Kurti: S’i kemi prishur marrëdhëniet me SHBA, por kemi disa dallime
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e pranoi të premten se Qeveria e tij në detyrë ka “disa” dallime në qëndrime me Shtetet e Bashkuara, por nguli këmbë se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë prishur.
Duke folur në një mbledhje të Qeverisë në detyrë, Kurti tha se dallimet mes tij dhe Shteteve të Bashkuara “shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë”.
“Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e Qeverisë sonë me Qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizoj zhvillimet e fundit. I siguroj qytetarët tanë se Qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës amerikane”, theksoi ai.
Marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara morën një goditje javën e kaluar, kur kjo e fundit njoftoi më 12 shtator se e pezulloi Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën, duke arsyetuar vendimin me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.
Në lidhje me këtë vendim të SHBA-së, Kurti tha se dëshiron të sqarojë se “bëhet fjalë për pezullim të dialogut të planifikuar strategjik, dhe jo të dialogut strategjik si proces të nisur”.
Kurti shtoi se “nuk bëhet fjalë as për ndërprerje të komunikimit të rregullt të qe kemi”.
Javën e kaluar, një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha për Radion Evropa e Lirë se Shteteve të Bashkuara i duhet një partner në Kosovë i cili e kupton nevojën për t’i shmangur veprimet destabilizuese, ta avancojë stabilitetin rajonal dhe t’i mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Kurti nguli këmbë se, përderisa ka “nganjëherë” papajtueshmëri me Qeverinë amerikane për çështje operacionale dhe taktike, “ne pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime”.
Nën Kurtin, autoritetet kosovare nisën vitin e kaluar mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri dhe jug të vendit, përkundër kritikave nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë SHBA-ja.
Ndërsa javët e fundit u pezullua puna e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional, që punojnë sipas sistemit të Serbisë, në Mitrovicën e Veriut.
Ngërçi politik, Vetëvendosje pret marrëveshje me LDK para konstituimit të Kuvendit
Deçan, 56-vjeçari humb jetën nga të shtënat me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga djali i tij
BE ndaj institucioneve të Kosovës: Ndaleni menjëherë rrënimin e villave në Ujman!
- 22:33 Banka Qendrore Evropiane prezanton modelet e reja të kartëmonedhave euro, qytetarët ftohen të votojnë
- 22:26 Raporti i Oxfam: Gaza ka nevojë për mbi 71 miliardë dollarë për t’u rindërtuar në 10 vite
- 22:23 Deputeti i PD-së: Ja pse Rama nuk e çoi deri në fund reformën territoriale, Parlamenti është jonormal
- 22:08 Dashamir Shehi: Mbështes protestuesit, ata janë rinia evropiane e Shqipërisë
- 21:52 Mes thirrjeve “Rama, jepe dorëheqjen”, kryeministri publikon videon duke përgatitur fjalimin: Kënga ime e preferuar
- 21:41 “Lironi çunat, lironi vajzat”, protesta e ditës së 54 fokusohet te të shoqëruarit nga policia