Kumbulla del me 150 lekë nga parcela, në treg shitet deri në 350 lekë
Kumbulla del nga parcela me 150 lekë për kilogram, por në tregjet e Elbasanit dhe Tiranës shitet deri në 350 lekë. Diferenca e madhe e çmimit po ngre shqetësime tek fermerët, të cilët thonë se fitimi më i madh mbetet tek hallkat e ndërmjetme të tregtimit dhe jo tek prodhuesi.
Në fshatin Vashaj të Peqinit, Fazlli Salla prej 12 vitesh merret me kultivimin e pemëve frutore. Në dy hektarë tokë ai prodhon kajsi, pjeshkë dhe kumbulla, ndërsa këto ditë po zhvillohet vjelja e prodhimit.
“Kam 2 hektarë tokë me pemë frutore. Sot jam duke vjelë tre produkte: kajsi, pjeshkë dhe kumbull. Me sa po tregtohet kumbulla? Sot kumbulla shitet me rreth 150 lekë në parcelë. Për tregun nuk interesohem.
Nga parcela del me 150 lekë, ndërsa në tregjet e Tiranës dhe Elbasanit shitet me 300–350 lekë. A mendoni se është e drejtë që tregtari të fitojë më shumë se fermeri? Si e merr një tregtar këtë fitim? Deri sa produkti të shkojë te konsumatori, sipas mendimit tim, kalon në katër duar’, tha fermeri Fazlli Salla.
Mungesa e ujit për vaditje dhe infrastruktura e dobët e parcelave vijojnë të vështirësojnë punën në bujqësi. Eksperiencën në kultivimin e frutave Salla e ka fituar në Itali, ku punoi për disa vite para se të kthehej në Shqipëri dhe të investonte në tokën e tij.
“Vështirësitë tona lidhen me vaditjen dhe rrugët e parcelave. Do të donim të na bëhej të paktën një kanal kullues, duke dhënë edhe ne kontributin tonë. Shteti mund të na ndihmojë disi edhe me pastrimin e kanaleve. Në Shqipëri kam filluar këtë aktivitet në vitin 2014.
Më parë kam punuar në Firence të Italisë dhe jam marrë me këtë profesion. Fidanët i solla prej andej, bëra provat dhe rezultuan të përshtatshëm për tokat e mia. I mbolla dhe tani kjo kulturë është përhapur në të gjithë fushën e zonës”, tha ai.
Ndërkohë, mungesa e fuqisë punëtore mbetet një tjetër problem për sektorin. Salla shprehet i shqetësuar edhe për konkurrencën nga importet, duke kërkuar më shumë mbështetje për prodhimin vendas.
“Kemi probleme me fuqinë punëtore, sepse mungon. Kemi disa djem që punojnë me ne, por shumë të rinj nuk duan të punojnë. Nuk e kuptojnë se leku nuk fitohet brenda një dite; ajo që vjen shpejt, ikën po aq shpejt. Ndërsa kur e fiton pak nga pak, e vlerëson më shumë. Unë vetë i kam paguar punëtorët deri në 40 mijë lekë në ditë gjatë sezonit të vjeljes. A ju pengon futja e mallit nga jashtë? Na pengon shumë. Kur kemi frutat tona vendase, pse duhet të marrim produkte nga jashtë?”, shtoi ai.
Teksa sezoni i vjeljes vijon, fermerët kërkojnë më shumë investime në infrastrukturën bujqësore dhe politika që rrisin fitimin e prodhuesit vendas. Ndërsa frutat largohen nga parcela me çmime relativisht të ulëta, në treg ato mbërrijnë me vlera disa herë më të larta, duke lënë të hapur debatin se kush përfiton më shumë nga zinxhiri i tregtimit.
6 mbikalime për këmbësorët në pjesën e zgjeruar të autostradës Tiranë-Durrës
Protestë në Gjirokastër: Shqipëria nuk është në shitje
Sekuestrohen 110 kg kanabis në një makinë në Igumenicë, dyshohet se kishte hyrë nga Shqipëria
- 21:01 Aksident i rëndë në Kroaci, 4 të vdekur nga përplasja e 2 automjeteve
- 21:00 Trump: Irani ka rënë dakord se nuk do të ketë më armë bërthamore
- 20:54 Albulena Haxhiu: Numërimi, faza vendimtare. Përgjegjësit të angazhohen në mbrojtjen e vullnetit të popullit
- 20:53 Numërohen 70 % të votave, Albin Kurti në epërsi me 43 %
- 20:49 Zgjedhjet në Kosovë, policia: Procesi i votimit i qetë, 5 të arrestuar
- 20:48 Numërohen mbi 40% e votave në Kosovë: LVV prin me 41,24 %, ndiqet nga PDK me 21,93%, LDK me 18,08% dhe AAK me 8,31%