Kurti pas takimit me Abdixhikun: Nuk kemi një kandidat me librezë partie kandidat për President

23 Shkurt 2026 | 16:51

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë anëtar me librezë partie që synon të kandidojë për president të vendit.

Kurti theksoi se as LVV, por as partitë e tjera të mëdha si PDK dhe LDK, nuk kanë paraqitur kandidatë nga radhët e tyre për këtë post, duke nënvizuar se zgjedhja e presidentit kërkon një zgjidhje të përbashkët politike.

“LVV nuk ka ndonjë anëtar me librezë partie që synon të bëhet president. Por njësoj vlen edhe për dy partitë e tjera të mëdha dhe tradicionale, PDK dhe LDK. Ne si parti politike nuk kemi pasur kandidatë nga radhët tona”, tha Kurti.

Sipas tij, tashmë ekzistojnë dy mundësi: ose të gjendet një emër i përveçëm që siguron mbështetjen e së paku dy të tretave të deputetëve, ose subjektet politike të merren vesh mes vete për rrugën përpara.

Kurti theksoi se shumica parlamentare aktualisht ka 66 vota, ndërsa për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota, çka e bën procesin sfidues. Ai paralajmëroi se mungesa e votave të mjaftueshme mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja, por shtoi se do të intensifikohen bisedimet për të shmangur një skenar të tillë.

“Na duhet një shumicë që i afrohet 85 votave, që të kemi siguri. Nuk është situatë e lehtë, por do t’i intensifikojmë bisedimet që të kemi një zgjidhje për çështjen e presidentit”, u shpreh ai.

Kryeministri shtoi se, sipas përshtypjes së tij, edhe opozita është e interesuar që vendi të mos përballet me zgjedhje të reja gjatë këtij viti, pas një cikli të dendur zgjedhor në vitin 2025.

Nga ana tjetër, Abdixhiku konfirmoi se në takim është diskutuar për dy rrugë të mundshme për zgjedhjen e presidentit: konsensus politik mes faktorëve kryesorë ose një marrëveshje klasike politike mes partive. Ai theksoi se nuk është folur për emra konkretë, por vetëm për mënyrën se si duhet të arrihet zgjidhja brenda afatit kushtetues prej nëntë ditësh.

Palët pritet të vazhdojnë takimet në ditët në vijim për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kurti: Jemi të gatshëm për komunikim me opozitën

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se procesi i numërimit të votave ende nuk ka përfunduar, duke theksuar se rezultatet përfundimtare do...
15:27 | 12/06/2026

Kryeministri Rama uron 27-vjetorin e Çlirimit, publikon pamje nga hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë

Kryeministri Edi Rama, në rrjetin social Facebook, ka shprehur urimin e tij për 27-vjetorin e Çlirimit të Kosovës. Përkrah mesazhit “Gëzuar 27-vjetorin-Ditën e Çlirimit”, Rama...
13:10 | 12/06/2026

Kurti për zgjedhjen e presidentit: Duhet bërë bashkëpunim me opozitën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të premte ka folur për procesin e numërimit të votive si dhe formimin e institucioneve të reja. Kurti para...
11:28 | 12/06/2026