Izraeli sulmoi Iranin, deklarata e Netanyahut: Moment vendimtar për historinë tonë

13 Qershor 2025 | 10:26

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mbajti këtë të premte një fjalim drejtuar kombit, ku njoftoi nisjen e operacionit ushtarak në shkallë të gjerë ndaj Iranit, duke deklaruar se objektivi kryesor janë objektet bërthamore të Teheranit. Netanyahu e cilësoi këtë si një moment vendimtar për sigurinë e Izraelit dhe të popullit hebre.

“Jemi në një moment vendimtar në historinë e Izraelit,” deklaroi Netanyahu, teksa konfirmoi nisjen e operacionit të titulluar “Zgjimi i Luanit”.

Sipas tij, ofensiva e drejtpërdrejtë bëhetpër të zmbrapsur “kërcënimin iranian ndaj vetë mbijetesës së shtetit hebre”.

Fjalimi i Netanyahu-t mbante një ton të fortë historik. Ai risolli kujtimet e Holokaustit për të justifikuar vendimin për veprim ushtarak.

“Pothuajse një shekull më parë, përballë nazistëve, një brez udhëheqësish dështoi të vepronte në kohë. Politika e qetësimit çoi në vdekjen e 6 milionë hebrenjve, një të tretën e popullit tim,” tha ai.

“Sot, nuk do të ketë më kurrë. Izraeli ka treguar se ka nxjerrë mësimet e historisë,” theksoi Netanyahu.

Netanyahu sqaroi se sulmet kanë në shënjestër objektet bërthamore, fabrikat e raketave balistike, si dhe shkencëtarët dhe komandantët që sipas Izraelit janë të përfshirë në përpjekjet për ndërtimin e një arme bërthamore iraniane.

“Ky operacion do të zgjasë për aq ditë sa të jetë e nevojshme për të eliminuar kërcënimin,” shtoi ai.

Pas fjalimit, autoritetet izraelite shpallën gjendje emergjente, ndërsa Irani reagoi menjëherë duke lëshuar mbi 100 dronë drejt Izraelit në shenjë hakmarrjeje.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ndërpritet pagesa me karta krediti në të gjithë Japoninë

Një ndërprerje e gjerë në sistemin e pagesave me karta krediti ka shkaktuar probleme në mbarë Japoninë, duke penguar mijëra qytetarë të kryejnë pagesa dhe...
10:03 | 16/07/2026

TikTok nën hetim në Britani, shkak dyshimet për sigurinë e fëmijëve në platformë

Një hetim është nisur ndaj TikTok për shkak të masave të sigurisë së fëmijëve. Hetimi nga rregullatori i medias Ofcom vjen një muaj pasi qeveria...
09:59 | 16/07/2026

Vizita e Von der Leyen në Kiev, momenti kur presidentja e KE-së dërgohet në bunker pas alarmit për sulm ajror (VIDEO)

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u detyrua të strehohej pasi u dha një alarm për sulm ajror gjatë vizitës së saj në...
09:27 | 16/07/2026