Këpucari i fundit në Vlorë, Hamdi Mehmeti mban gjallë zanatin prej 50 vitesh

21 Maj 2025 | 16:40

Zanatet në vendin tonë po shkojnë drejt zhdukjes. Ata që vijojnë t’i mbajnë gjallë numërohen me gishtat e dorës. Në Vlorë, punon prej më shumë se 5 dekadash një këpucar, i cili është më i vjetri në qytetin bregdetar. Hamdi Mehmeti na njeh me historinë e tij se si e përqafoi këtë profesion.

“Unë jam Hamdi Mehmeti, këpucar i vjetër prej 52 vjetësh në këtë zanat. Zanatin e kam filluar në moshën 15-vjeçare. Në këtë zanat u futa kur mbaruam shkollën 8-vjeçare. Në atë kohë na jepte fletë pune këshilli i lagjes dhe fillova në moshën 15 dhe vazhdoj deri sot. Në këtë zanat në fillim e kishim pak të vështirë, pastaj u ambientuam shumë shpejt dhe nuk u ndamë më – u bëmë njësh me zanatin”, tregon i moshuari.

Edhe pse vitet i rëndojnë mbi supe, Hamdiu tregon se dëshirën për punë e ka të madhe. Vite më parë, ai prodhonte edhe vetë këpucë për shitje.

“Për zanatin tim nuk është asnjë gjë e vështirë, më pëlqen dhe e bëj me gjithë dëshirë dhe shpirt. Proces të vështirë nuk kam, të gjitha i bëj me qejf. Tani, mosha ime – kuptohet – nuk i përballon të gjitha punët, por pjesën më të madhe e bëj. Punët e mëdha, porositë, këto nuk i bëj më se na konkurron fabrika. Merrem me riparimet e këpucëve, që nga më të shtrenjtat, deri te më të lirat”, shprehet ai.

Afro 70 vite jetë dhe mbi 50 vite profesion, Hamdiu tregon se me këtë zanat rriti fëmijët dhe mbajti familjen.

“Kam pasur klientelën time, dhe pse mosha kaloi, mendoja se do kisha më pak punë, por prapë jam i kërkuar. Kam kërkesë nga të rinjtë. Me këtë profesion jeton mirë, mban familjen, përmbush nevojat. S’kemi më fuqinë e mëparshme, por prapë punojmë. Ustai mund të rrijë 8 orë në punë, por nuk jep të njëjtin rendiment. Tani punoj më pak, kujdesem për shëndetin. Kimikatet e kanë bërë të vetën gjithashtu”, tregon ai.

E vetmja brengë për të në lidhje me profesionin është neglizhenca e të rinjve që nuk e duan si zanat.

“Kam një djalë, ai mori punë tjetër. Nuk ia dhashë as vetë se do lidhej me këtë punë. Zanati të lidh, s’mund të ikësh kur të duash. Duhet të jesh korrekt me klientët. Klienti le këpucët – do t’i marrë në orar, duhet t’i punosh me përpikmëri. Uroj që zanati të mos zhduket, sepse zanati të ushqen. Rinia le të kthehet te zanatet, të mos largohen”, thotë këpucari.

Shumë profesione në Vlorë, si këpucaria, artizanati apo dhe thurja po zhduken, sepse brezi i ri është më i fokusuar tek teknologjia dhe zhvillimet e saj.

 

LEXONI GJITHASHTU:

 

 

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Amnistia Penale, 72 të dënuar lirohen sot nga burgu i Drenovës dhe Pojskës

Këtë të mërkurë nga institucioni i vuajtjes së dënimit të Drenovës lënë qelitë e këtij burgu 60 persona të dënuar për vepra penale të ndryshme...
08:14 | 15/07/2026

Aksident i rëndë në aksin Vranisht-Vlorë, makina përplas për vdekje 80-vjeçaren

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Vranisht-Vlorë. Sipas raportimeve të policisë, drejtuesi i automjetit, A. Ll.,...
07:19 | 15/07/2026

“10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor

Gazetari Bledian Koka i ftuar këtë të martë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me sistemin arsimor në vend....
22:04 | 14/07/2026