Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se s’mund të themelojë asociacione s’i kryeministër i vendit. Sipas tij, kjo është një detyrë e komunave të cilat duhet të asocohen me njëra-tjetrën.
Megjithatë, Kurti bëri të ditur se ka ofruar që të hartojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kur Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për aneksin e zbatimi të Marrëveshjes Bazë të Brukselit në vitin 2023, mirëpo që ishte refuzuar nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut.
Ai shtoi se do të ishte imponim ndaj komunave nëse do të kishte themelim të ndonjë asociacioni nga ana e qeverisë.
Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është ndër kërkesat kryesore të partnerëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës, si pjesë e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
“Unë kam ofruar që të shkruaj draft-statutin me datë 18 mars 2023, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por aty jam refuzuar. Më është thënë se këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues. Ekipi menaxhues, në krye me deputeten e Kuvendit të Serbisë, nga partia e presidentit atje, Danijela Vujiçiq, e shkruante diçka që ishte më keq se Republika Serbe…. Në anën tjetër, më lejoni të theksoj se unë jam kryeministër i një Republike demokratike, ku kryeministrat nuk formojmë asociacione të komunave. Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen dhe bashkëpunojmë e kështu me radhë. Nëse dikush dëshiron edhe një asociacion tjetër, atëherë kjo duhet të vjen nga komunat. Nuk formon kryeministri, Asociacione të komunave as nuk i themelon ato…Nëse kryeministri themelon një asociacion të komunave, kjo do të ishte një imponim ndaj komunave. Asocicimi është liri, e drejtë. Këtë se bëjë unë e aq më pak ndonjë shtet fqinjë”, tha ai.
Duke komentuar miratimin e një projektligji në serbi për juridiksionin gjyqësor serb në Kosovë, Kurti tha se ky është një veprim armiqësor dhe agresiv ndaj kushtetutshmërisë, ligjshmërisë, paqes dhe sigurisë në Kosovë.
Ai e konsideroi të domosdoshme që për progres në dialog të bëhet nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë të Brukselit, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2023.
Krahas kësaj, ai përsëriti nevojën e tërheqjes së letrës së ish kryeministres serbe, Ana Bërnabiq nga Brukseli si dhe dorëzimin në Kosovë të përgjegjësit të sulmit terrorist në Banjskë, kryekriminelit, Milan Radoiçiç.
“Marrëveshja bazike është para të gjithash dhe mbi të gjitha. Unë kam kërkuar që atë të nënshkruajmë pasi ajo është paketa ku gjithçka mund të vendoset, e jo të nxjerrësh diçka nga paketa dhe të shkatërrosh paketën. Plus i është bashkangjitur edhe aneksi i zbatimit nga Ohri me 12 pika…Cili është kuptimi që bën marrëveshje dhe në fund thua se nënshkruajë dot. Po ashtu duhet të dorëzohet një orë e më parë kryekrimineli, terrorist, Milan Radoiçiq. S’ka mirëbesim mes palëve, s’ka vullnet dhe qëllim të mirë nëse nuk e dorëzon MIlan Radoiçiqin, por përkundrazi e mbron atje, e financon dhe ia lejon aktivitetin agresiv ndaj Kosovës…30:30 Pa e tërheqë atë letrën e zonjës Bërnabiq, ku ata thonë se nuk e respektojnë integritetin territorial të Kosovës, në kundërshtim me marrëveshjen bazike, s’di se çfarë draft-statuti mund të shkruaj ndokush, jo unë, por ndokush. Ne kemi nevojë për mirëbesim midis palëve dhe vullnet dhe qëllim të mirë”, theksoi Kurti.
Ai u pyet edhe për pozicionimin e tij në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurti tha se është një demokrat dhe i gatshëm për bashkëpunim me të gjithë.
Madje, ai dha një përgjigje interesante kur u pyet se si mund të jetë bashkëpunimi i tij me administratën Trump, nëse ai fiton zgjedhjet.
“Unë jam kryeministër i Kosovës dhe bashkëpunojë me udhëheqës të shteteve që janë nga të gjitha anët e spektrit politik, si kryeministër i Kosovës. Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, natyrisht se jam socialdemokrat, jam demokrat dhe s’kam asgjë të re të shtojë. Marrë pjesë në të gjitha konferencat, samitet e partive simotra edhe në Evropë dhe botë, siç ishte edhe ajo në Çikago të ShBA-së. S’kam diçka tjetër të them. T’i shohim rezultatet dhe më pastaj t’i shtohem përzgjedhjet që bëhen nga ana e kandidatit që fiton. S’kisha bërë tash gjimnastikën cerebrale të hipotezave mbi hipotezat, që nëse fiton ky e nëse ai kur fiton, që s’po dina a fiton a e zgjedh këtë tjetrin që s’po dina a e zgjedh. Mandej nëse e zgjedh këtë që nuk dihet a fiton. Pra nuk kisha ky në këtë, sidomos kur na ndajnë kaq pak ditë nga zgjedhjet atje dhe për shkak se kjo është foltorja e kryeministrit këtu”, shtoi Kurti,
Sa i përket masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, Kurti tha se Kosova s’ka pasur asnjë faj për eskalimin e situatës vitin e kaluar atje si dhe ka pasur qasje konstruktive edhe për organizimin e zgjedhjeve lokale atje, por të cilat u bojkotuan nga komuniteti serb./KosovaPress/
LEXONI GJITHASHTU:
- Provokon Serbia, Kurti: Vuçiç ka sjellë ushtrinë pranë kufirit me Kosovën
- Kurti i kërkon NATO-s të kthejë zonën tokësore të sigurisë: Serbia mbetet agresive