Kosovë/ Lumir Abdixhiku i kërkon Kuvendit të LDK-së të shqyrtojë dorëheqjen e tij

31 Janar 2026 | 16:19

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku ia ka ofruar Kuvendit të partisë dorëheqjen e tij dhe i ka kërkuar ta shqyrtojë atë në punimet që po zhvillon ai të shtunën.

“Çfarë dëshironi të bëni me mua si kryetar, dhe të ardhmen e kësaj partie? Çfarëdo vendimi që merrni unë do ta respektoj me qetësi”, u ka thënë ai delegatëve të partisë.

Abdixhiku e ka thirrur Kuvendin pas rezultatit të shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në këtë proces zgjedhor, LDK-ja fitoi 13.24 për qind të votave – rezultati i dytë më i keq qysh prej pasluftës.

“Rezultati që na solli këtu nuk erdhi nga një gabim i vetëm, dhe as nga një natë e vetme dhe as nga një vendim i vetëm. Ai erdhi ngadalë, si grumbullim, si peshë që rëndohet çdo ditë derisa një ditë e kupton se nuk mban më”, ka thënë Abdixhiku në nisje të punimeve të Kuvendit.

Disa figura partiake kanë kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme.

Në mesin e tyre është Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë dhe e ka kërkuar të njëjtën edhe nga Abdixhiku.

“Unë kam zgjedhur të dalë para jush, jo sepse e kam të lehtë, por sepse e ndjej të domosdoshme, sepse kam besuar gjithmonë se njeriu nuk matet kur gjithçka shkon mirë, por kur duhet të flasë edhe atëherë kur fjala i dridhet”, ka thënë mes tjerash Abdixhiku gjatë fjalimit.

Ai ka thënë më herët gjatë së shtunës se Kuvendi është organi më i lartë i partisë dhe rrjedhimisht ai vendos për gjithçka.

“I siguroj të gjithë anëtarët LDK-së që nga ky debat do të dalim edhe më të unifikuar, edhe më të fortë, e më të gatshëm për të ardhmen më të mirë që na pret përpara. Me shumicë votash e përcaktojmë fatin tonë politik”.

Sipas agjendës së publikuar nga partia, pas fjalimit të Abdixhikut, Kuvendi do t’i zhvillojë diskutimet me dyer të mbyllura.

Anëtari i kësaj partie, Avdullah Hoti e ka shpallur ditë më parë kandidaturën për kryetar të partisë, ndonëse disa figura kanë thënë se të shtunën do të diskutohet vetëm për performancën e Abdixhikut dhe që çështja e kandidaturave për kryetarin e partisë, është proces i ndarë.

“Nuk jemi në fazë të kandidaturave të tjera. Jemi në fazë të vlerësimit të punës së kryetarit, me kërkesën e tij, do të shohim se çfarë i ofron ai Kuvendit. Nëse ofrohet dorëheqja, dorëheqja është akt vullnetar, individual, i pandikueshëm, drejtpërdrejt i zbatueshëm dhe i pakthyeshëm. Nëse kërkon votëbesim atëherë është çështje e votimit, e cila duhet të bëhet si votim bazuar në statutin e LDK-së, votim i fshehtë me kuti dhe ecim tutje. Secili rezultat do të jetë i respektueshëm nga ana jonë”, ka thënë Arben Gashi.

Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova. Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit./REL

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kurti dhe Abdixhiku shprehin gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje për institucionet e reja

Lideri i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, zhvilluan të premten...
21:43 | 10/07/2026

Takimi Kurti-Hamza përfundon pa rezultat konkret, vijojnë negociatat për institucionet e reja në Kosovë

Takimi mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, nuk solli asnjë marrëveshje konkrete për formimin...
17:39 | 10/07/2026

Takim me Hamzën dhe Abdixhikun për formimin e institucioneve të reja, Kurti mbërrin në ambientet e Kuvendit (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të zhvillojë këtë të premte takime të ndara me kryetarin e Partisë Demokratike...
09:12 | 10/07/2026