Kol dhe Mrika Lleshaj supergjyshërit që mundën COVID-19

10 Dhjetor 2020 | 07:20

Prej 72 vjetësh ata kujdesen për njeri–tjetrin. Në një rrëfim ekskluziv për Euronews çifti i të moshuarve tregoi se si arritën ta kalojnë sëmundjen.

Jetojnë në fshatin Prosek të Mirditës, në një kullë ku kanë rritur 8 fëmijë.

Pas një muaji kurimi në shtëpi, ata i janë rikthyer punëve,  për të cilat thonë se kujdesen çdo ditë në këto 25 vitet e fundit që jetojnë së bashku larg fëmijëve.

Përballja me virusin nuk ka qenë e lehtë për ta, por në fund ja kanë dalë. Teksa rrëfyen momentet e vështira, Kola tregoi se si arriti ta kalojë këtë sëmundje.

“Unë kam pesë operacione të trup, me i mbledh të pesta këto nuk ma ka bo sa ma ka bo kjo sëmundje. Kam kërkuar dhe ndihmën e mjekut dhe nuk është kollaj kjo me e përballu edhe me shpenzime. Mua familja më ka vënë dietë. Ditën e parë që më ka kap sëmundja e 60 ditë, tre herë në ditë unë kam ngrënë tre lugë mjaltë tre limona dhe tre portokalle. Duhet ajër, duhet të ecësh. Kam bërë prova, tani shkoj deri në një kilometër e gjysmë,” – u shpreh 90-vjeçari.  

Ai thotë se në spital nuk do të shkonte, duke u nisur nga fakti që qendra shëndetësore e fshatit nuk ka asnjë kusht.

“Nuk do shkoja për arsye se qendra shëndetësore nuk ka një aparat me më mat tensionin mua, s`ka një shiringë,” – tha ai.

94 vjeçarja Mrika, tregon se kujdesi i bashkëshortit 90 vjeçar edhe pse i sëmurë njësoj sa ajo, s`i ka munguar ditë-natë. Kafen dhe një gotë raki për çdo ditë, nuk i ka lënë as në ditët me COVID.

“Koka më dhimbte më tepër, gjë s`mund të haja, unë vetëm se dua kafen e rakinë. Këtu kisha të shtruarën time, aty ai, gjithë natën qanim, bërtisnim, çohej në këmbë për t’u kujdesur për mua,” – tregoi Mrika.

Krahas kujdesit për njeri-tjetrin një nga vajzat u mbyll bashkë me prindërit për t`u shërbyer, e kur gjendja e tyre vazhdoi po njësoj, nga emigracioni u kthyen edhe fëmijët e tjerë, duke i shërbyer me radhë njëri pas tjetrit.

Një familje e madhe e me shumë fëmijë sipas të zotit të shtëpisë është jo vetëm traditë e shqiptarit por një mbështetje për ditë të mira e të vështira.  

“Djemtë më kanë ardhur të tre djemtë nga Italia, vajza, kunata, e reja, të gjithë më kanë ardhur këtu më kanë shërbyer nga 10 ditë për shoq,” – tha Kola.  

Historia e tyre është një mesazh shprese në ditë si këto ku COVID-19 ka mbërthyer gjithë botën, por që supergjyshërit nuk i mposhti.

Ata presin të festojnë së bashku 100 vjetorin e lindjes dhe 80 vjetorin e martesës së tyre.    

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dita e tretë e protestës, qytetarët kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec! Dalin me pankarta në duar

Protesta kundër projektit në Zvërnec vijoi edhe këtë të martë, duke shënuar ditën e tretë radhazi të kundërshtimeve nga banorët dhe qytetarët e zonës. Të...
18:23 | 02/06/2026

Nisin provimet e Maturës Shtetërore 2026, sot provimi i Gjuhës së Huaj

Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin nisin sot provimet e Maturës Shtetërore 2026, me testin e parë, atë të Gjuhës së Huaj. Procesi do...
08:14 | 02/06/2026

Protestat për Pishë-Poron, Rama: Zona është e kategorisë së pestë dhe lejon aktivitet ekonomik

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij para grupit parlamentar të PS-së, sqaroi edhe çështjen e mbrojtjes së zonës së Pishë-Poros, për të cilën u...
10:54 | 01/06/2026