Kurti: Na duhet një raport i ri qeveri-opozitë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës

30 Janar 2026 | 12:57

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë të premten se Kosova ka nevojë për një marrëdhënie të re mes pushtetit dhe opozitës, në mënyrë që t’i kalojë marrëveshjet jetike ndërkombëtare dhe ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, për ta shmangur një krizë të re politike.

Partia në pushtet e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, i fitoi bindshëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dhjetorit, duke i marrë 57 vende në Kuvendin me 120 sosh, dhe pritet ta formojë së shpejti qeverinë e re për një mandat të tretë katërvjeçar.

Megjithatë, atij i mungon një shumicë dërrmuese prej 82 deputetësh për të kaluar ligje sikurse janë marrëveshjet ndërkombëtare, apo zgjedhja e presidentit të vendit.

Kurti tha për gazetarë të premten se e ka takuar presidenten Vjosa Osmani – e cila po kërkon një mandat të dytë katërvjeçar – por se votimi në Kuvend për presidentin e ri është “hapi i katërt” në një varg hapash, siç është certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, konstituimi i Kuvendit të ri dhe formimi i qeverisë së re.

Derisa tha se nuk do të ketë telashe ta formojë qeverinë e re, Kurti kërkoi nga opozita bashkëpunim për t’i kaluar marrëveshjet ndërkombëtare dhe për çështjen e presidentit.

Dy marrëveshje ndërkombëtare, jetike për Kosovën, presin dritën jeshile të Kuvendit: Plani për Reforma dhe Rritje i Bashkimit Evropian (BE) në vlerë prej 882 milionë eurove, si dhe tri marrëveshje me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) të Bankës Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro.

Ratifikimi i tyre është stërzgjatur si pasojë e mungesës së institucioneve të reja përgjatë vitit 2025.

Kurti tha se partia e tij është e gatshme për bashkëpunim me opozitën dhe pret të shohë nëse do të ketë lëvizje nga ajo në shkurt.

“Ne duhet të shohim në Kuvend se a ka atmosferë për një raport të ri Qeveri–opozitë”, tha Kurti.

“Populli na ka dhënë një mbështetje shumë të madhe, e cila është përgjegjësi e lartë për ne për formimin e qeverisë; nuk do të kemi asnjë problem, por për dy të tretat e votave që nevojiten në Kuvend, prej marrëveshjeve ndërkombëtare deri te zgjedhja e presidentes apo presidentit, ne kemi nevojë për bashkëpunim me opozitën”, shtoi ai.

Dështimi për ta zgjedhur presidentin ri, pasi Osmanit i mbaron mandati në prill, do ta çonte vendin në zgjedhje të reja të parakohshme për herë të tretë brenda afërsisht 12-muajsh.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

KQZ nesër shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër mblidhet në orën 11:00.   Në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e...
18:28 | 26/06/2026

Fëmijë shqiptarë nga rajoni i Kumanovës mund të mbesin pa shkollë fillore

Fëmijët shqiptarë të fshatit Kosturnik në rajonin e Kumanovës mund të mbeten pa shkollën e tyre fillore, pasi Ministria e Arsimit ka paralajmëruar mbylljen. Sipas...
16:08 | 26/06/2026

Në Prishtinë shënohet përvjetori i Betejës së Kosovës

Me rastin e shënimit të 637-vjetorit të Betejës së Kosovës, profesori Mentor Hasani dhe studentët e Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, organizuan një...
16:01 | 26/06/2026