Kosova në mediat e huaja: Zgjedhje në kohë tensionesh me ndërkombëtarët dhe Serbinë

9 Shkurt 2025 | 12:52

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, ndonëse në mënyrë të moderuar, kanë gjetur pasqyrim në mediat ndërkombëtare.

Agjencia e lajmeve “Reuters” e ka hapur artikullin e saj me titullin “Kosova shkon në zgjedhje në kohë tensionesh me Serbinë”.

Në edicionin online, agjencia e vë theksin tek hapja e votimeve ditën e diel, pas një fushate elektorale “luftarake”, ku kandidatët e opozitës u përplasën me kryeministrin Albin Kurti mbi ekonominë, korrupsionin dhe marrëdhëniet me Serbinë.

Rrjeti informativ arab, “Al Jazeera” i ka kushtuar zgjedhjeve në vendin e vogël ballkanas një material të transmetuar në kanalin e tij në YouTube, me titullin “Kryeministri i Kosovës kërkon rizgjedhjen përballë tensioneve me aleatët”.

Ndërsa “Deutsche Welle” shkruan në artikullin e saj se, zgjedhjet mbahen në një kohë kur Serbia dhe çështjet e brendshme shqetësojnë votuesit.

Sipas medias prestigjioze gjermane, edhe pse konflikti me Serbinë dominon faqet e para të gazetave, votuesit e rinj duan që politikanët të fokusohen edhe në çështje të tjera.

Ndërkohë, artikulli i agjencisë “Associated Press” është pasqyruar edhe në portalin amerikan Yahoo.com.

Sipas organit mediatik, zgjedhjet përbëjnë një test për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit arriti një fitore dërrmuese 4 vjet më parë.

Agjencia vë në dukje se kjo është hera e parë që prej shpalljes së pavarësisë në 2008-n, që Parlamenti i Kosovës përfundon të plotë legjislaturën.

Në Britani, “The Guardian” ka shkruar se procesi elektoral mbahet në një kohë kur frika për ndarjen e Kosovës, që u ngjall gjatë administratës së parë të Donald Trump, është ringjallur, teksa kryeministri Kurti lundron në raporte të tensionuara si me Shtetet e Bashkuara edhe me BE-në.

Në Itali ndërkohë, agjencia e lajmeve “ANSA” ka njoftuar hapjen e kutive të votimit, duke theksuar se favorite mbetet partia e kryeministrit në ikje.

Agjencia vë në dukje se procesi mbahet në një situatë pasigurie për të ardhmen e vendit dhe në një kohë ngërçi në dialogun me Serbinë, nga i cili varet gjerësisht procesi i integrimit të vendit në BE.

“ANSA” citon edhe sondazhe, sipas të cilave partia e Kurtit, edhe pse fituese, do të marrë më pak se kuota prej 50.2 për qind të votave të marra në parlamentaret e 2021-shit.

Procesi zgjedhor në Kosovë monitorohet nga një ekip prej 100 vëzhguesish, “gjë që tregon mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Kosovën, me qëllim forcimin e qeverisjes demokratike”, ka deklaruar euro-deputetja franceze Nathali Loizo, e caktuar si shefe e misionit.

Gjithashtu, mbi 200 trupa italiane shtesë do të ndihmojnë trupat e KFOR të angazhuara për mbarëvajtjen e sigurisë në proces.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Haziri: Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i LDK-së për presidente, askush mbi Republikën

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas debatit publik lidhur me qëndrimet e partisë për proceset politike që pritet të zhvillohen...
17:55 | 24/06/2026

Haziri: Votat e LDK-së mund të unifikohen vetëm për president nga radhët e partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës, nëse Lëvizja Vetëvendosje, si...
16:22 | 24/06/2026

Kreu i Veteranëve të UÇK: Dritan Goxhaj nuk ka qenë anëtar i organizatës, firma e letrës është origjinale

Në një lidhje live për Euronews Albania me Thimi Samaraxhiun, komandanti Hysni Gucati dha më shumë detaje sa i përket debatit lidhur me Dritan Goxhajn...
12:43 | 24/06/2026