Kongresmenët amerikanë duan ta zhvendosin samitin e OSBE-së nga Beogradi në SHBA

24 Korrik 2026 | 15:52

Një grup dypartiak ligjvënësish amerikanë po bën presion që sesioni vjetor i vitit 2027 i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të zhvillohet në Charleston, Karolina e Jugut, dhe jo në Beogradm shkruan Reuters.

Përfaqësuesi republikan Joe Wilson pritet të paraqesë të premten një rezolutë të përbashkët në Kongres, të mbështetur nga 40 bashkësponsorizues, ku kërkohet që takimi i OSBE-së, me pjesëmarrjen e deri në 57 vendeve, të organizohet në SHBA.

Charleston dhe Beogradi janë dy kandidatët për të pritur sesionin vjetor të OSBE-së, organizatë që përfshin vende nga Evropa, Azia Qendrore dhe Amerika e Veriut dhe që vitet e fundit është fokusuar kryesisht te pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Debati ka nxjerrë në pah edhe ndarjet në Uashington lidhur me marrëdhëniet me Serbinë. Një pjesë e ligjvënësve amerikanë kritikojnë Beogradin për lidhjet e tij ekonomike me Rusinë dhe refuzimin për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Moskës. Të tjerë argumentojnë se angazhimi me Serbinë është i rëndësishëm, duke pasur parasysh aspiratën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për Reuters, Joe Wilson tha se organizimi i samitit në SHBA do të demonstronte angazhimin amerikan ndaj aleatëve të OSBE-së. Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, duke e cilësuar Kosovën si një aleate të SHBA-së.

Ndër mbështetësit e rezolutës është edhe demokrati William Keating, anëtari më i lartë demokrat në nënkomisionin për Evropën të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Sipas tij, zhvillimi i samitit në SHBA do të theksonte rolin e rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në institucionet shumëpalëshe.

Ndërkohë, sipas Wilson, senatori republikan Roger Wicker, kryetar i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, ka shprehur rezerva për organizimin e samitit në Charleston, duke argumentuar se mund të mos sigurohen fondet e nevojshme nga Kongresi. Zyra e Wicker nuk ka komentuar mbi këtë çështje.

Nuk është ende e qartë nëse rezoluta do të miratohet, ndërsa Kongresi amerikan pritet të hyjë në pushimin veror deri në muajin shtator.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zjarri në Cap Ferret, mbi 400 persona evakuohen me varka (VIDEO)

Më shumë se 400 persona janë evakuuar me varka drejt skelës së Arcachon për t’i shpëtuar zjarrit të madh që ka përfshirë gadishullin Cap Ferret...
15:24 | 24/07/2026

Autopsia e Daniel Siad nuk zbulon shkakun e vdekjes, vijojnë hetimet

Autopsia e Daniel Siad, agjentit të modelimit që dyshohej se kishte lidhje të ngushta me Jeffrey Epstein dhe rekrutonte gra të reja në emër të...
15:16 | 24/07/2026

Kryeministri Burnham përuroi selinë e re qeveritare në Manchester, e emëron “Nr. 10 Veri”

Kryeministri britanik Andy Burnham hapi sot një seli të re qeveritare në Manchester, të cilën ai do ta quajë “Nr. 10 Veri”, një referencë për...
14:44 | 24/07/2026