Kosova në krizë parlamentare, dështon për të 24-ën herë seanca konstituive

31 Maj 2025 | 11:51

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të 24-ën herë radhazi të konstituojnë legjislaturën e nëntë, e dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Pavarësisht thirrjeve nga shoqëria civile dhe faktorët ndërkombëtarë për të krijuar sa më shpejt institucionet e reja, procesi po ngec në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Në seancën e fundit konstituive, kryesuesi Avni Dehari kërkoi sërish nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), NISMA dhe Lista Serbe që të propozojnë anëtarët për një komision që do të mundësonte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin, por ata refuzuan. Më pas, propozimi për formimin e këtij komisioni u hodh në votim, por nuk mori numrin e duhur të votave, duke çuar në ndërprerjen e seancës. Seanca do të vazhdojë të hënën.

Qendra e mosmarrëveshjeve mbetet kandidatura e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa, e cila nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetare. Vetë Vetëvendosja dhe partnerët e saj insistojnë për votim të fshehtë, ndërkohë që partitë opozitare kundërshtojnë këtë format, duke theksuar se seanca filloi me votim të hapur dhe duhet të vazhdojë kështu.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dërguar çështjen e votimit të fshehtë në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar ndërprerjen e seancave deri në marrjen e një vendimi mbi këtë temë.

Ndërkohë, PDK-ja dhe AAK-ja e shohin Haxhiun si një figurë përçarëse dhe kanë kërkuar që të propozohet një kandidat tjetër, por Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve, vazhdon të mbrojë kandidaturën e saj, duke përjashtuar mundësinë e ndryshimit të kandidatit.

Përveç zgjedhjes së kryetarit, deputetët duhet të zgjedhin edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit, që do të përmbyllnin procesin e konstituimit të legjislaturës së nëntë. Vetëm pas përfundimit të këtij procesi do të mund të fillojnë bisedimet për formimin e Qeverisë së re.

Kriza politike ka ardhur si pasojë e mungesës së shumicës absolute në Kuvend, pasi asnjë parti nuk fitoi numrin e nevojshëm të ulëseve për të qeverisur vetëm. Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e shkurtit me 48 ulëse, shumë larg 61 që duhen për shumicën, ndërsa PDK-ja, LDK-ja, AAK-Nisma dhe Lista Serbe mbeten në opozitë, duke refuzuar marrëveshje politike.

Kreu i Vetëvendosjes dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se është i gatshëm për kompromis dhe bashkëpunim me partitë e tjera, duke përmendur edhe pakicat dhe Nismën Socialdemokrate si partnerë të mundshëm në qeverisje.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Nga burgimi i përjetshëm në 30 vite: Supremja i ul dënimin Edmond Lajqit për vrasjen e bashkëshortes

Gjykata Supreme e Kosovës ia ka ulur të enjten dënimin me burgim të përjetshëm në një dënim me 30 vjet burgim Edmond Lajqit për vrasjen...
20:54 | 16/07/2026

Deklarata e ministres serbe, reagon eurodeputeti çek. Kërkon përjashtimin e Serbisë nga negociatat me BE-në

Eurodeputeti çek, Tomas Zdechovsky ka reaguar së fundmi lidhur me deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviç. Në reagimin e tij, Zdechovsky e cilësuar deklaratën e...
16:56 | 16/07/2026

“Kosova nuk hesht para gjuhës së urrejtjes”, depozitohet kallëzimin penal ndaj ministres serbe Paunoviç

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Donika Gërvalla këtë të enjte përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se kanë depozituar një kallëzim penal ndaj ministres...
15:34 | 16/07/2026