Kosova merr nën kontroll një objekt në liqenin e Ujmanit, pretendimet e Serbisë

20 Maj 2025 | 14:57

Autoritetet kosovare e kanë marrë nën kontroll të martën një ndërtesë buzë liqenit të Ujmanit në veri të vendit, duke nxitur reagime nga Serbia, e cila tha se ndërtesa përdorej nga Kryqi i Kuq.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se policia ka asistuar në aksionin për marrjen nën kontroll të këtij objekti.

Vendimi i së martës është më i fundit në një sërë veprimesh të autoriteteve të Kosovës për t’i mbyllur institucionet paralele serbe në territorin kosovar.

Ditë më parë, ato morën nën kontroll objektin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Mitrovicën e Veriut, si dhe mbyllën edhe hapësirat e palestrës sportive, muzeut të qytetit, Institutit për Kulturë, Rini, Sport dhe Shërbime të Specializuara, si dhe të Shoqatës Kulturore-Artistike Kosovski Bozhur.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e dënuan vendimin e autoriteteve kosovare, duke thënë se kanë ndërprerë punën e “njërës prej organizatave humanitare më të vjetra dhe më të rëndësishme në botë”.

Petkoviq tha se ky është një objekt që është përdorur “ekskluzivisht për trajnimin e fëmijëve dhe pjesëmarrësve në kurset e Kryqit të Kuq, trajnime në fushën e ndihmës së parë dhe shpëtimit, gara të ndryshme sportive, trajnime dhe ligjërata, akomodimin e turistëve dhe sportistëve që qëndronin në këtë pjesë të Kosovës”.

“Ndërhyrja brutale e njësive të policisë së Kosovës në objektin në liqenin e Gazivodës, i cili i përket Kryqit të Kuq të Kosovës dhe Metohisë, me urdhër të Albin Kurtit… përbën një shkelje të rëndë të të gjitha konventave ndërkombëtare përkatëse”, tha Lista Serbe në një reagim.

Ajo tha se në këtë objekt, “Kryqi i Kuq i Kosovës dhe Metohisë… gjatë viteve të veprimtarisë së tij ka bashkuar të gjitha komunitetet dhe ka ofruar ndihmë pa përjashtim anëtarëve të të gjitha komuniteteve – serb, shqiptar, rom, boshnjak dhe të tjerëve”.

Ditë më parë, Bashkimi Evropian reagoi duke vlerësuar se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veri rrezikojnë ngritjen e tensioneve në terren dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale dhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës./Marrë nga REL

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Përfshihet nga flakët një ndërtesë në Prishtinë, plagosen dy qytetarë dhe 5 zjarrfikës

Dy qytetarë dhe pesë zjarrfikës kanë mbetur të lënduar nga zjarri që ka përfshirë kulmin e një ndërtese afër Parkut të qytetit në Prishtinë, shkruajnë...
16:49 | 27/06/2026

KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë, ja sa ulëse fituan LVV, PDK, LDK dhe AAK në Kuvend

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjene sotme ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor, ku partia e parë ka dal...
13:36 | 27/06/2026

KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër mblidhet në orën 11:00.   Në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e...
18:28 | 26/06/2026