital izraelit ishte një park teknologjik pranë tij, i cili dyshohet të përdorej nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF).

Objektivi i sulmit, parku teknologjik Gav-Yam Negev, ndodhet më pak se një milje larg Qendrës Mjekësore Soroka, spitali kryesor në Be’er Sheva, i cili u dëmtua nga goditja raketore.

“Objektivi kryesor i sulmit ishte baza e gjerë e komandës dhe inteligjencës së ushtrisë izraelite (IDF C4i), si dhe kampusi i inteligjencës ushtarake, të vendosur në parkun teknologjik Gav-Yam, pranë spitalit Soroka në Be’er Sheva,” tha IRNA.

Shërbimet e emergjencës në Izrael raportuan se të paktën 65 persona u plagosën gjatë valës së fundit të sulmeve iraniane të enjten.

Tre persona janë në gjendje të rëndë, përfshirë një burrë 80-vjeçar dhe dy gra rreth moshës 70-vjeçare, njoftoi shërbimi i urgjencës Magen David Adom (MDA) në një përditësim.

Dy persona ndodhen në gjendje të moderuar, ndërsa 42 të tjerë pësuan lëndime të lehta nga shrapnelat dhe shpërthimet. Gjithashtu, 18 persona u plagosën gjatë evakuimit drejt strehimeve, pa detajuar gjendjen e tyre.

Ekipet e MDA-së po ofrojnë kujdes mjekësor në terren dhe po transportojnë të plagosurit në spitale.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se kanë identifikuar raketa të nisura nga Irani, ndërsa sirena alarmi u aktivizuan në të gjithë territorin izraelit.

“Sistemet mbrojtëse po veprojnë për të neutralizuar kërcënimin,” deklaroi IDF.

Forcat i bënë thirrje publikut të hyjë menjëherë në strehimoret kundër bombave dhe të qëndrojë atje deri në njoftim të mëtejshëm.

Ndërkohë, agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, Fars, raportoi gjithashtu për valën e raketave.

Sipas postimit në Telegram rreth orës 7:40 të mëngjesit, sipas orës lokale të Iranit, Irani ka nisur edhe dronë drejt Izraelit disa orë më parë.

Një video e filmuar nga një producent i CNN në Jerusalem tregon raketat që fluturojnë në qiell.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026