Kryeministri Rama drejt Armenisë, merr pjesë në Samitin e 8-të të Komunitetit Politik Europian

3 Maj 2026 | 15:46

Kryeministri Rama udhëtoi sot drejt Armenisë për të marrë pjesë në punimet e Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Europian, i cili do të zhvillohet ditën e hënë, më 4 maj, në kryeqytetin Jerevan, me synimin të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin politik për të adresuar çështje me interes të përbashkët, si dhe të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit europian.

Kryeministri Rama do të jetë i pranishëm të dielën, në darkën e mirëseardhjes të shtruar nga Presidenti i Republikës së Armenisë, Vahagn Khachaturyan, dhe Kryeministri i Republikës së Armenisë, Nikol Pashinyan.

Samiti i këtij viti do të bëjë së bashku 48 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga i gjithë kontinenti nën moton “Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Europë”, ndërkohë që Kryeministri i Kanadasë Mark Carney, do të marrë pjesë si i ftuar në samit, duke shënuar herën e parë që një vend jo-europian merr pjesë në takim.

Në një kohë transformimesh të thella gjeopolitike, diskutimet do të fokusohen në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve europiane, koordinimin e veprimeve për rritjen e qëndrueshmërisë demokratike, si dhe avancimin e lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike e energjetike.

Ditën e hënë, në nisje të Samitit, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të priten nga Kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan.

Samiti do të bashkëkryesohet nga Presidenti i Këshillit Europian António Costa dhe Kryeministri i Republikës së Armenisë Nikol Pashinyan.

Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në takimin e dytë informal të Koalicionit Europian Kundër Drogave (ECAD), i cili do të bashkëkryesohet nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni. Diskutimet do të përqendrohen në forcimin e luftës kundër trafikut të drogës, përfshirë trafikun detar dhe në porte, luftën kundër flukseve të paligjshme financiare, pastrimit të parave dhe korrupsionit, si dhe adresimin e sfidave që lidhen me drogat sintetike në Europë.

Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet një qasjeje gjithëpërfshirëse që përfshin masa parandaluese, trajtim, ulje të rrezikut dhe rikuperim.

Gjithashtu, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët të bashkëkryesuar me Kryeministrin e Finlandës Petteri Orpo, me temë “Forcimi i lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike në kontekstin e tranzicionit të gjelbër”. Në këtë sesion do të diskutohen masa konkrete për rritjen e lidhshmërisë në sektorët e energjisë dhe atij dixhital, si dhe për sigurimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, duke reduktuar varësitë në kuadër të tranzicionit energjetik.

Pjesëmarrja në këtë samit konfirmon angazhimin e Shqipërisë për të qenë një aktor aktiv në diskutimet strategjike evropiane dhe për të kontribuar në ndërtimin e një Europe më të qëndrueshme, të sigurt dhe të bashkuar.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor

Gazetari Bledian Koka i ftuar këtë të martë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me sistemin arsimor në vend....
22:04 | 14/07/2026

“Jemi në trenin e duhur për në BE”, Muzhaqi: Mali i Zi në proces më të avancuar se Shqipëria

Ish-ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi këtë të martë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka komentuar rrugëtimin e...
21:31 | 14/07/2026

Rama: Shfuqizimi është për ligjin për investimet strategjike, ligjin për zonat e mbrojtura do e përputhim me standardet e BE

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Brukseli se po punojnë në bashkëpunim me Komision Europian, për të hartuar ligjin e ri ndërsa vlerësoi mirëformulimin e...
20:35 | 14/07/2026