Në pak muaj në Elbasan janë bërë 11 kallëzime për cenim dhe denigrim në rrjetet sociale. Krimet kibernetike së fundmi janë një nga format e reja të krimit nëpërmjet të cilave po arrihen qëllime kriminale të autorëve nëpërmjet shantazhit, gjobëvënies e deri në denigrimin e figurës së individit.
E për rrjedhojë lufta ndaj këtyre krimeve po merr një tjetër vëmendje edhe nga institucionet ligjzbatuese, të cilat tashmë kanë hapur seksione të posaçme për këto lloj krimesh. Një e tillë ndodhet edhe në drejtorinë vendore të policisë së Elbasanit, e cila ka hetuar dhe zbuluar disa raste.
“Për vitin që lamë kemi pasur gjithsej 11 raste ku qytetarët kanë ardhur dhe kanë paraqitur kallëzimet e tyre në zyrat tona, në lidhje me keqpërdorimin e të dhënave të tyre në rrjetet sociale. Doja të veçoja dy raste që kemi pas së fundmi; një rast që ka ndodhur në Librazhd, ku janë përdorur të dhënat e një shtetaseje. Pas veprimeve hetimore që kemi kryer është zbuluar autori i kësaj vepre dhe e kemi shpallur në kërkim. Gjithashtu në fundvit bëmë arrestimin e një shtetasi pasi kishte krijuar një numër shumë të lart profilesh false, duke keqpërdorur të dhënat e një personi dhe duke e përndjekur ketë shtetas”, thotë Bledar Debrova, specialist i Krimit Kibernetik në Policinë e Elbasanit.
Derbrova tregon nga kush vijnë me tepër kallëzimet.
“Në përgjithësi kallëzimet që janë bërë në zyrën tonë kanë qenë të vajzave dhe grave të moshës mbi 25 vjeç. Personat që preken nga kjo pjesë të cilëve u cenohet figura e tyre, krijon shqetësim në familje, akumulohet një stres shumë i madh nga personi i cili mund ta çojë deri në marrjen e një mase ekstreme për veten e vet”, shprehet ai.
Por ndjekja penale e këtyre rasteve është vetëm njëra anë e medaljes. Personat që bien preh e këtyre krimeve, në shumicën e rasteve janë të rënduar nga ana psikologjike dhe emocionale dhe natyrisht kërkojnë përkrahje dhe trajtim nga psikologët.
Rastet e shantazhimeve në Qarkun e Elbasanit nuk kanë munguar as gjatë muajit Janar të vitit 2024. Rasti i fundit është regjistruar para pak ditësh në Librazhd. Në shumicën e rasteve personat që kanë rënë pre e abuzimit kibernetik, referuar materialeve të hetuara nga policia e Elbasanit, janë kryesisht femra të moshës mbi 25 vjeçe.