“Krishti u ngjall”- Ortodoksët kremtojnë Pashkën, mesazhi i Kryepeshkopit Joani

20 Prill 2025 | 00:11

Besimtarët e krishterë në mbarë vendin kanë nisur sot kremtimin e Pashkëve, festa më e madhe dhe më e shenjtë e kalendarit të krishterë, e cila simbolizon ringjalljen e Krishtit dhe triumfin e jetës mbi vdekjen.

Në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, mesha e Pashkës u udhëhoq nga Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joani. Në fjalën e tij para besimtarëve, Kryepeshkopi Joani përcolli mesazhe të fuqishme shpirtërore dhe përkujtoi paraardhësin e tij, Kryepeshkopin Anastas.

“Këtë Pashkë nuk e kemi fizikisht me ne Kryepeshkopin tonë Anastas, por zemrat tona ngushëllohen nga bindja se ai ndërmjetëson për ne pranë Zotit. Sepse Perëndia nuk është Perëndi e të vdekurve, por e të gjallëve. Vdekja nuk është fundi, por fillimi i një jete të re me Perëndinë,” u shpreh ai.

Duke iu referuar sfidave të kohës, Kryepeshkopi theksoi se vetëm përmes besimit në Ringjallje, njerëzit mund të jetojnë në paqe dhe solidaritet me njëri-tjetrin:

“Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e jetës: padrejtësitë, luftërat, varfërinë, sëmundjet dhe vdekjen që shpesh e çojnë njeriun në dëshpërim. Por Krishti është dhe mbetet shpresa jonë.”

Pas meshës, besimtarët ortodoksë morën flakën e shenjtë për ta çuar në shtëpitë e tyre, një traditë që simbolizon ndriçimin shpirtëror dhe rifillimin me besim të jetës.

Ceremoni festive janë zhvilluar edhe në Katedralen Katolike “Shën Pali” në Tiranë, ku mesha e Pashkës u udhëhoq nga Arqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, Imzot Arjan Dodaj. Në mesazhin e tij, ai theksoi rëndësinë e paqes dhe lutjes për mbrojtje në një kohë pasigurie dhe konfliktualiteti.

“Krishti ngre atë që ka rënë poshtë dhe mbron ata që janë në luftë. Ai është mbrojtja dhe shpresa jonë,” u shpreh ndër të tjera Imzot Dodaj.

Këtë vit, Pashkët përkojnë në të njëjtën datë për të gjithë besimtarët e krishterë, katolikë, ortodoksë dhe protestantë, një rast i rrallë që ka forcuar edhe më shumë ndjenjën e bashkimit, reflektimit dhe përbashkësisë shpirtërore.

Ceremonitë fetare kanë nisur që mbrëmjen e së shtunës me meshën e vigjiljes, dhe do të vazhdojnë gjatë së dielës me dreka familjare dhe urime festive në të gjithë vendin.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor

Gazetari Bledian Koka i ftuar këtë të martë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me sistemin arsimor në vend....
22:04 | 14/07/2026

“Jemi në trenin e duhur për në BE”, Muzhaqi: Mali i Zi në proces më të avancuar se Shqipëria

Ish-ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi këtë të martë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka komentuar rrugëtimin e...
21:31 | 14/07/2026

Rama: Shfuqizimi është për ligjin për investimet strategjike, ligjin për zonat e mbrojtura do e përputhim me standardet e BE

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Brukseli se po punojnë në bashkëpunim me Komision Europian, për të hartuar ligjin e ri ndërsa vlerësoi mirëformulimin e...
20:35 | 14/07/2026