“Komploti” prezantohet në Prishtinë

12 Nëntor 2023 | 09:09

Nga Kosovë Gjoci

Salla u mbush plot. Intelektualë, profesorë, përfaqësues institucionesh, miq e lexues të shumtë, të enjten kishin vendosur në agjendën e tyre pjesëmarrjen në promovimin e librit më të ri të autorit Ben Blushi.

Shumë prej tyre nuk e dinin ende se çka sjell ky libër i titulluar ‘Komploti’, por mjaftoi emri i autorit që vendi mos t’i zërë të gjithë.

E ishte vetë autori ai që në librarinë ‘Dukagjini’ në qendër të Prishtinës, fillimisht tregoi arsyet pse zgjodhi ta promovojë këtë vepër në Kosovë, duke zbuluar pastaj disa pjese nga krijesa e tij e fundit.

“Nuk jam rastësisht në Kosovë, arsyeja pse hera e parë ky libër prezantohet në Prishtinë, është për shkak se libri është edhe për Kosovën, në libër bëhet fjalë për vitin 2044, të gjithë mendoni se çka do të ndodhë pas 20 vjetësh në Kosovë, Shqipëri, Evropa në përgjithësi. A do jetë kjo që është? A do jetë ky rend? A do të ketë demokraci? A do të kthehet diktatura? A do jenë shqiptarët më pak apo më shumë?” tha Blushi.

“Në vitin 2044 në Shqipëri për shkak të zbrazjes demografike, pas 20 vjetësh mund të jemi 1.5 milion banorë, sipas parashikimeve të OKB-së, për shkak se ka më pak shqiptarë dhe komunitetet emigrante janë shtuar, ne kemi sot 2-3 mijë afganë për shkak se talebanët morën pushtetin në Afganistan dhe tashmë ata janë në Shëngjin. Me qenë se popullsia e Shqipërisë zvogëlohet, afganët rriten, lindin më shumë, janë pak më shumë energjik si popull dhe sipas librit, në vitin 2044 janë 200 mijë afganë dhe meqenëse ata janë rritur në bashkinë e Shëngjinit, sipas romanit, ata organizohen dhe kryetar i bashkisë bëhet një afgan dhe organizohen politikisht”, tregoi autori

E ata që e kanë lexuar librin folën në superlativë për temën e trajtuar, stilin e të shkruarit dhe gërshetimin e imagjinatës me realitetin që Blushi sjell me “Komplotin”.

“Në këtë roman shfrytëzohet satira dhe humori i zi që të trajtohen tema serioze për identitetin tonë kombëtar, të trajtojë luftën, vdekjen dhe mendoj që kjo strategji e rrëfimit e tërheq vëmendjen e lexuesve kah absurditeti”, tha Lindita Tahiri, profesoreshë në UP.

“Libri i Blushit arrin në mënyrë shumë finoke ta trajtojë, analizojë dhe zbërthejë imagjinatën perëndimore dhe rolin e tjetrit me T të madhe, në ndërtimin dhe formimin e identitetit perëndimor evropian”, tha shkodran Ramadani.

Fundi i fjalës së recensionistëve i la vend pyetjeve e diskutimeve të shumta të të pranishmëve me autorin Blushi.

Blushi e përmbylli këtë komunikim me lexuesin kosovar, nga i cili gëzon një simpati të veçantë, me një pyetje që ka peshë të madhe e zgjon debat sa herë që ajo bëhet dhe e cila trajtohet edhe nga “Komploti”.

“A duan shqiptarët të bashkohen”?

Përgjigjen tha se e do me veprime e jo me fjalë.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Nga Gjermania në Korçë, turistët mësojnë hapat e valleve shqiptare

Korça po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacionin ku turistët nuk njihen vetëm me historinë, muzeumet dhe kulinarinë, por edhe me traditat që...
10:12 | 02/06/2026

“Qiell i hapur, mendje të hapura, rikthehet DEA Open Air, 40 filma nga 25 vende në garë

Nën moton “Qiell i hapur, mendje të hapura” rikthehet në Tiranë edicioni I 13-të I Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air”. Pjesë e këtij...
17:52 | 01/06/2026

Komedia “Sonte do darkojmë në shtrat” ngjitet në skenën e teatrit në Gjirokastër

Premiera e komedisë “Sonte do darkojmë në shtrat” është shfaqur në teatrin e Gjirokastrës, duke tërhequr interesimin e publikut dhe artdashësve të qytetit. Vepra e...
20:22 | 31/05/2026